“Përgjimet për shefin e madh, bizhuteritë dhuratë, Audi 003 GB dhe skafi Aura” gabimet e Saimir Tahirit, sipas gjykatësit që e dënoi me 3 vjet e 4 muaj burg

Është zbardhur vendimi prej 280 faqesh që çoi në burg Saimir Tahirin, ish-ministrin e brendshëm që u gjet fajtor për shpërdorim detyre dhe që sot po vuan dënimin në Fier. Pasi ka dëgjuar palët, gjykata ka nxjerrë edhe konkluzionet e saj, të ndara sipas disa momenteve kyçe të gjykimit. Që nga përgjimet e Habilajve dhe shpërndarësve të drogës në Itali, që nga shitja e makinës Audi A8 me targa AA 003 GB dhe tek dhuratat, apo kontaktet me trafikantët, janë rreshtuar në konkluzionet e gjykatës, që mund t’i lexoni të zbardhura më poshtë.


Marrëdhënia e vëllezërve Habilaj dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri

i) Përgjimet mbi “shefin e madh”

788. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se është fakt paqësor dhe si i tillë i pakontestuar dhe i pranuar nga palët dhe të pandehurit në procedim të lidhur se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka lidhje gjinore me vëllezërit Habilaj. Babai i të pandehurit është kushëriri i parë me nënën e vëllezërve Habilaj. Në vlerësimin e Gjykatës, duke pasur parasysh eksperiencën e përbotshme njerëzore, konkludohet se secili prej tyre e di këtë fakt dhe se ato njihen ndërmjet tyre.

789. Megjithatë Gjykata vlerëson se jo apriori kjo njohje presupozon apo prezumon edhe njohjen personale. Për të konkluduar mbi këtë fakt do të duhet që të analizohen provat më vete dhe secila prej tyre në tërësi, në mënyrë që të konkludohet se sa shumë njiheshin, çfarë marrëdhëniesh personale kishin dhe nëse kanë ndikuar këto marrëdhënie personale për të sjellë pasojën kriminale të vazhdimësisë së grupit të strukturuar kriminal dhe ushtrimit të veprimtarisë kriminale të tij në kohë dhe në hapësirë.

790. Nga analiza e provave veç e veç dhe në tërësi Gjykata konstaton se dokumentohet se marrëdhënia e tyre personale shënjohet me datën 06.10.2013, konkretisht në përgjimin e realizuar nga autoritetet italiane të drejtësisë ndërmjet të pandehurve në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, ku ky i fundit i tregon vëllait se ka takuar ‘‘shefin e madh’’. I njëjti takim me të ashtuquajturin “shefi i madh” konstatohet se përsëritet edhe 48 ditë më vonë, konkretisht me datë 23.11.2013, por tashmë ndërmjet z. Artan Habilaj dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.

791. Gjykata sjell në vëmendje se të gjitha të dhënat e fashikullit të gjykimit tregojnë se e vetmja lidhje e rëndësishme dhe më e rëndësishmja që vëllezërit Habilaj kishin ndër funksionarët shtetërorë ishte ajo me të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe se për rrjedhojë ka të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se takimet e të pandehurit z. Florian Habilaj dhe z. Artan Habilaj kanë ndodhur me të pandehurin z. Saimir Tahiri në Tiranë. Megjithatë Gjykata sjell në vëmendje se nuk ka asnjë të dhënë konkrete që të kuptohet se pse këto takime janë kryer, duke pasur parasysh njëkohësisht se afërmendsh këto takime kanë pasur si temë komunikimi edhe aktivitetin kriminal që ushtrohej në hapësirën tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë prej të pandehurve në procedimin e lidhur.

792. Një e dhënë që përftohet nga përmbajtja e përgjimeve është fakti se ato kanë diskutuar në takimin e parë mbi lojërat e faktit, gjë që nuk ka asnjë rëndësi mbi akuzën dhe nuk tregon asgjë në lidhje me faktin penal historik. Megjithatë nga këto të dhëna mundet të përftohet arsyeshëm – por jo tej çdo dyshimi të arsyeshëm – se ndërmjet tyre ka një marrëdhënie personale besimi. Jo tej çdo dyshimi të arsyeshëm sepse duhet që këto indicje dhe gjysmëprova që dokumentojnë se ky fakt historik ka ndodhur të përputhen dhe të konfirmohen dhe me indicje apo prova të tjera.

793. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka pretenduar se është objektivisht i pamundur që fakti i takimit të datës 23.11.2013 të ketë ndodhur ndërmjet z. Artan Habilaj dhe atij, pasi në këtë datë ai tregon se ka ardhur nga Vjena nga një vizitë zyrtare dhe se ka qenë i angazhuar në mbledhje qeverie dhe në takime pune lidhur me një ngjarje ku disa të burgosur ishin arratisur nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata sjell në vëmendje se është i vërtetë dhe provohet fakti se i pandehuri ka ardhur në Shqipëri nga Vjena, pasi sipas dokumenteve të marra nga sistemi TIMS rezulton se ai ka kaluar pikën kufitare Rinas me datë 23.11.2013 në orën 11:22.

794. Por nga ana tjetër ky fakt nuk rrëzon objektivisht mundësinë që takimi të ketë ndodhur në dreke, sikurse z. Artan Habilaj i shpjegon në telefon të pandehurit në procedim të lidhur z Moisi Habilaj, pasi objektivisht është e mundur që të ketë ndodhur takimi në drekë. Lidhur me pretendimet e angazhimeve në mbledhje qeverie dhe takime pune për ngjarjen e arratisjes së të burgosurve Gjykata konstaton se nuk provohen këto rrethana në fashikullin e gjykimit dhe se këto pretendime të të pandehurit mbeten të paprovuara. Gjykata sjell në vëmendje se ka diçka të papërputhshme në realitetin objektiv të këtij përgjimi, pasi z. Artan Habilaj flet se është për drekë me të pandehurin dhe ndërkohë ora e këtij komunikimi është 19:53, gjë që sipas eksperiencës njerëzore të përbotshme dhe si të tillë universalisht të pranueshme ky orar duhet të përkojë me darkën.

ii) Automjeti Audi A8

795. Fakti tjetër që tregon marrëdhënien e afërt dhe të qëndrueshme në kohë dhe në hapësirë ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe vëllezërve Habilaj është shitja e automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB me datë 05.11.2013. Kjo kontratë është realizuar me palë shitëse të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe palë blerëse z. Artan Habilaj. Automjeti rezulton se është blerë në shkurtin e vitit 2013 për vlerën 21.000 Euro, ndërkohë që i pandehuri ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, dhe se ka përfituar autorizimin për përjashtimin nga taksat doganore sipas parashikimeve ligjore për statusin e deputetit, duke qenë ky dokument pjesë përbërëse e dosjes përkatëse të mjetit në drejtorinë e shërbimit të transportit rrugor përkatëse. Automjeti është shitur në shumën 980.000 Lekë.

796. Nga shpjegimet e të pandehurit në gjykimin në apel rezulton se, çmimi i shitjes ka qenë ndjeshëm më i ulët se sa çmimi i blerjes, pasi automjeti ka pasur një defekt në sistemin e kamios. Në kontratën e shitjes ndër të tjera shitësi, z. Saimir Tahiri, ka garantuar blerësin se sendi nuk ka barrë ligjore dhe se nuk është objekt i ndonjë kredie bankare apo bllokimi tjetër administrativ e financiar. Shitësi e ka garantuar blerësin ndër të tjera që mund të lëvizë lirisht me mjetin brenda dhe jashtë Shqipërisë.

797. Në përgjimin ambiental të datës 13.01.2014 të realizuar nga autoritetet italiane rezulton se ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një bashkëbiseduesi të paidentifikuar është sqaruar arsyeja e blerjes së automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB, përgjim i bërë në automjetin Mercedes Compressor në përdorim të z. Moisi Habilaj. Ndër të tjera bashkëbiseduesi i paidentifikuar e pyet z. Enea Sulaj nëse e shet apo jo automjetin AA 003 GB i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe nga biseda del se mjetin e ka blerë në të vërtetë z. Moisi Habilaj. Kësaj pyetje z. Enea Sulaj i përgjigjet se Audin A8 nuk e shet z. Moisi Habilaj dhe se ‘‘në fillim do të blejë detyrën (nënkuptuar si një rol social)’’.

798. Nga këqyrja e të dhënave në dosjen përkatëse të mjetit rezulton se në Urdhrin nr. 703/1 prot., datë 16.04.2013 të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Drejtoria Rajonale Tiranë, është urdhëruar Arshiva e Degës së Regjistrimit të Mjeteve që të bëjë bllokimin e veprimeve me dokumentacionin e administruar në dosjen e mjetit, duke mos kryer veprimet e ndërrimit të pronësisë, transferimin në ndonjë rreth tjetër, duke i u referuar sakaq shkresës nr. 2155 prot., datë 03.04.2013 të shërbimit përmbarimor, e cila kishte dalë si veprim përmbarimor gjatë ekzekutimit të detyrueshëm të një titulli ekzekutiv me kreditor znj. Argita Malltezi dhe z. Shkëlzen Berisha dhe me debitor z. Saimir Tahiri.

799. Pavarësisht shitjes së sendit, leja e qarkullimit e automjetit ka mbetur e pandryshuar në pjesën e identifikimit të pronarit të sendit, konkretisht e të pandehurit z. Saimir Tahiri, deri me datë 15.01.2016. Rezulton se pavarësisht se sendi ishte shitur, i pandehuri nuk ka humbur lidhjet me të në vijim, pasi ky fakt provohet edhe nga dokumenti Polica e Sigurimit të Detyrueshëm nr. 1642079 e z. Saimir Tahiri për mjetin me targa AA 003 GB. Kjo policë sigurimi ka si periudhë mbulimi nga Gushti i vitit 2015 deri në Gushtin e vitit 2016. Ndërkohë ka rezultuar se për këtë automjeti ka pasur edhe një policë tjetër sigurimi të detyrueshëm mjeti motorik, konkretisht Polica e Sigurimit me nr. serie 0135116, për automjetin Audi A8, me targa AA 003 GB. Kjo policë rezulton se mbulon periudhën 02.04.2015 deri me 01.04.2016 dhe është lëshuar në emër të z. Saimir Tahiri dhe z. Artan Habilaj.

800. Nga të dhënat e marra nga sistemi TIMS rezulton se, edhe pse sendi është shitur, sërish ai është përdorur nga shitësi, i pandehuri z. Saimir Tahiri. Rezulton se i pandehuri ka udhëtuar jashtë kufijve të Shqipërisë: 1) Në datën 16.08.2014 me hyrje në Greqi; 2) në datën 30.08.2014 nga Kapshtica; 3) në datën 03.09.2014 me ardhje nga Greqia.

