Gazetar: Suad Bajrami
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev në intervistën për Alsat theksoi se grupi i ekspertëve në nivel të qeverisë për punon për ligjin e ri për përfaqësimin e etniteteve në administratën publike, pasi në tetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi balancuesin. Shpalljet publike për punësim, tani për tani po zhvillohen pa kategorinë me të cilën kërkohet përkatësia etnike për një vend të caktuar të punës.
“Derisa nuk kemi zgjidhje të re ligjore që duhet të dalë prej këtij grupi të ekspertëve dhe duhet të jetë jashtë partive dhe politikave që sërish të mos na sjellë në një vendim të këtillë të Gjykatës Kushtetuese, më tej thash se duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe si zgjidhje kushtetuese cilësore duhet ta gjejë zbatimin e tij në kuadër të shtetit. Deri atëherë, shpalljet zhvillohen siç janë zhvilluar deri në vitin 2015. Në bazë të cilësisë, njohurive, sipas kritereve që i përshkruan çdo shpallje dhe ajo do të jetë ashtu”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, thotë se së shpejti ligji do të hyjë në procedurë të miratimit, ndërkaq momentalisht janë duke u diskutuar detajet.
“Grupet e punës veçmë po bisedojnë rreth detajeve të draft-versionit i cili është përpiluar, i cili në momentin që finalizohet me finesat do të hyjë në procedurë qeveritare, mandej parlamentare”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.
Shfuqizimi i balancuesit në tetor të vitit 2024, shkaktoi një valë reagimesh dhe debatesh pasi opozita akuzonte se me këtë po diskriminohen shqiptarët. Nga koalicioni qeveritar, janë deklaruar se balancuesi i shfuqizuar, do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Megjithatë, procesi ende nuk dihet se kur do të përfundojë. Partitë e koalicionit VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM duhet të miratojnë një draft-version i cili duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias për mendim me qëllim që të mos kontestohet para Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, dërgimi i propozim-ligjit në Komisionin e Venecias para miratimit do të nënkuptonte që ligji nuk do të miratohet me shpejtësi. Se sa mund të zgjasë, tregon përvoja me Ligjin për Përdorim të Gjuhëve, disa nene të të cilit u dërguan për vlerësim në janar dhe mendimi erdhi pothuajse një vit më vonë, në dhjetor. Nga ana tjetër, deri në miratimin e plotë të ligjit, shteti do të mbetet pa asnjë mekanizëm që do të garantonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, pavarësisht se është kategori kushtetuese. /Alsat.mk