Përgatitet mashtrim i madh! Gjuha shqipe nuk zyrtarizohet me ligj, por me ndryshim të kushtetutës

Gjatë ditëve të ardhshme qeveria në seancë do ta shqyrtojë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, që më pas i njëjti të shkojë në Kuvend. Kështu të paktën ka deklaruar Zv/kryeministri Bujar Osmani i cili ka thënë se është i kënaqur që ka konsensus mes shumicës në pushtet lidhur me këtë çështje.
Mirëpo, në fakt, iniciativa të tilla nuk ka munguar as në të kaluarën gjatë kohës që Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë në pushtet. Që të gjitha ka rezultuar të dështuara, ndërkohë që BDI ka vazhduar me përsëritjen e këtij premtimi në çdo cikël zgjedhor.

Në fakt, Qeveria aktuale planifikon avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, e jo zyrtarizimin e plotë të saj, siç ka qenë e paraparë edhe në deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare.
Askush nuk është në gjendje të garantojë se një ligj i tillë , në rast të miratimit të tij, nuk do të shfuqizohej me një shumicë parlamentare si çdo ligj që votohet me shumicë të thjeshtë.

Respektivisht, zyrtarizimi plotësisht i gjuhës shqipe në Maqedoni mund të realizohet vetëm në rast të ndryshimeve kushtetuese për të cilat duhen 2/3 e votave. Në këto rrethana, gjuha shqipe do të konsiderohej gjuhë zyrtare, ekuivalente me gjuhën maqedonase.

Sipas shkrimtarit dhe publicistit Kim Mehmeti, gjuha shqipe mund të zyrtarizohet vetëm me kushtetutë, e jo me ligj.
“Gjatë fushatës parazgjedhore, të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni, premtuan zyrtarizimin e gjuhës shqipe! Sot, ato flasin për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, me çka e përbuzin inteligjencën tonë, duke menduar se nuk e dimë që gjuha zyrtarizohet me kushtetutë, e jo me ligj! Dhe në ndërkohë, arsyetohen se kushtetuta s’mund të ndryshohet shkaku i majorizimit etnik maqedonas, por pa shpjeguar pse me pjesëmarrjen e vet ata e legjitimojnë një parlament dhe një qeveri mospërfillëse ndaj interesave shqiptare?! Mbase pse janë ‘tenderokratë’, të cilët e dinë se kur e gënjen popullin, nuk humb asgjë, por kur e kundërshton sunduesin maqedonas, mbetesh pa poste dhe pa përfitime personale!”, ka shkruar Mehmeti në rrjetin e tij social.

Në deklaratë e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni thuhej se Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, angazhohen për avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues si dhe arritjen e barazisë gjuhësore

“Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, thuhej në një prej pikave të deklaratës./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme