Perëndimi e ka humbur fillin në Ballkan duke marrë me të mirë Vuçiçin

Përshkallëzimi i fundit në Kosovë tregon se SHBA dhe BE kanë adoptuar strategjinë e rrezikshme të marrjes me të mirë të Beogradit ekspansionist

Nga Jasmin Mujanović, Al Jazeera

 Pamjet e nacionalistëve militantë serbë që gjuanin me gurë paqeruajtësit e NATO-s në Zveçan në Kosovën veriore në fund të majit e kthyen edhe një herë në qendër të vëmendjes vendin ballkanik. Dhuna shpërtheu në veriun me shumicë serbe pasi policia e Kosovës shoqëroi në punë kryebashkiakët e zgjedhur në zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga serbët etnikë.
Lajmet se Serbia vuri ushtrinë në gjendje gatishmërie të lartë bëri që shumë njerëz jo familjar me çështjet ballkanike të pyesnin nëse në Evropë do të shpërthente një tjetër konflikt i armatosur.

Përgjigja është jo, nuk jemi në prag të një tjetër lufte ballkanike. Por kjo nuk do të thotë se situata në Kosovës nuk është alarmuese.

Përveç dhunës, ajo që ngre shqetësime në rajon është roli i Shteteve të Bashkuara dhe i Bashkimit Evropian në inkurajimin e një faze të re të rrezikshme të militantizmit nacionalist serb në Kosovë e më gjerë në Ballkanin Perëndimor.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, e përkrahur nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia, njohur edhe si Pesëshja.

Pavarësia erdhi pas gati një dekade të mbikëqyrjes ndërkombëtare nën Administratën e Përkohshme të OKB-së, e cila u krijua në fund të Luftës së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe të përkohshme, Kosova mbeti nominalisht pjesë e Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë si një “krahinë autonome”, por Beogradi nuk ushtroi asnjë autoritet real mbi asnjë aspekt të qeverisjes së territorit, me përjashtim të një pranie të kufizuar në një pjesë të vogël të komunave me shumicë serbe në veri.

Kosova kishte gëzuar edhe një shkallë të konsiderueshme vetëqeverisjeje gjatë periudhës socialiste, megjithëse shumica etnike shqiptare ishte shpesh objektiv shtypjeje. Në vitin 1989, kur Sllobodan Millosheviç mori pushtetin në Beograd, ai vendosi një regjim të ri kushtetues në Kosovë dhe e ktheu rajonin në një shtet të vërtetë policor me shqiptarët etnikë të zhveshur nga pothuajse të gjitha liritë civile. Ky rregull drakonian përfundimisht rezultoi në rezistencë të armatosur nga komuniteti shqiptar deri në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Gjatë 15 viteve të fundit, SHBA dhe BE janë përpjekur të sigurojnë një marrëveshje normalizimi midis Prishtinës dhe Beogradit. Pavarësisht raundeve të njëpasnjëshme të bisedimeve të nivelit të lartë, të dyja palët mbeten aq larg njëra-tjetrës sa më parë për një zgjidhje – siç e ilustrojnë mjeshtërisht përplasjet në Zveçan.

Por këtu nuk bëhet fjalë për fajësi të barabartë. Problemi mbetet pothuajse tërësisht në palën serbe.

Regjimi gjithnjë e më autokratik i presidentit serb Aleksandar Vuçiç është kategorik në refuzimin e tij për të pranuar sovranitetin e Kosovës. Në raundin e fundit të bisedimeve të mbajtura në Ohër në mars, Vuçiç refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e supozuar për të cilën kishte “rënë dakord”, duke u thënë qytetarëve serbë në një fjalim të mëpasshëm se ai nuk donte “të bënte një marrëveshje ligjore ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”.

Në mediat e lidhura me regjimin e Serbisë, komuniteti etnik shqiptar, i cili përbën 92 për qind të popullsisë së Kosovës, përmendet rëndom me sharje etnike, ndërsa qeveria në Prishtinë cilësohet si autoritet lokal “i përkohshëm”. Dhe në veriun e Kosovës me shumicë serbe, Beogradi mban një lloj pushtimi klandestin, të administruar përmes një rrjeti ultra-nacionalistësh dhe gangsterësh vendas, siç ka detajuar kohët e fundit The New York Times.

Por qëndrimi reaksionar i Serbisë nuk kufizohet vetëm në Kosovë.

Udhëheqja serbe dhe segmente të mëdha të publikut që janë përmbytur nga më shumë se tri dekada propagandë revizioniste shtetërore jetojnë në një botë më vete. As Beogradi dhe as një pjesë e madhe e publikut serb nuk e pranojnë që regjimi i Millosheviçit – në kabinetin e fundit të të cilit Vuçiç shërbeu si ministër i informacionit – ishte arkitekti kryesor i shpërbërjes së Jugosllavisë apo i dekadës së mëvonshme të konfliktit që përfshiu rajonin.

Ata pretendojnë rrejshëm se Serbia nuk ka bërë luftëra agresioni kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës ndërmjet viteve 1991 dhe 1999. Ata thonë edhe se Serbia nuk ka orkestruar një fushatë sistematike, genocidale të shfarosjes, terrorit dhe dëbimit kundër popullsisë jo-serbe të Bosnjës ndërmjet viteve 1992 dhe 1995, e cila ndikoi në mënyrë disproporcionale në komunitetin boshnjak.

