Koalicioni PAN dhe Aleanca për Kosovën e re e Behgjet Pacollit kanë rënë dakord për krijimin e institucioneve të reja. Gazeta Expres merr vesh se Pacolli ka pranuar të bëhet pjesë e qeverisë së re e cila pritet të drejtohet nga Ramush Haradinaj.
Si duket negociatat që janë zhvilluar gjatë fundjavës që shkoi, kanë qenë vendimtare për këtë marrëveshje. Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zhbllokohet pasi PAN ende nuk i kishte votat për Kryeparlamentarin. Kjo nxiti debate të ashpëra dhe përplasje sidomos ndaj Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Kreu i PDK’së Kadri Veseli në replikat e tij me Albin Kurtin në Kuvend, tha se do të hiqte dorë nga posti i Kryeparlamentarit nëse Kurti arrin të sigurojë 61 vota – aq sa duhen për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe formimin e institucioneve.
Kjo ka nxitur një proces tjetër bisedimesh po zhvillohet ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk dihet se cilat janë shanset që këto dy palë të arrijnë, pasi nuk po hezitojnë të përplasen publikisht sidomos rreth cështjes së 70 dosjeve që Vetëvendosje i ka deponuar në Prokurori kundër Isa Mustafës.
Zyrtarë të PDK’së dhe të partive tjera në Parlamentin e Kosovës kanë thënë se presin që Kuvendi të mbajë seancën e re gjatë javës së parë të muajit shtator. /Gazeta Express