801. Nga ana tjetër rezulton se mjetin Audi A8 e ka përdorur edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Rasti i parë i provuar nga sistemi TIMS është tre ditë pas realizimit të kontratës së shitjes, konkretisht me datë 08.11.2013, udhëtim në të cilin ka qenë së bashku me bashkëpunëtorin pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, z. Sabaudin Çela. Rasti i dytë ka ndodhur në funksion të ekzekutimit të episodit të dytë të trafikimit të lëndës narkotike, konkretisht episodi “Palagonia” i datës 28.02.2014, udhëtim në të cilin i pandehuri në procedim të lidhur e ka kryer me bashkëpunëtorin pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, z. Sabaudin Çela. Ato janë nisur me datë 23.02.2014 nga Durrësi dhe kanë mbërritur në Bari me datë 24.02.2014 dhe me këtë mjet kanë mbërritur në Lentini, Katania, në vendin ku qëndronin gjatë kohës kur ishin në Itali.

802. Më tej ky mjet rezulton të mos jetë përdorur më, pasi çdo ditë ato rezultojnë të ketë përdorur automjetin Fiat, tek i cili autoritetet italiane të drejtësisë kishin vendosur përgjuesin ambiental. Gjatë qëndrimit në Itali nga data 24.02.2014 deri në datë 03.03.2014 ato janë kujdesur për të gjitha punët e marrjes së pagesave dhe interesimit për dërgesën e lëndës narkotike në masën 289.7 kilogramë, sasi lënde narkotike e kapur dhe e sekuestruar nga autoritetet italiane. Rezulton se në rrugën e kthimit në Shqipëri ato kanë përdorur pikërisht automjetin Audi A8.

803. Është pikërisht ky udhëtimi kur autoritetet italiane kanë zbuluar dhe identifikuar se kush është personi i fuqishëm që kanë lidhje në Shqipëri trafikantët e lëndës narkotike, pasi kanë administruar të gjithë praktikën dokumentare të imbarkimit të tragetit në portin e Barit me datë 24.02.2014, duke zbuluar sakaq identitetin e subjektit të identifikuar si “Saimiri” dhe njeriut të pushtetshëm, të cilin përgjimet e trafikantëve e kishin përmendur disa herë si mbështetja e tyre shtetërore në realizimin e aktivitetit kriminal. Në këtë moment autoritetet italiane kanë verifikuar burimet e hapura dhe kanë konstatuar se ky automjet është i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë dhe se ky administrim i çuditshëm i automjetit nga ana e vëllezërve Habilaj, të afërm të tij, e kanë përfshirë atë në një skandal ku akuzohej për bashkëpunim me ta.

804. Nga ana tjetër rezulton se blerësi i automjetit, z. Artan Habilaj, në dhjetorin e vitit 2015, e ka përdorur atë 12 herë për lëvizje jashtë shtetit. Ai ka shpjeguar, gjatë pyetjes së bërë nga prokurori në procedimin penal “Zagani” të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, se automjetin e ka marrë që në tetor sepse i ka pëlqyer dhe se atë i a ka treguar si mundësi dhe si ofertë z. Kujtim Tahiri, i cili ka rezultuar si fakt paqësor dhe i pranuar nga të gjithë se është ungji i të pandehurit z. Saimir Tahiri. Më tej ai ka sqaruar se e ka lidhur kontratën, se me të pandehurin nuk ka lidhje apo kontakte personale, se janë kushërinj të largët dhe se përmes ungjit të tij i a ka dhënë dy herë automjetin për ta përdorur i pandehuri, duke i a kthyer sërish ungji i të pandehurit në Vlorë. Ai tregon se automjetin e ka përdorur edhe vëllai z. Moisi Habilaj dy herë dhe vëllai z. Florian Habilaj për arsye familjare. Ai ka treguar se është interesuar në drejtorinë e shërbimeve të transportit rrugor Tiranë për të ndryshuar lejen e qarkullimit të automjetit dhe për rrjedhojë pronësinë mbi sendin dhe se ka marrë dijeni se ky veprim nuk mundet të kryhet për shkak të bllokimit përmbarimor të veprimeve me sendin dhe procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm. Ai tregon se i ka dërguar haber me ungjin të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe se ai i ka thënë që të mos shqetësohet sepse do ta rregullojë ai këtë çështje. Ai ka deklaruar se ‘‘nuk bëhet fare’’ me kushëririn e tij të pandehurin z. Saimir Tahiri.

805. Nga deklarimet e të pandehurit në procedimin e lidhur z.. Florian Habilaj ai pranon se e ka përdorur automjetin dhe se automjetin e ka blerë vëllai i tij z. Artan Habilaj. Ai sqaron se e ka marrë automjetin ndonjë herë për të bërë xhiro. Ai ka deklaruar se të pandehurin z. Saimir Tahiri e ka kushëri të largët nga mamaja dhe se me të nuk bëhen fare si familje.

806. Ndërkohë i pyetur mbi këtë fakt, i pandehuri në procedimin penal të lidhur, z. Moisi Habilaj ka deklaruar se ka dijeni mbi blerjen e automjetit nga vëllai i tij z. Artan Habilaj dhe se nuk e ka regjistruar në emër të tij për shkak të një bllokimi administrativ. Ai ka deklaruar se nuk e di çmimin e blerjes dhe nuk e di nëse vëllai i tij z. Artan Habilaj e njeh apo jo personalisht të pandehurin z. Saimir Tahiri.

807. Nga ana tjetër z. Kujtim Tahiri, ungji i të pandehurit, në dhjetorin e vitit 2015 ka deklaruar se automjetin ka dashur ta marrë për vete, në kushtet kur vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri donte ta shiste sendin pasi tashmë ai kishte automjetin e punës, por se nuk e ka blerë dot dhe se i a ka propozuar ta blinte i afërmi i tij, z. Artan Habilaj, i cili pas provës që i ka bërë në Fier, ku e ka dërguar vetë ungji i të pandehurit, ka vendosur ta blejë. Kjo periudhë, sipas deklaruesit, ka qenë shtatori apo tetori i vitit 2013 dhe se sendi është marrë në përdorim nga blerësi i ardhshëm më parë dhe se më pas është bërë kontrata e shitjes ndërmjet tyre. Ai ka deklaruar se nipi i tij dhe kushëriri nuk takoheshin personalisht dhe se automjetin të pandehurit, në rastin kur ai ka pasur babanë sëmurë dhe duhet të lëviznin jashtë shtetit, e ka marrë ai në Vlorë dhe e ka dërguar ai në Vlorë, në shërbim të nipin të tij.

808. Nga ana tjetër vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri ka deklaruar dy herë që është pyetur, në procedimin penal “Zagani” dhe në procedimin penal objekt gjykimi, se vëllezërit Habilaj i ka kushërinj të largët dhe se nuk kujton se ka pasur asnjë kontakt me to. Ai ka deklaruar se të pandehurit në procedim të lidhur nuk i ka takuar ndonjëherë dhe se z. Artan Habilaj e ka takuar vite më parë ‘‘nja dy herë’’, por se kur nuk i kujtohet saktësisht. Ai ka sqaruar në parashtrimet e tij se automjetin e ka përdorur jashtë shtetit disa herë për arsye etike, që të mos përdorte për qëllime personale automjetin e detyrës shtetërore që mbante. Ai ka shpjeguar se arsyeja e përdorimit pikërisht të këtij mjeti ka qenë fakti se leja e qarkullimit dhe polica e sigurimit ishte akoma në emrin e tij.

809. Me shkresën nr. 6053/1 prot., datë 29.12.2015 të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë është përcjellë urdhri i zhbllokimit, duke u urdhëruar të bëhet zhbllokimi i veprimeve me dokumentacionin e administruar në dosjen e mjetit me targa AA 003 GB, duke kryer veprime si ndërrim pronësie, transferim në ndonjë rreth tjetër dhe çregjistrim të përhershëm. Ky urdhër zhbllokimi është bazuar në shkresën nr. 11645 prot., datë 24.12.2015 të shërbimit përmbarimor, sipas nenit 527 të Kodit të Procedurës Civile. Me datë 15.01.2016 është lëshuar leja e qarkullimit për këtë automjet në emër të z. Artan Habilaj, duke marrë targat AA 900 NF. Në emër të tij është bërë edhe certifikata e kontrollit fizik të mjetit me datë 15.01.2016.

810. Kjo do të thotë se titullariteti dokumentar i pronësisë në regjistrat e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë dhe leja e qarkullimit në emrin e të pandehurit z. Saimir Tahiri për automjetin që ka marrë në pronësi z. Artan Habilaj, që e kanë përdorur ndërkohë edhe i pandehuri z. Saimir Tahiri, edhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habiaj, ka mbetur i pandryshuar nga momenti i realizimit të kontratës së shitjes për një periudhë 2 vjet dhe 71 ditë. Ndërkohë që nga muaji tetor, kur dëshmohet nga z. Kujtim Tahiri dhe z. Artan Habilaj se sendi është marrë faktikisht në posedimin e z. Artan Habilaj, rezulton se ka kaluar një kohë përafërsisht 2 vjet dhe 3 muaj.

811. I pyetur nga Gjykata se çfarë veprimesh konkrete ka ndërmarrë i pandehuri sipas zotimit që dëshmon z. Artan Habilaj se ai ka marrë për heqjen e bllokimit përmbarimor në lejen e qarkullimit, i pandehuri z. Saimir Tahiri në gjykimin për së dyti në apel është përgjigjur se nuk ka vepruar menjëherë për shkak se nuk kishte mjete monetare për të shlyer detyrimin e titullit ekzekutiv ndaj fëmijëve të ish kryeministrit dhe se kjo kohë ka kaluar, pasi atij i është dashur të kërkojë marrjen e një kredie, ta marrë atë dhe më tej të shlyejë detyrimin.

812. Në fashikullin e gjykimit nuk ka asnjë të dhënë të tillë. Në fashikullin e gjykimit nuk ka asnjë informacion për arsyen se pse është hequr bllokimi përmbarimor me datë 24.12.2015, vetëm është sjellë në vëmendje nga ana e shërbimit përmbarimor se ky urdhër i dytë i tyre ka ardhur si pasojë e zbatimit të nenit 527 të Kodit të Procedurës Civile dhe se kjo bazë ligjore nuk tregon asgjë për arsyen faktike apo juridike të heqjes së sekuestros përmbarimore.