Në fakt, dhuna genocidale e drejtuar kundër boshnjakëve nga Millosheviç dhe përfaqësuesit e tij serbë të Bosnjës ishte aq e rëndë sa që afërsisht gjysma e të gjitha viktimave gjatë Luftërave Jugosllave dhe 82% e të gjitha vdekjeve të civilëve gjatë Luftës së Bosnjës ishin boshnjakë etnikë.

Bosnja e pasluftës ka mbetur e përçarë nga mosfunksionimi dhe grindjet për shkak të Marrëveshjes së Paqes të Daytonit të ndërmjetësuar nga SHBA dhe shkallës ekstreme të autonomisë që iu është dhënë elementëve shovinistë etnikë sipas kushtetutës së re të vendit. Në entitetin Republika Srpska, të cilin spastrimi genocidal i Millosheviçit e krijoi si një rajon me shumicë serbe dhe që është besnik ndaj Beogradit, regjimi separatist i Milorad Dodik minon edhe reformat më modeste, ndërkohë që nxit në mënyrë eksplicite shpërbërjen e Bosnjës, me mbështetjen ruse e serbe.

Në dritën e invazionit në shkallë të plotë rus në Ukrainë, dikush do të mendonte se do të kishte pasur pasoja të rënda politike dhe diplomatike për Serbinë dhe përfaqësuesit e saj për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Kremlinin dhe makinacioneve të tyre ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor. Por ka ndodhur pikërisht e kundërta.

Për shembull, në rastin e përleshjeve midis nacionalistëve serbë dhe paqeruajtësve të NATO-s në Zveçan, Pesëshja dënoi kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se kishte dërguar policinë për të shoqëruar kryetarët e sapozgjedhur të komunave në zyrat e tyre në veri.

SHBA gjithashtu e përjashtoi Kosovën nga stërvitjet ushtarake Defender 23 të udhëhequr nga NATO dhe kërcënuan zyrtarët vendas me sanksione. Ambasadori i Washingtonit në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha edhe se vendi i tij nuk do ta ndihmojë më Kosovën në kërkimin e njohjes ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Serbia dhe Vuçiç nuk patën pasoja.

As Dodik i Republika Srpska nuk është përballur me pasoja për takimet e rregullta me presidentin rus Vladimir Putin, të cilin zyrtarët amerikanë dhe evropianë e kanë quajtur vazhdimisht “kriminel lufte”. Njësia ende merr fonde nga BE për projekte të ndryshme zhvillimi dhe megjithëse Dodik është nën sanksionet e SHBA dhe Britanisë, ai vazhdon të lobojë hapur me zyrtarë amerikanë në Washington.

Udhëheqësi serb i Bosnjës nuk është i vetmi aktor anti-shtetëror në Bosnjë që përfiton nga një shkallë çuditërisht e lartë e marrjes me të mirë nga Perëndimi. Dragan Çoviç, kreu i partisë nacionaliste kroate të linjës së ashpër, HDZ, i cili po ashtu gëzon patronazhin e Kremlinit, duket se i ka interesat të mbrojtura direkt nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), e emëruar ndërkombëtarisht.

Tetorin e kaluar, OHR përdori fuqitë e saj të gjera ekzekutive për të rishkruar ligjet zgjedhore të Bosnjës në favor të tij dhe më pas në prill të këtij viti ndryshoi kushtetutën e entitetit të Federatës në mënyrë që të instalonte një qeveri të dominuar nga HDZ.

Në Bosnje, ashtu si në Kosovë, SHBA dhe BE duken të painteresuara për të frenuar ndikimin rus; në vend të kësaj, ata kanë kërkuar të akomodojnë nacionalistë militantë të mbështetur nga Moska. Pse? Sepse Perëndimi ka arritur në përfundimin se nuk ia vlen koha apo përpjekjet për t’u përballur me njerëz si Vuçiç, Dodik apo Çoviç në një rajon aq periferik ndaj interesave të tij si Ballkani Perëndimor.

SHBA dhe BE kanë zgjedhur në vend të kësaj një lloj politike Kabuki, duke mbajtur një qëndrim performues të opozitës ndaj nacionalistëve militantë, por duke shpenzuar kapital politik dhe diplomatik për t’i ndihmuar ata të arrijnë qëllimet e tyre me shpresën kalimtare se kjo do t’i qetësojë ata.

Rezultati, natyrisht, ka qenë vetëm një formë më e guximshme e ekstremizmit nacionalist në Ballkan – pjesa më e madhe e sponsorizuar nga Perëndimi.

Fatkeqësisht, edhe SHBA edhe BE duken tërësisht të përkushtuara ndaj këtij kursi, siç dëshmohet nga reagimet e tyre surreale ndaj dhunës në Zveçan. Kjo ka të ngjarë të mbetet kështu derisa publiku vendas, duke përfshirë diasporën boshnjake dhe kosovare në Perëndim, dhe aleatët e tyre legjislativë, të mund të dëshmojnë në mënyrë efektive arsyen se pse marrëdhëniet e dyfishta perëndimore në Ballkan janë të rrezikshme për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.

Deri atëherë, megjithatë, Beogradi ka të ngjarë të vazhdojë të nxisë kaos, duke ditur se Washingtoni dhe Brukseli do ta kthejnë kokën nga ana tjetër.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme