Gazetar: Adnan Qaili
Masat për ngrirje të çmimeve të disa artikujve ushqimor për një periudhë të caktuar kanë anën e errët. Rreziku për një rritje eventuale të kostove të këtyre produkteve ushqimore është evident posa të skadojë afati i ngrirjes së çmimeve në fund të prillit dhe të majit. Autoritetet thonë se këto masa u bënë për të vënë një balancë ndërmjet kërkesës dhe ofertës, duke kursyer qytetarët pa i dëmtuar prodhuesit. Por, Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike tha se Maqedonia e Veriut ka një ekonomi të hapur me treg të lirë. Fatmir Bytyqi sqaron se kjo lë të hapur mundësinë për rritje të çmimeve sipas inputit nga eksporti, por u zotua se qytetarët nuk do ta ndjejnë, duke paralajmëruar masa të reja anti-krizë.
“Nuk druaj që pas periudhës së ngrirjes së çmimeve do të kthehet praktika e vjetër e rritjes artificiale të çmimeve, në mënyrën se si një periudhë të caktuar u frynë. Gatë gjithë kohës bëmë thirrje se duhet të ketë përgjegjësi sociale, patjetër të ketë sjellje morale dhe etike në treg, vlerësoj se kompanitë tani më e kanë të qartë. Por, përsëris, nëse ndodh e kundërta ne si Qeveri nuk do t’i lëmë qytetarët të paguajnë me çmime më të shtrenjta. Ata do të jenë nën kujdesin tonë”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Vendimet për ngrirje të çmimit të bukës, produkteve të qumështit, pastave, vezëve dhe orizit vendor erdhi si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes për ulje të çmimeve nga 85% e prodhuesve dhe tregtarëve edhe në periudhën tre mujore kur kompanitë private morën rrymë të subvencionuar. Tani me këto ngrirje, ngritët dilema në sasinë e tyre reale në raport me koston që paguhet. Për këtë rast Bytyqi iu bënë thirrje inspektorateve përkatëse që përveç çmimit të kontrollojnë cilësinë dhe sasinë e produkteve.
“Nëse kjo informatë të cilën po thoni, që sasia e bukës është më i vogël se që është parashikuar dhe shitet me çmimin e ngrirë, unë thërras Inspektoratin e Tregut që të del në terren dhe këtë gjë ta sanksionoj se ajo nuk është në bazë të vendimit që Qeveria ka sjell, të cilët mbrojnë interesin e qytetarit dhe të biznesit”, theksoi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Kujtojmë që vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë në 33 denarë për 450 gram, ngrirja e çmimit të brumërave, qumështit dhe disa produkteve të saj vazhdon deri më 31 Maj. Kurse, vendimi i fundit për ngrirje të çmimeve të vezëve dhe orizit vazhdon vetëm deri më 30 Prill, përkatësisht e bërë sa për të kaluar festa e Pashkëve dhe Ramazanit pa mungesë të këtyre produkteve. Autoritetet akoma nuk dolën me analizë për ngrirje eventuale të çmimeve të fruta-perimeve dhe të produkteve të mishit, artikuj për të cilët rritet konsumi gjatë këtyre dy festave më të mëdha ne vend. /Alsat.mk