Ka përfunduar marrja në pyetje e ish-drejtorit të Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.
Pas këtij intervistimi i cili zgjati më shumë se 2 orë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se Krasniqi ka sqaruar deklaratën e dhënë atë kohe në media. Sipas tij, Krasniqi ka thënë se informatat lidhur me vdekjen e Astrit Deharit ia kishte dhënë drejtori i atëhershëm i Burgut, Destan Zogaj, dhe se kjo kishte qenë e vetmja informatë që e kishte Krasniqi në lidhje me vdekjen e Deharit, raporton KTV.
Deri më tani nga Prokuroria Speciale janë intervistuar 14 dëshmitarë ndërsa edhe 3 tjerë pritet të intervistohen.
Në mesin e personave që pritet të intervistohen është edhe Adonis Gashi i cili për momentin sipas raportimit të mediave është në arrati. Gashi ishte njëri prej personave i cili ishte në qeli me Deharin.