813. Ka rezultuar e provuar nga dokumentet dhe dëshmitë gjithashtu se z. Artan Habilaj i ka shërbyer personalisht të pandehurit z. Saimir Tahiri përmes mjetit Audi A8 herën e parë me datë 09.08.2014 dhe në kthim me datë 10.08.2014. Në këtë udhëtim me dy automjete, automjetin Audi A8 dhe automjetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai ka dërguar bashkë me shoferin nëpunës në Ministrinë e Brendshme, z. Alban Alia, fëmijët e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, znj. Elona Gjebrea (Hoxha) dhe fëmijën dhe prindërit e Ministrit të Punëve Brendshme, të pandehurit z. Saimir Tahiri, duke i transportuar nga Shqipëria në Greqi, në vendin ku familja Tahiri dhe Hoxha po kalonin pushimet e verës. Z. Alban Alia në dëshminë e tij ka treguar se në kthim kanë ndaluar, të lodhur, dhe kanë fjetur në një hotel rrugës në territorin grek dhe se ndaj shpjegohet se pse kanë ardhur një ditë më vonë. Nuk ka të dhëna që të provojnë në fashikull se kush i ka paguar shpenzimet e udhëtimit, të ushqimit, pijeve dhe të fjetjes.

814. Ka rezultuar gjithashtu se, katër ditë më vonë, konkretisht me datë 15.08.2014, me porosi dhe kërkesë të vetë të pandehurit z. Saimir Tahiri, z. Artan Habilaj ka vënë në dispozicion të të pandehurit dhe familjes së tij kohën, shërbimet dhe automjetin tij. Sipas dëshmisë së mekanikut nëpunës në Gardën e Republikës, institucion varësie i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Naim Brahimaj, rezulton se Ministri i Punëve të Brendshme e ka kontaktuar atë për defektin e mjetit lundrues ‘‘Auras’’ dhe se i ka thënë që do të kontaktojë dikush. Ai ka dëshmuar se menjëherë e ka marrë në telefon z. Artan Habilaj dhe kanë planifikuar më tej të nisen në Greqi. Rrugën e kanë bërë me mekanikun tjetër, z. Aurel Konakçiu dhe me shofer z. Artan Habilaj me automjetin Audi A8, me targa AA 003 GB. Ai tregon se z. Artan Habilaj orientohej shumë mirë dhe se i ka çuar drejt e në vend, duke shpjeguar se u takuan me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe familjen e tij dhe të Zëvendësministres, kanë drekuar të gjithë së bashku, kanë bërë të gjithë së bashku xhiro me skaf, kanë darkuar të gjithë së bashku dhe të nesërmen, pas ngrënies së mëngjesit të përgatitur nga familja Tahiri dhe Hoxha, kanë lënë automjetin Audi A8 për familjen e Ministrit të Brendshëm dhe se së bashku me z. Artan Habilaj dhe z. Aurel Konakçiu pas mëngjesit janë nisur me skaf nga Greqia dhe kanë mbërritur rreth orës 11:00 të mbrëmjes në Triport në Vlorë, ku kanë ankoruar mjetin lundrues dhe z. Artan Habilaj i ka paguar transportin për kthimin në shtëpi. Kthimi është bërë me datë 16.08.2014.

815. Nga ana tjetër rezulton se nuk dokumentohet më asnjë shërbim i tillë i ofruar nga z. Artan Habilaj për të pandehurin z. Saimir Tahiri pas datës 03.09.2015, ditë në të cilën në media u bë publikua intervista e z. Dritan Zagani. Nga ky moment, pas 77 ditësh, konkretisht me datë 24.12.2015, ka dalë urdhri i shërbimit përmbarimor për zhbllokimin e veprimeve administrative mbi lejen e qarkullimit të automjetit. Më tej, 22 ditë më vonë nga data e zhbllokimit përmbarimor dhe 99 ditë nga intervista mediatike e z. Dritan Zagani, konkretisht me datë 15.01.2016, është realizuar edhe ndryshimi i lejes së qarkullimit të automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB.
816. Nuk rezulton as një e dhënë që mjeti Audi A8 të ketë shërbyer si mjet transporti për lëndën narkotike. Nuk rezulton më asnjë e dhënë të marrëdhënies ndërpersonale të z. Artan Habilaj dhe z. Saimir Tahiri e krijuar mbi këtë mjet që prej publikimit të intervistës së z. Dritan Zagani në media.

817. Nga të gjitha këto të dhëna Gjykata, sipas nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale, nxjerr disa konkluzione si vijon:

– Blerja e mjetit AA 003 GB dhe zotëruesi faktik i saj është z. Artan Habilaj dhe zotëruesi apo blerësi i këtij sendi nuk është i pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, i cili e ka përdorur dy herë dhe jo për arsye familjare, sikurse dëshmon z. Artan Habilaj, por për të realizuar dy udhëtime jashtë shtetit të dokumentuara me një ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, z. Sabaudin Çela, ku një prej këtyre udhëtimeve ka qenë në Itali për të mbyllur llogaritë kriminale financiare të trafikimit të lëndës narkotike dhe për të pritur ekzekutimin e episodit të trafikimit të lëndës narkotike në “Palagonia”;

– Mjetin e ka përdorur disa herë edhe i pandehuri në procedimin e lidhur z. Florian Habilaj për të bërë xhiro në Vlorë dhe jo sikurse sqaron z. Artan Habilaj për arsye familjare;

– Z. Artan Habilaj i ka shërbyer me kohë, shërbime dhe shpenzime të pandehurit z. Saimir Tahiri, atëbotë me cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, duke i dhënë mjetin tre herë për përdorim, duke u bërë shoferi i tij për transportin e familjarëve të tij dhe të Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, duke u bërë shoferi i tij për të transportuar mekanikët e rregullimit të mjetit lundrues “Auras” në Greqi dhe duke u kujdesur për kthimin e mjetit lundrues në Shqipëri dhe heqjen e shpenzimeve të rrugës për kthimin në shtëpi të mekanikut z. Naim Brahimaj;

– Arsyeja e blerjes së mjetit nga z. Artan Habilaj dhe mosinteresimi për rreth 2 vjet për të ndryshuar titullaritetin mbi të në lejen e qarkullimit është pikërisht përfitimi për të dhe vëllezërit e tij, në kushtet kur provohet se ai e dinte se me çfarë aktiviteti kriminal merreshin ato, i paprekshmërisë nga ana e forcave të policisë vendore Vlorë dhe përdorimi i tij si kredencial për besueshmëri, impresionim dhe imponim tek të tretët, qoftë subjekte private apo shtetërore, duke u prezantuar sakaq publikisht si të mbrojturit nga pushteti i Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë dhe njëkohësisht duke mos e shqetësuar aspak fakti që sendi është shitur me të meta juridike, nën një kontratë që shitësi ka pasqyruar të dhëna të rreme në përmbajtjen e saj lidhur me kufizimin përmbarimor, gjë që rriskonte potencialisht deri në humbjen e pronësisë mbi sendin e blerë;

– Blerja e automjetit nga ana e z. Artan Habilaj është bërë edhe me vullnetin e z. Moisi Habilaj dhe me vullnetin e vëllait tjetër z. Florian Habilaj dhe se ky fakt është përdorur prej tyre për të fituar imunitetin, impresionin dhe kredencialet e nevojshme në realizimin e aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal qoftë tek subjektet private dhe funksionarët shtetërorë të tjerë, të njohur dhe të panjohur në këtë proces, me të cilët ato kanë hyrë në marrëdhënie;

– Fakti i blerjes së automjetit dhe përdorimit të automjetit të Ministrit të Brendshëm nga pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal atëbotë ka bindur akoma më shumë dhe ka përforcuar dhe inkurajuar vullnetin e tyre për intensifikimin dhe zhvillimin e aktivitetit kriminal në kuadër të këtij formacioni kriminal të strukturuar;

– Ndryshimi i lejes së qarkullimit vetëm pasi u bë publike mediatikisht intervista e z. Dritan Zagani dhe mosmarrja e asnjë veprimi nga të dyja palët blerëse dhe shitëse për ta mundësuar ndryshimin e titullaritetit formal të mjetit, për rreth 1 vit dhe 10 muaj deri në momentin e publikimit të intervistës, tregon se asnjëra prej palëve nuk ka pasur interes që një gjë e tillë të ndodhë;

– Ka mospërputhje të deklarimeve të arsyes se pse është shitur mjeti tek z Artan Habilaj, sikur sqarohet nga z. Kujtim Tahiri, dhe arsyen se pse një gjë e tillë ka ndodhur sipas deklarimeve të vetë të pandehurit z. Saimir Tahiri;

– Z. Kujtim Tahiri, z. Artan Habilaj dhe vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk tregojnë të vërtetën e marrëdhënieve personale ndërmjet të pandehurit dhe z. Artan Habilaj;

– E gjithë historia e marrëdhënies së realizuar ndërmjet z. Artan Habilaj dhe z. Saimir Tahiri tregon një marrëdhënie të qëndrueshme të tyre në kohë dhe në hapësirë dhe ndërpersonale që prej të paktën datës 05.11.2013, kur mjeti është shitur, dhe deri në fundin e vitit 2014.
818. Lidhur me qëllimin e shitjes së sendit nga i pandehuri, Gjykata konkludon se nga të dhënat e dosjes, konkretisht nga shpjegimet e dhëna nga ungji i të pandehurit, z. Kujtim Tahiri, rezulton se sendi automjet personal është shitur pasi tashmë i pandehuri kishte në posedim automjetin e punës. Por një gjë e tillë është shpjeguar ndryshe nga i pandehuri, i cili ka deklaruar se nuk e ka përdorur automjetin e punës për qëllime personale për shkaqe etike dhe ndaj ka vendosur që për udhëtimet për qëllime personale të marrë automjetin e z. Artan Habilaj.

819. Nga ana tjetër rezulton se deri me datë 03.09.2015, ditë kur u publikuar intervista e z. Dritan Zagani, nuk ka asnjë provë që t’i kundrejtojë dijeninë të pandehurit z. Saimir Tahiri mbi aktivitetin kriminal me të cilin merrej grupi i strukturuar Habilaj. Nga ana tjetër pas kësaj date nuk provohet që të jetë marrë ndonjë veprim konkret nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshëm atëbotë kundrejt këtij fakti të bërë publik mbi veprimtarinë e kushërinjve të tij në Vlorë, të cilët përdornin automjetin e shitur prej tij dhe pa leje qarkullimi të përditësuar sipas kontratës së shitjes së datës 05.11.2013.

820. Në funksion të arritjes së konkluzionit mbi marrëdhëniet ndërpersonale të të pandehurit me vëllezërit Habilaj, Gjykata vlerëson të nevojshme të sjellë në vëmendje edhe faktin se marrëdhënia e tyre është dokumentuar në fashikullin e gjykimit të ketë vijuar edhe pasi procedimi penal ka nisur kundër tyre dhe pasi i pandehuri nuk e ushtronte më funksionin publik. Kështu rezulton nga përgjimet e realizuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda se me datë 17.09.2017 është zhvilluar një bisedë ndërmjet ungjit të të pandehurit, konkretisht z. Kujtim Tahiri, dhe z. Artan Habilaj, ku ungji i të pandehurit ka negociuar në emër të të pandehurit për të lënë një takim ndërmjet të pandehurit dhe z. Artan Habilaj. Ndërkohë me datë 18.09.2017 në përgjimin e realizuar ndaj z. Artan Habilaj rezulton se takimi është kryer. Nuk ka të dhëna për shkakun takimit dhe bisedën e kryer.

821. Sigurisht ky fakt i dokumentuar në dosje nuk lidhet më me bashkëpunimin e posaçëm që akuza ka në përmbajtje dhe se nuk lidhet më as edhe me elementin e automjetit Audi A8 si fakt që ka treguar mbi zhvillimin e marrëdhënies ndërpersonale ndërmjet të pandehurit dhe vëllezërve Habilaj. Megjithatë Gjykata e mban parasysh këtë fakt vetëm për të vlerësuar kohëzgjatjen dhe cilësinë e marrëdhënieve ndërpersonale që provohen të kenë ekzistuar ndërmjet të pandehurve dhe vëllezërve Habilaj nga viti 2013 dhe deri në vitin 2017.

822. Gjykata sjell në vëmendje se, nga fashikulli i procedimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier rezulton se ka qenë pikërisht ai, sikurse vetë i pandehuri e pranoi në seancën gjyqësore në gjykimin në apel pas një pyetje të drejtuar nga gjykata mbi këtë fakt, që ka paraqitur me cilësinë e provës në prokurori dy kërkesa për përgjim parandalues ndaj të dyshuarit si trafikant i lëndës narkotike të Lazaratit, z. Arben Dalipi, me qëllim që të tregonte masat e marra nga ai në drejtim të ndjekjes penale të këtij grupi të vlerësuar kriminal. Ndërkohë nuk rezulton që të jetë kërkuar apo të jetë mbajtur e njëjta praktikë pune në kuadër të zbatimit të nenit 8 të Ligjit Nr. 9157/2003 “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”, i ndryshuar, ndaj kushërinjve të tij të denoncuar publikisht në media.

823. Në seancë gjyqësore në gjykimin në apel pyetjes së gjykatës i pandehuri i u përgjigj se nuk e dinte nëse ka nënshkruar apo jo kërkesa për përgjim parandalues ngaj vëllezërve Habilaj drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, duke shtuar se kërkesat ai nuk i lexonte dhe se vetëm i nënshkruante sa herë që e kërkonte administrata e tij sipas rastit, duke shtuar se nëse ka kërkesa të tilla të nënshkruara nga ai do të ishte i lumtur.

824. Gjykata e vlerëson këtë shpjegim jo të arsyeshëm, duke pasur parasysh natyrën e akuzave publike të bëra në drejtim të tij nga një oficer i policisë gjyqësore që kishte punuar në Vlorë dhe në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe se për rrjedhojë konkludon se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm tjetër mungesa e diligjencës së të pandehurit për të ndërmarrë çdo veprim ligjor të mundshëm brenda kompetencave të tij për të verifikuar me çdo agjenci ligjzbatuese të shtetit se si qëndron e vërteta mbi aktivitetin e kushërinjve të tij në Qarkun e Vlorës, njërit ndër të cilëve u kishte shitur në datë 05.11.2013 automjetin personal dhe për të cilin kishte dijeni të plotë se përdorej nën lejen e qarkullimit që tregonte pronësinë mbi mjetin të Ministrit të Punëve të Brendshme.

825. Përkundër kësaj diligjence të munguar dhe të pamundur nga aktet e fashikullit të gjykimit që të provohet e kundërta, fakt është që:

– nga data 03.09.2015, ku u bë mediatike dhe publike intervista e z. Dritan Zagani, deri në datën 19.03.2017, ku ka përfunduar së ushtruari detyrën e Ministrit të Brendshëm i pandehuri z. Saimir Tahiri, kanë kaluar gjithsej 1 vit dhe 10 muaj dhe 16 ditë;

– nga data 03.09.2015 deri me datë 29.04.2017, kur është bërë referimi penal në Prokurorinë për Krimet e Rënda ndaj grupit të strukturuar kriminal Habilaj, kanë kaluar gjithsej 1 vit e 11 muaj dhe 26 ditë;

– nga data 03.09.2015 dhe deri në datën 18.10.2017 në episodin “Koçerri”, kanë kaluar 2 vjet e 5 muaj e 15 ditë, datë kjo e fundit në të cilën shënohet fundi i aktivitetit të paligjshëm të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.

826. Në këto rrethana Gjykata vlerëson se arrihet në konkuzionin se i pandehuri z. Saimir Tahiri e ka ditur që më parë se me çfarë aktiviteti të paligjshëm merreshin kushërinjtë e tij në Vlorë. Në këto rrethana Gjykata vlerëson se i vetmi mjet ndihme i drejtpërdrejtë që kanë arritur të provojnë hetimet kundrejt të pandehurit z. Saimir Tahiri është pikërisht shitja e automjetit, i cili shndërrohet në mjet ndihme me faktin pasues të mosndryshimit të lejes së qarkullimit për më shumë se dy vjet pas shitjes. Në këto kushte mbetet të analizohet nëse mjafton ky veprim aktiv dhe mosveprim i të pandehurit për t’u konsideruar si ndihmë dhe kontribut në realizimin e aktivitetit kriminal të grupit të strukturuar kriminal Habilaj, sipas pikës 5 të nenit 26 të Kodit Penal.

827. Gjykata vlerëson se, që të arrihet në konkluzionin se një funksionar i tillë shtetëror është pjesëtar dhe bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal duhet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm relevanca dhe vazhdimësia e ndihmës së dhënë përgjatë kohës fizike në të cilën grupi kryen aktivitet të paligjshëm. Gjykata vlerëson se në rastin konkret shitja e automjetit dhe mosmarrja e masave të nevojshme për të ndryshuar lejen e qarkullimit mundet të konkludohet se ka qenë një mjet ndihme për ekspansionin kriminal të grupit të strukturuar kriminal Habilaj por se ekzistenca e vetëm këtij elementi ndihme relativizohet dhe marxhinalizohet me kohën dhe se nuk mundet të jetë e arsyeshme të mendohet se Ministri i Punëve të Brendshme është bërë pjesë e grupit të strukturuar kriminal duke i shitur automjetin vëllait të kreut të grupit kriminal.

828. Gjykata vlerëson se shitja e automjetit do të duhet të shërbente si element shoqërues i një forme të posaçme të dhënies së ndihmës nga ky subjekt i posaçëm, sikurse është Ministri i Punëve të Brendshme, fakt i cili duhet të shoqërojë në çdo rast porositë, urdhrat, udhëzimet, nxitjen, shantazhin, presionin, ndikimin e paligjshëm, ndërmjetësinë apo përdorimin e pushtetit të më lartë ekzekutiv të këtij institucioni për të ndikuar tek autoritetet policore vendore Vlorë apo autoritetet e tjera shtetërore që janë kompromentuar nga aktiviteti kriminal Habilaj për realizimin praktik të veprimtarisë së paligjshme mbi lëndët narkotike.

829. Gjykata nuk gjen arsye për të konkluduar se shitja e automjetit Audi A8 nga i pandehuri tek z. Artan Habilaj ishte akt ndihme në vetvete. Ky akt, i shoqëruar edhe me mosndryshimin prej 2 vjet të titullaritetit të pronësisë mbi mjetin, në vlerësimin e Gjykatës nuk mundet të vlerësohet si kontribut shkakësor, për të konkluduar sakaq se, sipas nenit 13 të Kodit Penal, veprimtaria kriminale e kultivimit dhe e trafikimit të lëndëve narkotike nga grupi i strukturuar kriminal Habilaj është mundësuar nga shitja e automjetit dhe mosndryshimi i titullaritetit mbi të.

830. Nuk mundet të konkludohet logjikshëm në të kundërtën e kësaj mënyre të perceptimit të këtij fakti qoftë edhe nga e dhëna e përcaktimit të një çmimi disafish më të ulët të shitjes së automjetit në nëntori 2013 se sa ai i blerjes së tij në shkurtin e po atij viti. Vëllezërit Habilaj, duke pasur parasysh motivin dhe qëllimin e këtij investimi për llogari të aktivitetit të tyre, kanë qenë të gatshëm ta blejnë qoftë edhe disafish më shumë se sa çmimi i vërtetë.

831. Gjykata vlerëson se shitja bëhet fakt dhe provë për ta perceptuar si akt ndihme në momentin kur shoqërohet me mungesën e vullnetit dhe diligjencës për të ndryshuar titullaritetin formal të pronësisë në lejen e qarkullimit, megjithëse ishte krejt e mundur që të shlyhej detyrimi i titullit ekzekutiv që e mbante të bllokuar në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm veprimet administrative të drejtorisë së shërbimeve të transportit rrugor përkatëse.

832. Gjykata në këtë mënyrë bindet se vëllezërit Habilaj e kanë bërë këtë investim me ndërgjegje të plotë për ta kapitalizuar në aktivitetin e tyre të paligjshëm dhe për të rritur kredencialet e autoritetit të tyre tek të tretët persona privatë dhe shtetërorë. Nga ana tjetër Gjykata bindet se i pandehuri me ndërgjegje e ka lejuar që një gjë e tillë të ndodhë, edhe pse e ka ditur dhe ka pasur mundësi të dinte se si dhe pse mundet të përdoren simbolikisht posedimi dhe përdorimi i mjetit nga vëllezërit Habilaj në Shqipëri. Pikërisht ky veprim dhe mosveprim njëkohësisht i të pandehurit mbahet parasysh nga ana e Gjykatës për të vlerësuar etikën e qëndrimit të tij në detyrë, mbajtjen e kontakteve të papërshtatshme, ushtrimin e detyrës sipas detyrimeve ligjore të integritetit moral dhe profesional dhe plotësimin e standardeve ligjore që Kushtetuta dhe ligji kërkojnë për staturën funksionare dhe etatiste të Ministrit të Punëve të Brendshme përballë detyrimeve që i imponohen atij sipas detyrave kushtetuese dhe ligjore.

833. Gjykata sjell në vëmendje se kontributi i ndihmësit në bashkëpunimin e posaçëm, në mënyrë që ta shquajë subjektin kontributor në pjesëtar të formacionit kriminal dhe njëherazi bashkëpunëtor të brendshëm, do të duhet detyrimisht të ketë rëndësi në zhvillimin e aktivitetit kriminal dhe të jetë shkakësor, që do të thotë se mungesa e kësaj ndihme do të pamundësonte apo vështirësonte zhvillimin e veprimtarisë kriminale të grupit apo do të vështirësonte ekzistencën e vetë grupit. Në rastin konkret nuk mundet të konkludohet arsyeshëm e aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike është lejuar nga forcat policore të Vlorës dhe nga funksionarët e tjerë shtetëror të përfshirë në këtë aktivitet për shkak të shitjes së automjetit Audi A8 nga i pandehuri Ministër i Punëve të Brendshme atëbotë tek vëllai i kreut të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.

834. Nuk provohet që ky mjet të ketë shërbyer për kultivimin e lëndës narkotike apo për trafikimin e saj dhe me të të jetë shmangur kontrolli policor. Aq më pak nuk mundet të konkludohet arsyeshëm se mosndryshimi i titullaritetit të pronësisë nga data 05.11.2013 deri në datë 15.01.2016 i automjetit Audi A8 ka kontribuar në zhvillimin e aktivitetit kriminal të grupit Habilaj. Përdorimi i këtij mjeti në udhëtimin në Itali të të pandehurit z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela në episodin “Palagonia” nuk tregon se është përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale. Ato kanë siguruar transportin e ligjshëm nga Shqipëria në Itali dhe janë kthyer. Mjeti që është përdorur nga ata për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme ka qenë automjeti Fiat ku ka qenë edhe përgjuesi ambiental i vendosur nga autoritetet italiane. Nga ana tjetër nuk ka asnjë të dhënë që mundet t’i kundrejtohet të pandehurit lidhur me këtë fakt të vërtetuar në fashikullin e gjykimit.

835. Duke pasur parasysh konkluzionet e arritura më lart mbi mënyrën se si një subjekt si Ministri i Brendshëm mundet të konkludohet se është pjesë grupit të strukturuar kriminal si bashkëpunëtor i brendshëm, Gjykata konkludon se vetë dhënia e automjetit nuk mundet të konsiderohet ndihmë e vazhdueshme e Ministrit të Brendshëm për të mundësuar realizimin e aktivitetit kriminal të lëndës narkotike të grupit të strukturuar kriminal Habilaj në Vlorë nga tetori i vitit 2013, ku automjeti është dhënë fillimisht në përdorim, deri me datë 19.03.2017, datë kur Ministri i Brendshëm i pandehur në këtë proces është larguar nga detyra.

iii) Bizhuteritë

836. Përgjimi tjetër i radhës kronologjike rezulton të jetë ai i datës 16.12.2013, i realizuar në automjetin ku ndodhej i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj dhe i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Sabaudin Çela, provë kjo e marrë me letërporosi nga autoritetet italiane të drejtësisë. Në këtë përgjim tregohet se jashtë makinës i pandehuri z. Moisi Habilaj ishte me bashkëpunëtorin e tij kryesor italian, z. Antonio Riela, dhe më tej futet në makinë. Ai i tregon z. Sabaudin çela, i cili ndodhej në makinë, se kishte blerë dy byzylykë me diamante të kushtueshme 9000 Euro me ulje tek argjendaria përballë gjykatës së Katanias, të cilat një ishte dhuratë në nënën dhe tjetra ishte dhuratë për bashkëshorten e të pandehurit z. Saimir Tahiri. Ndërkohë bashkëfolësi e pyet nëse kishte kamera sigurie dhe z. Moisi Habilaj i përgjigjet se nuk kishte. Ndërkohë z. Moisi Habilaj i tregon se paratë i ka paguar në dorë dhe se kishte marrë edhe certifikatat e sigurisë, të cilat garantonin zotëruesin e byzylykëve se nëse ato humbnin do të mundej të zëvendësoheshin me të tjera. Nga konteksti i mëtejshëm i kësaj bisede rezulton se këto dhurata dhe shpërblime të tjera për anëtarët bashkëpunëtorë të grupit të strukturuar kriminal po bëheshin si dhurata për festat e fundvitit.

837. Prokuroria ka konkluduar se këto dhurata janë dhënë nga ana e kreut të grupit të strukturuar kriminal, të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, për llogari të të pandehurit z. Saimir Tahiri, duke u shpjeguar arsyeja pikërisht për mbështetjes dhe kontributit që ai kishte dhënë për llogari të veprimtarisë kriminal të grupit. Ka rezultuar se me datë 19.10.2017 Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar Kuvendit lejimin e kontrollit të banesës së deputetit. Me Vendimin nr. 104, datë 25.10.2017 të Kuvendit është lejuar prokuroria të kryejë kontrollin e banesës. Ndërkohë kontrolli rezulton të jetë lejuar përmes Vendimit nr. 271, datë 26.10.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe nga kontrolli i po asaj dite rezulton se nuk është konstatuar diçka me interes për hetimin, qoftë për sendet dhe qoftë për certifikatat e sigurisë apo edhe fatura apo akte të tjera që mundet të tregojnë se sendet me vlerë janë dorëzuar apo janë pranuar.

838. Sjell në vëmendje se fakti që këto dy dhurata të çmueshme janë blerë për të pandehurin z. Saimir Tahiri rezulton i njohur edhe tej personat e tjerë anëtarë apo me lidhje të afërta gjinore dhe shoqërore të anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal. Kështu në përgjimin ambiental të datës 13.01.2014 rezulton se z. Enea Sulaj i tregon një bashkëbiseduesi të paidentifikuar për dhuratat e çmuara që i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj i ka blerë bashkëshortes së të pandehurit z. Saimir Tahiri. Nga biseda kuptohet një lloj adhurimi i tij për çka bënte i pandehuri z. Moisi Habilaj dhe tregohet se “Saimiri” nuk donte para për punën ndërsa “Sokoli” mori paratë.

839. Nga kjo e dhënë Gjykata vlerëson se shpjegohet arsyeja se pse ishin marrë dhuratat nga z. Moisi Habilaj dhe se kjo e dhënë, pavarësisht pasaktësive në informacionin që z. Enea Sulaj i jep bashkëbiseduesit, tregon se ndër personat e afërt të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj qarkullonte fakti i blerjes së dhuratave dhe i lidhjes së veçantë që ai kishte me Ministrin e Punëve të Brendshme në detyrë të Republikës së Shqipërisë atëbotë, të pandehurin z. Saimir Tahiri.

840. Blerja e dhuratave me datë 16.12.2013 dhe përgjimi shpjegues i datës 13.01.2014 rezultojnë të jenë zhvilluar përkatësisht 62 ditë dhe 90 ditë pas ekzekutimit të episodit “Augusta” të trafikimit të lëndës narkotike nga ana e z. Moisi Habilaj nga Shqipëria në Itali. Sikurse u soll në vëmendje më lart, nga të gjitha provat e administruara në fashikull, i vetmi bashkëpunëtor i identifikuar i grupit të strukturuar kriminal me emrin “Sokol” është i pandehuri z. Sokol Bode, duke u identifikuar sakaq edhe subjekti tjetër që në këtë raste flitej se është shpërblyer me para nga ana e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.

841. Mbi këtë fakt rezulton se ka edhe të dhëna të tjera që hedhin dritë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Nga pyetja e bashkëpunëtorit kryesor Italian, z. Antonio Riela, të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, rezultojnë tre të dhëna që përputhen me realitetin që përftohet nga përgjimi ambiental. Së pari, ai shpjegon në dëshminë e tij se është e vërtetë që në dhjetorin e vitit 2013 e ka shoqëruar z. Moisi Habilaj në një argjendari. Së dyti, ai shpjegon se argjendaria ndodhej tek gjykata e Katanias. Së treti, ai tregon se z. Moisi Habilaj i bleu bizhuteritë.

842. Faktin e blerjes së bizhuterive e ka pranuar edhe vetë i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj kur është pyetur. Ai ka shpjeguar se është e vërtetë që i ka blerë bizhuteritë e çmueshme por se ato nuk janë blerë si dhuratë për të pandehurin z. Saimir Tahiri por janë blerë si dhuratë për bashkëpunëtorin e tij kryesor shqiptar, personin e identifikuar nga ai me emrin “Fatosh”. Sikurse do të trajtohet edhe në vijim, Gjykata vlerëson se ky subjekt nuk ekziston dhe është trillim imagjinar i të pandehurit në procedimin e lidhur, pasi në pesë vjet përgjime që autoritetet italiane dhe shqiptare kanë kryer ndaj tij nuk rezulton asnjë subjekt i tillë, qoftë me këtë emër apo që të jetë mbi pozitën kriminale që z. Moisi Habilaj ka pasur në grupin e drejtuar prej tij.

843. Sa më lart u analizuan provat, Gjykata konkludon se fakti i blerjes së byzylykëve nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj rezulton i provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Për sa i përket çështjes se për cilin subjekt janë blerë këto bizhuteri, Gjykata konkludon se provohet se bizhuteritë janë blerë për të pandehurin z. Saimir Tahiri. Më tej Gjykata konkludoi se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se bizhuteritë e blera nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj janë pranuar apo janë marrë prej të pandehuri z. Saimir Tahiri.

iv) Mjeti lundrues “Auras”

844. Në Fashikullin Volumi VI, faqe 305, dhe në Fashikullin IX, faqe 265, ndodhet Kontrata e Shitjes së mjetit lundrues “Solemar” apo ndryshe “Auras”. Kontrata ka datën 25.07.2014 dhe paraqet të dhënat se shitësi është z. Federico Silvestri dhe blerësi është Orges Liperi.
845. Çmimi është përcaktuar 15.000 Euro dhe se në këtë shkresë private ka nënshkruar vetëm z. Federico Silvestri, duke u paraqitur si shkresë e njëanshme, pavarësisht se është emërtuar dhe paraqitet si kontratë shitje. Shkresa mban shënimin “Addi Bari 25 Luglio 2014”. Deklarimi i mjetit lundrues, sipas Ligjit nr. 9773/2000, është bërë nga z. Orges Liperi me datë 06.08.2014. Praktika doganore e vlerësimit të vlerës doganore është bërë po me datë 06.08.2014 sipas metodës së vlerës së deklaruar, duke u pranuar nga autoriteti doganor çmimi 15.000 Euro i shitjes së mjetit. Në certifikatën e mjetit lundrues fiksohet edhe aftësia e tij për të lundruar deri në 5 milje larg bregut.

846. Nga letërporosia e shtetit italian e administruar në gjykim rezulton se nuk ekziston një subjekt person fizik i tillë, kodi fiskal i paraqitur në kontratë nuk është real dhe se adresa e dhënë në kontratë nuk ekziston. Mjeti rezulton se ka hyrë në Shqipëri me datë 06.08.2014 dhe në dëshminë e tij blerësi formal i sendit deklaron se po këtë ditë e ka parë dhe e ka vendosur ta blejë sendit, pas sugjerimit të z. Roni Shqiopa, atëbotë Drejtor i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme. Ky i fundit rezulton se ka qenë vartës dhe njëkohësisht ndër personat në rrethin e ngushtë shoqëror të të pandehurit z. Saimir Tahiri, sikurse e pranon vetë në dëshminë e tij për njohjen familjare të realizuar ndërmjet tyre dhe sikurse e provojnë edhe letërporositë e marra nga Republika e Malit të Zi në lidhje me pushimet e kryera së bashku. Më tej blerësi formal rezulton se ka deklaruar se ka qenë z. Roni Shqiopa që i a ka kërkuar që mjetin lundrues të sapo blerë t’ia jepte në përdorim Ministrit të Brendshëm atëbotë dhe se ai ka pranuar, duke shtuar se nuk mban mend të ketë lëshuar ndonjëherë autorizim për përdorimin e mjetit të tij lundrues. Ai ka sqaruar se e ka blerë mjetin lundrues pasi ishte me çmim ndjeshëm më të ulët nga ai që vlen normalisht dhe se e kishte parë si një okazion për faktin se mjeti kishte një defekt dhe se kjo ishte arsyeja se pse kushtonte më pak dhe se pas rregullimit të tij kishte menduar ta shiste për një çmim më të lartë dhe në këtë mënyrë të realizonte fitim nga shitja.

847. Ekzistencën e defektit të mjetit në pjesët xhenerike të tij e konfirmon në dëshminë e tij edhe z. Roni Shqiopa, duke e shpjeguar edhe ai çmimin e ulët okazion pikërisht me këtë të metë të sendit të blerë. Ai ka dëshmuar se të gjitha procedurat e zhdoganimit i ka realizuar z. Roni Shqiopa nëpërmjet një agjencie doganore dhe njohjeve që ai kishte. Me sa i kujtohet, ai ka deklaruar se mjetin e ka blerë në vitin 2014, nga një shtetas italian kundrejt vlerës 15.000 Euro dhe se emri i tij nuk i kujtohet. Ai sqaron se mjeti kishte defekt tek motorët dhe sistemi i drejtimit dhe ndaj u mor me këtë çmim dhe se për rregullimin e tij është marrë një punonjës policie me emrin “Naim” i Portit Durrës dhe se mbiemrin e tij nuk e di dhe se ai merrej me rregullimin dhe mirëmbajtjen e barkave. Ai ka deklaruar se e ka marrë me qëllimin për ta përdorur gjatë periudhës së plazhit.

848. Nga këto të dhëna Gjykata konkludon se kontrata e shitjes së mjetit lundrues është një veprim juridik fiktiv dhe se blerësi formal z. Orges Liperi e ka të paqartë se si është blerë mjeti lundrues, pavarësisht se përpiqet të sqarojë rrethanat se si dhe se pse e ka blerë.

849. Rezulton se dy ditë pas blerjes, konkretisht me datë 08.08.2014, bashkëshortët Tahiri dhe bashkëshortët Hoxha, atëbotë përkatësisht Ministër dhe Zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë nisur me mjetin lundrues. Ata kanë kaluar portin e Kërkyras në Republikën e Greqisë në po të njëjtën ditë dhe se më tej janë nisur me pikëmbërritje ishullin Paskos.

850. Nuk është hetuar dhe është e paqartë se me çfarë dokumentacioni kanë udhëtuar dhe e kanë marrë lejen e lundrimit çifti Tahiri dhe Hoxha në këtë udhëtim, pasi marrja e lejes së lundrimit, sikurse do të sillet në vëmendje më poshtë, mundësohet vetëm nëse ndër të tjera përdoruesi jopronar i mjetit lundrues paraqet autorizimin apo kontratën e huapërdorjes së mjetit lundrues tek kapitaneria detare. Rezulton se si Kapiten i mjetit lundrues është regjistruar në këtë udhëtim i pandehuri z. Saimir Tahiri. Ndërkohë që pronari formal i mjetit lundrues ka deklaruar se nuk ka lëshuar prokurë për përdorimin e mjetit.

851. Të nesërmen, me datë 09.08.2014, z. Artan Habilaj bashkë me z Alban Alia kanë dërguar pjesëtarët përkatës të familjes Hoxha dhe Tahiri në vendin ku çiftet e bashkëshortëve po pushonin. Të dy shoferët janë kthyer të nesërmen në Shqipëri, konkretisht me datë 10.08.2014, pasi kanë fjetur rrugës në Greqi një natë nga që ishin të lodhur. Detajet janë dhënë më lart në këtë vendim, qoftë tek renditja e provave në pjesën e rrethanave të faktit dhe qoftë në pjesën e vendimit ku janë trajtuar rrethanat e automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB.

852. Një nga këto ditë mjeti lundrues “Auras” pëson defekt në Greqi dhe i pandehuri z. Saimir Tahiri aktivizon z. Naim Brahimaj, z. Aurel Konakçiu dhe z. Artan Habilaj që t’i vijnë në ndihmë. Me datë 14.08.2014 ato nisen me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB dhe mbërrijnë në vendin ku po pushonin familjet Tahiri dhe Hoxha. Mekanikët merren të rregullojnë mjetin lundrues, drekojnë së bashku, bëjnë xhiro me mjetin lundrues pas bërjes funksional të tij, darkojnë së bashku dhe të nesërmen, pasi i lënë familjes Tahiri automjetin Audi A8, marrin mjetin lundrues dhe kthehen në Shqipëri, konkretisht rreth orës 23:00 në Triport Vlorë. Në dëshminë e tij z. Naim Brahimaj pranon se shpenzimet e kthimit për automjetin që e solli nga Vlora në Durrës, për në shtëpinë e tij, i pagoi z. Artan Habilaj.

853. Rezulton se defekti i mjetit lundrues nuk u rregullua. Më tej rezulton se në shtator të vitit 2014, i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj së bashku me shtetasit mekanikë z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu janë kujdesur për të dërguar në Brindizi, Itali, për riparim mjetin lundrues “Auras”. Rezulton se z. Aurel Konakçiu nuk është pyetur gjatë hetimeve paraprake. Ndërkohë z. Naim Brahimaj ka deklaruar se e ka marrë në telefon z. Aurel Konakçiu dhe i ka kërkuar të shkojë në Itali së bashku me të për të rregulluar mjetin lundrues në një kantier riparimi anijesh dhe se ai ka pranuar. Ai deklaron se e dinte që ky mjet lundrues përdorej nga Ministri i Brendshëm atëbotë dhe se nuk ka marrë leje në punë për shkak se po shkonte të kujdesej për riparimin e mjetit lundrues që përdorej nga Ministri i Brendshëm.

854. Rezulton se për të Itali të tre me mjetin lundrues janë nisur me datë 09.09.2014 dhe se si kapiten i skafit është regjistruar i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj. Rezulton se me datë 10.09.2014 të tre përmes skafit kanë mbërritur në Brindizi, konkretisht në Kantierin Detar “Danese”.

855. Detajet se si është marrë leja e lundrimit, të hetuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda, japin të dhëna të rëndësishme për përkushtimin e të pandehurit në procedim të lidhur për të riparuar defektin e mjetit lundrues që përdorej nga i pandehuri z. Saimir Tahiri. Rezulton e provuar nga regjistrat e Kapitenerisë Detare Vlorë dhe nga dëshmitë e punonjësve përgjegjës që janë marrë me praktikën e dhënies së lejes së lundrimit në këtë rast se z. Moisi Habilaj është paraqitur për të marrë lejen e lundrimit për mjetin lundrues “Auras” një ditë përpara udhëtimit detar për në Brindisi, që do të thotë me datë 08.09.2014. Ai është paraqitur, sipas punonjësve përgjegjës dhe që kanë trajtuar rastin, me një listë pasagjerësh prej katër persona, ku në krye ishte emri i të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe më tej ishin emrat e atyre të treve që kanë realizuar së bashku udhëtimin duke u paraqitur edhe plani i udhëtimit. Punonjësi që ka trajtuar rastin shprehet se nuk e ka besuar këtë listë pasagjerësh, duke qenë se aty ndodhej emri i Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë, dhe se, duke qenë se kërkuesi nuk kishte edhe autorizimin për përdorimin e mjetit pasi mjeti ishte në pronësi të dikujt tjetër, ka refuzuar të lëshojë lejen e lundrimit. Ai tregon se z. Moisi Habilaj nuk e priti mirë refuzimin e lëshimit të lejes dhe se i u përgjigj me nervozizëm, qoftë ai dhe nëpunësit kolegë të tij tregojnë se e dinin se ky mjet lundrues përdorej nga Ministri i Punëve të Brendshme.

856. Më tej rezulton nga dëshmia e punonjësve përgjegjës të kapitanerisë se të nesërmen e kësaj ditë, që do të thotë me datë 09.09.2014 z. Moisi Habilaj është paraqitur para tyre me dokumentacionin përkatës të plotësuar dhe se leja e lundrimit është dhënë sakaq, duke përcaktuar se leja e lundrimit, sipas edhe kufizimeve të certifikatës së mjetit lundrues, është dhënë që të udhëtohet vetëm deri në tre milje larg bregut, duke qenë se mjeti nuk kishte mundësi objektive të komunikonte me kapitaneritë përkatëse në rast incidentesh në det të hapur. Ato kanë treguar se afati për mbajtjen e dokumentacionit të lejeve të lundrimit ka mbaruar dhe se për rrjedhojë ka qenë e pamundur për prokurorinë të administrohet ky dokumentacion me cilësinë e provës. Ato dëshmojnë se kësaj here z. Moisi Habilaj ishte deklaruar kapiten dhe se lista e udhëtarëve në mjet ishte me tre persona dhe se nuk ishte më në listë emri i të pandehurit z. Saimir Tahiri. Rezulton se mjeti lundrues ka mbërritur në portin e Brindisit me datë 10.09.2014, që do të thotë të nesërmen e udhëtimit.

857. Ndërkohë në dëshminë e z. Naim Brahimaj data 09.09.2014 sqarohet se ai ka ikur në Vlorë dhe ka takuar atje z. Aurel Konakçiu dhe se tek skafi ka takuar z. Moisi Habilaj, duke shtuar se skafi ndodhej pikërisht në Triport ku e kishin ankoruar pasi kishin mbërritur nga Greqia. Ai tregon se z. Moisi Habilaj i ka thënë që t’ia shkruanin edhe atij emrin sepse do të vinte edhe ai në Itali, duke sqaruar se lejen e lundrimit tek kapitaneria e mori z. Moisi Habilaj dhe se janë nisur të tre për në Itali me skafin e mësipërm. Nuk shpjegon nëse është respektuar leja e lundrimit gjatë rrugëtimit për sa i përket gjurmës detare në të cilën ato duhet të udhëtonin.

858. Nga analiza e këtyre provave, duke pasur parasysh dëshminë e z. Orges Liperi në pjesën ku ka deklaruar se nuk e njeh z. Moisi Habilaj dhe se nuk ka lëshuar autorizim për përdorimin e mjetit lundrues, kuptohet se ka dy alternativa se si në të vërtetë ka ndodhur që i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj ka arritur të plotësojë dokumentacionin. Nëse do të merren të mirëqena dëshmitë e dhëna nga punonjësit e kapitanerisë dhe shënimet e bëra prej tyre në regjistrin përkatës, atëherë konkludohet me siguri se dokumenti autorizim i lëshuar nga pronari për përdorimin e mjetit është falsifikuar prej tij. Nëse dëshmitë e punonjëse përgjegjës të kapitanerisë dhe regjistrimet përkatëse në regjistër nuk janë të vërteta, atëherë do të thotë se i pandehuri në procedim të lidhur ka bërë gjithçka të mundshme për t’u pajisur me datë 09.09.2014 me lejen e lundrimit edhe pse në kundërshtim me ligjin. Në secilin prej varianteve për Gjykatën rezulton se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se përkushtimi i të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka qenë maksimal, edhe duke kryer vepra të tjera penale, për të mundësuar atë ditë nisjen me mjetin lundrues drejt Italisë me qëllim që ta riparonin.

859. Nga ana tjetër nuk rezulton që të jetë dokumentuar gjurma detare e përshkuar në këtë udhëtim dhe nëse është respektuar apo jo kushtëzimi teknik i mënyrës së udhëtimit, konkretisht jo më larg se tre milje larg bregut. Por është fakt se të nesërmen e nisjes të tre personat udhëtarë kanë mbërritur në Brindisi. Kjo pjesë nuk është hetuar por ngjan e pamundur që rrugëtimi përgjatë gjithë bregut të Adriatikut, Shqipëri, Mal i Zi, Kroaci, Slloveni dhe më tej gjithë bregdetin lindor italian deri në Brindisi të ketë marrë kohë për t’u përshkuar në një ditë të vetme. Sërish ky fakt tregon përkushtimin dhe sakrificën e bërë nga të tre udhëtarët lundërtarë për të mbërritur në kantierin detar të riparimit të anijeve në mënyrë që të riparonin mjetin lundrues të z. Orges Liperi, i regjistruar si titullari formal i tij.

860. Në Brindisi rezulton se ato kanë qëndruar në Hotel L’Approdo. Z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë qëndruar tre netë dhe janë nisur me datë 13.09.2014, ndërsa i pandehuri z. Moisi Habilaj ka qëndruar dy net dhe është nisur për Shqipëri me datë 12.09.2014, fakt që provohet edhe nga dokumenti i prodhuar nga sistemi TIMS. Në dëshminë e tij z. Naim Brahimaj tregohet se tek skafi kanë ardhur disa persona që e verifikuan dhe i thanë që do ta rregullonin, duke qenë prezent të tre. Ai sqaron se z. Moisi Habilaj kishte ikur një ditë përpara për në Shqipëri, pasi i kishte thënë se kishte nënën sëmurë. Ai tregon se kur kanë qëndruar në Brindisi shkonin të tre tek skafi dhe qëndronin deri pasdite vonë. Ai tregon se hotelin në Brindisi e ka paguar z. Moisi Habilaj për të gjitha ditët që kanë qenë bashkë. Fakt është që nga letërporosia e marrë nga prokuroria prej autoriteteve italiane, ka rezultuar se fatura e qëndrimit për tre net ka dalë jo në datën e lënies së hotelit nga z. Aurel Konakçiu dhe z. Naim Brahimaj, konkretisht me datë 13.09.2014, por me datë 12.09.2014, konkretisht ditën në të cilën provohet se është larguar nga hoteli dhe nga Italia për të mbërritur në Shqipëri i pandehuri z. Moisi Habilaj. Nga ana tjetër fakt është që fatura e hotelit, në vlerën 145 Euro, ka dalë për llogari të z. Naim Brahimaj.

861. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka pretenduar në konkluzionet e dorëzuara me shkrim në gjykatën e apelit në gjykimin rishtar se kjo pjesë e dëshmisë së z. Naim Brahimaj, ku deklaron se shpenzimet e hotelit janë paguar është e falsifikuar nga prokurorët dhe si e tillë e papërdorshme. Ai ka pretenduar se e vërteta është që autorizimin për të përdorur mjetin lundrues me qëllim riparimin në Itali nuk e ka pasur askush tjetër përveç se z. Aurel Konakçiu dhe z. Naim Brahimaj dhe se prezenca e z. Moisi Habilaj në mjetin lundrues është një rastësi. Ai ka pretenduar se pagesa është kryer nga z. Naim Brahimaj dhe se këtë fakt e provon me fuqi të plotë provuese vetë fatura e lëshuar nga hoteli dhe e marrë si provë me letërporosi.

862. Gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar ndër të tjera si vijon: “Shtetasi Naim Brahimaj ka deklaruar se hoteli është paguar nga i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj, por në kushtet që dokumenti që dokumenti ligjor që vërteton shpenzimin (fatura tatimore përkatëse) është lëshuar në emër të shtetasit Naim Brahimaj dhe nuk ka ndonjë provë tjetër që të mbështesë deklarimin e tij, vërtetësia e këtij fakti (që hoteli është paguar nga Moisi Habilaj) mbetet e dyshimtë dhe siç është përmendur më lart çdo dyshim për akuzën shkon në favor të të pandehurit.”

863. Gjykata vlerëson se pretendimi i të pandehurit z. Saimir Tahiri në këtë pjesë dhe konkluzioni i gjykatës vijnë në kundërshtim me vlerësimin që duhet të bëhet mbi këto prova në mënyrë që të arrihet mbi vërtetësinë natyrale të faktit se si ka ndodhur.

864. Edhe sikur në rastin konkret të vihej në diskutim ky fakt për t’u provuar në procesin civil apo administrativ, sipas nenit 253 të Kodit të Procedurës Civile konkluzioni i gjykatës nuk do të ishte se fatura ka vlerë dhe fuqi të plotë provuese për të vërtetuar faktin se kush e ka paguar shumën 145 Euro. Sipas kësaj baze ligjore fatura do të kishte fuqi të plotë provuese për të vërtetuar se në emër të kujt subjekti ka dalë por jo për faktin se kush e ka paguar atë. Aq më tepër prova shkresore, qoftë edhe dokument zyrtar, nuk mundet të marrë fuqi detyruese apo fuqi të plotë provuese në procesin penal, ku objekt shqyrtimi parësisht nuk janë faktet e ligjshme por faktet e paligjshme.

865. Kjo do të thotë se gjykata e shkallës së parë i ka dhënë në rastin konkret fuqi të paracaktuar ligjore provës shkresore faturë tatimore të hotelit L’Approdo në kundërshtim me fjalinë e parë të pikës së parë të nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale. Pika 1 e kësaj dispozite parashikon se: “1. Asnjë provë nuk ka vlerë të paracaktuar nga ligji. Gjykata, pas shqyrtimit të provave në tërësi, çmon vërtetësinë dhe fuqinë provuese të tyre, duke argumentuar arsyet ku është mbështetur për të krijuar bindjen e saj.”

866. Në rastin konkret ka disa të dhëna dhe disa argumente prove që bindin Gjykatën se dëshmia e z. Naim Brahimaj për këtë pjesë është e vërteta natyrale e faktit se si ka ndodhur, vlerësuar kjo provë në tërësi me provat e tjera. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se në dëshminë e tij z. Orges Liperi ka deklaruar se nuk ka paguar asgjë dhe se nuk di asgjë për servisin e mjetit lundrues në vitin 2014. Më tej duhet të sillet në vëmendje se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka deklaruar se shpenzimet për servisin e mjetit lundrues në vitin 2014 i ka bërë ai, pasi e ka ndjerë përgjegjësi morale që defektin e shkaktuar mjetit ta ndreqte po ai, duke qenë se mjeti kishte shfaqur defektin pikërisht gjatë udhëtimit të pushimeve në Gushtin 2014 në Greqi. Më tej Gjykata sjell në vëmendje faktin se fatura e hotelit L’Approdo është printuar me datë 12.09.2014, pikërisht në datën që z. Naim Brahimaj ka dëshmuar se z. Moisi Habilaj ka lënë hotelin dhe pikërisht në datën kur sistemi TIMS provon se ai është kthyer në shtëpi. Gjykata sjell në vëmendje se vetë fatura ka dalë për tre persona. Më tej, si argument për leximin e provës, Gjykata sjell në vëmendje se nuk ka asnjë kuptim sipas rregullave të përbotshme të eksperiencës njerëzore që i punësuari apo personi i porositur apo kontraktuar për të shërbyer të paguajë shpenzimet e sendit që është porositur të ndreqë.

867. Për rrjedhojë Gjykata rrëzon si të pabazuar në prova dhe në ligjin procedural pretendimet e të pandehurit mbi këtë fakt. Së pari, Gjykata sjell në vëmendje se nuk mundet të pretendohet papërdorshmëria e provës në gjykimin në apel në rastin kur në gjykimin në seancën paraprake është kërkuar nga vetë i pandehuri gjykim të shkurtuar, në seancë gjyqësore në gjykimin në shkallë të parë sërish ka pasur të njëjtin vullnet ai dhe është proceduar për rrjedhojë sipas këtij riti procedural gjykimi dhe më tej edhe në gjykimin në apel nuk ka pasur asnjë vullnet për të riçelur shqyrtimin gjyqësor apo për të kërkuar procedimin sipas gjykimit të zakonshëm. Së dyti, analiza e provave dhe të dhënave në tërësi të dosjes nuk e rrëzon faktin e pretenduar sipas të pandehurit.

868. Për rrjedhojë Gjykata, ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, konkludon se shpenzimet e hotelit prej 145 Euro në udhëtimin e parë të riparimit të mjetit lundrues ‘‘Auras’’ për qëndrimin e mekanikëve nga data 10.09.2014 deri me datë 13.09.2014 i ka paguar i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj.

869. Gjithashtu Gjykata konkludon se i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj është përkujdesur me përkushtim për ndreqjen e mjetit lundrues “Auras”, duke nisur nga peripecitë e përballuara në Kapitenerinë e Portit Vlorë, konkretisht nga data 08.09.2014, në udhëtimin e bërë, në interesimin në kantierin e riparimit të mjeteve duke ndenjur në pritje deri pasdite dhe duke përfunduar me shpenzimet e kryera gjatë rrugës së marrë posaçërisht për këtë qëllim deri në kthimin e tij në Shqipëri me datë 12.09.2014. Në këtë vlerësim Gjykata e vlerëson të paarsyeshme interpretimin e fakteve që bën i pandehuri, duke u shprehur se sjellja e Kapitenerisë së Portit Vlorë kundrejt të pandehurit z. Moisi Habilaj është i vetmi rast që tregon se autoritetet shtetërore nuk e kanë toleruar atë pavarësisht faktit se ka përdorur emrin e Ministrit të Punëve të Brendshme.

870. E kundërta në fakt ka ndodhur dhe i kundërt është konkluzioni logjik që përftohet nga kjo ndodhi e dokumentuar nga prokuroria. Në këtë rast i pandehuri në procedimin e lidhur nuk po kujdesej për vete apo për aktivitetin e tij, pasi rezulton se ai ishte përkushtuar për të ndihmuar në dukje pronarin formal të skafit, duke bërë çmos që mjeti lundrues të dërgohej në Itali për riparim. Nga ana tjetër, sikurse vetë i pandehuri pranon në shpjegimet e dhëna në konkluzionet përfundimtare në gjykimin në apel, ishte pikërisht ai që kishte marrë përsipër ta ndreqte defektin që mjeti lundrues kishte pësuar, duke e ndjerë si detyrim moral një gjë të tillë. Kjo do të thotë se përkushtimi dhe sakrifica e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj nuk po bëhej për z. Orges Liperi, për të cilin ky i fundit deklaron se nuk e njoh fare, por po bëhej për të pandehurin.

871. Më tej në dëshminë e z. Naim Brahimaj dhe nga dokumentet e sistemit TIMS të administruara si provë rezulton se, pas pak ditësh të kthimit në Shqipëri, e ka marrë në telefon z. Aurel Konakçiu dhe i ka kërkuar të ikin përsëri në Itali për të marrë skafin dhe për ta sjellë në Shqipëri pasi nuk ishte rregulluar. Ai tregon se janë nisur të dy, kësaj radhe pa të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me traget Durrës – Bari dhe pastaj kanë shkuar me tren deri në Brindisi dhe se kanë fjetur në të njëjtin hotel dhe se të nesërmen kanë marrë skafin ku e kishin lënë të ankoruar dhe janë kthyer për në Durrës, duke sqaruar se skafi nuk ishte rregulluar dhe se atij i u desh t’i bënte një riparim të vogël se fuste ujë. Ai sqaron se e kemi lënë skafin në tokë si të prishur dhe se ai i ka ndërruar një gominë të dëmtuar dhe se pronari i skafit nuk e ka paguar për këtë shërbim të realizuar. Ai ka treguar se biletat e udhëtimit nuk i ka paguar ai dhe se nuk e di se kush i ka paguar dhe se është kujdesur vazhdimisht për mjetin lundrues edhe kur ishte i ankoruar në Portin e Durrësit, duke e ditur se skafi është i Ministrit të Brendshëm atëbotë.

872. Më datë 22.12.2014 shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë dalë nga territori shqiptar nga Porti i Durrësit dhe janë kthyer më datë 24.12.2014. Fatura e hotelit për dy persona ka dalë në emër të z. Aurel Konakçiu dhe se shuma e paguar ka qenë 45 Euro, sërish nga Hotel L’Approdo. Në bordin e mjetit lundrues në kthim kanë qenë dy persona.

873. Ndërmarrja italiane “Danese”, për punimet e kryera në mjetin lundrues, rezulton nga letërporositë që ka nxjerrë një faturë tatimore në emër të z. Aurel Konakçiu në vlerën 300 Euro. Shtetasi z. Giuseppe Danese, nëpunës i shoqërisë së kantierit ku u riparua mjeti lundrues, ka sqaruar se personi që ka paguar shumën 300 Euro ka qenë z. Aurel Konakçiu, se mjeti ka pasur probleme tek komanda dhe se riparimet ishin të vështira. Ai sqaron se, duke qenë se vlera e riparimit ishte e madhe, z. Aurel Konakçiu i kishte kërkuar që të konsultohej më parë me dikë dhe se pas konsultimit i ka thënë që të mos e riparojnë dhe se do ta nxjerrin mjetin nga kantieri. Ndërkohë z. Orges Liperi deklaron se nuk di asgjë lidhur me këto fakte. Kuptohet se personi që është konsultuar prej z. Aurel Konakçiu nuk ishte titullari formal i mjetit lundrues sepse kjo nuk përputhet me dëshminë e tij.

874. Nga ana tjetër rezulton se i pandehuri e ka përdorur mjetin lundrues “Auras” edhe në gushtin e vitit 2015. Nga letërporositë e marra nga Republika e Greqisë rezulton se me këtë mjet lundrues i pandehuri z. Saimir Tahiri ka dalë si kapiten i regjistruar së bashkë me bashkëshorten dhe djalin. Është e paqartë për së dyti se si është plotësuar dokumenti autorizim për përdorimin e mjetit lundrues për të marrë lejen e lundrimit, ndërkohë që pronari formal i sendit ka dëshmuar se nuk ka lëshuar autorizim për përdorimin e mjetit lundrues.

875. Më tej rezulton se për mjetin lundrues “Auras” janë bërë riparime edhe në vitin 2016 të paguara nëpërmjet bankës nga ana e pronarit formal z. Orges Liperi, shpenzime të cilat kapin vlerën 30,000 Euro gjithsej. Në këtë episod të riparimit të mjetit del si protagonist z. Boge Budini, i cili rezulton të ketë qenë atëbotë Drejtori i Policisë Kufitare Durrës, mik i ngushtë i të pandehurit z. Saimir Tahiri, sikurse rezulton nga të dhënat e marra me letërporosi nga Republika e Malit të Zi tek pushimet që kanë kaluar së bashku në jaht.

876. Pikërisht z. Boge Budini arrin të gjej transportuesin, konkretisht i prokuruari z. Hasan Mema, e pajis atë me bileta vajtje ardhje, duke i vendosur 500 Euro në secilën nga udhëtimet, konkretisht për ta çuar dhe për ta marrë mjetin lundrues “Auras” nga Shqipëria në Itali dhe nga Italia në Shqipëri. Ndërkohë pronari formal i mjetit lundrues z. Orges Liperi ka deklaruar se riparimet e mjetit në vitin 2016 i ka paguar ai përmes bankës dhe se nuk ka paguar as shpenzime biletash dhe as shpenzime të tjera udhëtimi.

877. Nga të gjitha këto të dhëna Gjykata arrin në konkluzionin se përveç se kontrata e shitjes ishte fiktive, zotëruesi i vërtetë i mjetit lundrues ishte i pandehuri z. Saimir Tahiri. Mjetin lundrues e ka gëzuar vetëm ai dhe se për të janë përkujdesur vetëm miqtë e tij nëpunës dhe vartës në Ministrinë e Punëve të Brendshme apo në institucionet e varësisë së këtij institucioni kushtetues, sikurse u identifikuan më lart z. Roni Shiqopa, z. Boge Budini dhe z. Naim Brahimaj.

878. Gjykata mban parasysh se pronari formal i saj rezulton se nuk është i qartë rrethanat e blerjes, ka një dakordësi të njohur botërisht se mjeti lundrues ishte dhe përdorej nga i pandehuri dhe se pronari formal i saj nuk di ndër vite se çfarë ndodh me investimin e tij prej 15,000 Euro. Gjykata vlerëson se arsyetimi i të pandehurit nuk ka logjikë dhe nuk përputhet me realitetin që tregojnë provat në fashikull. Qoftë z. Orges Liperi dhe qoftë z. Roni Shqiopa kanë pranuar pa kundërthënie se mjeti u ble me të meta dhe defekte xhenerike dhe ndaj shpjegohet shuma okazion për të cilën u ble. Kjo do të thotë se defektin mjetit nuk i a shkaktoi i pandehuri gjatë udhëtimit të Greqi në gushtin e vitit

2014, pasi mjeti ishte tashmë me defekt. Për rrjedhojë i pandehuri nuk ka investuar në ndreqjen e mjetit lundrues të z. Orges Liperi për një defekt që ai nuk e kishte shkaktuar por mjeti e kishte. E vërteta është se mjeti lundrues zotërohej nga i pandehuri dhe se miqtë e tij apo vartësit e tij nëpunës të përfshirë janë angazhuar për ta ndrequr. Ndër to ka qenë edhe i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj, i cili ka vënë në dispozicion të Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë, të pandehurit z. Saimir Tahiri kohën, shërbimet e tij, disponibilitetin, shumën 145 Euro të paguar për hotelin dhe shpenzimet e udhëtimit.

879. Ky fakt tregon se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka pasur edhe marrëdhënie ndërpersonale. Për këtë fakt është vërtetuar dhe hedhur dritë nga hetimi vetëm në këtë episod.

v) Lidhur me përgjimet e tjera nga autoritetet italiane në të cilat flitet për të pandehurin z. Saimir Tahiri

880. Lidhur me përgjimin ambiental të datës 16.12.2013 ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela, ku ato flasim për të pandehurin z. Saimir Tahiri mbi fitimet e tij, Gjykata vlerëson se kjo provë vetëm mundet të tregojë se në dijeninë e tyre bashkëbiseduesit mendonin apo dinin se i pandehuri fiton në muaj minimum 5,000,000 Euro dhe se ai shpenzon paratë për fushatë dhe se në fushatë nuk i mjaftojnë as 20,000,000 Euro. Por kjo e dhënë nuk lidhet me asnjë indicje tjetër dhe me asnjë provë tjetër në mënyrë që të shndërrohet në një fakt, sipas nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale, dhe se për rrjedhojë kjo e dhënë nuk mundet të ketë rëndësi mbi faktet objekt akuze.

881. Fill pas kësaj bisede, ndërmjet bashkëbiseduesve hapet një temë tjetër, ku aludohet nga z. Sabaudin Çela se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka marrë pagesa apo para, duke u shprehur se ka frikë për një person, të cilin e identifikojnë të dy si “nipi”, se mos nxjerrë emrin dhe se mos thotë se i janë dhënë para të pandehurit. Nga mënyra se si tregohen të dhënat në bisedë kuptohet se bashkëbiseduesit nuk po flasin për hamendësime, sikurse është biseda e mësipërme e përgjuar, por po flasin për fakte dijeninë e të cilave e dine me siguri.

882. Por Gjykata e me rezervë dhe nuk bindet mbi vërtetësinë e aq më tepër qartësinë e këtij fakti, duke pasur parasysh se 28 ditë më vonë, përgjimi ambiental i datës 13.01.2014 i realizuar ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një subjekti të paidentifikuar, merren të dhëna që kontradiktojnë të dhënat e bashkëbiseduesve në përgjimin e datës 16.12.2013. Ndërkohë që në përgjimin e datës 16.12.2013 flitet për pagesa të bëra tek i pandehuri z. Saimir Tahiri, në përgjimin e datë 13.01.2014 flitet se i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk donte para dhe se kjo ka qenë arsyeja që për të janë marrë si dhurata dy bizhuteritë e çmuara nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.

883. Në këtë mënyrë Gjykata vlerëson se edhe kaq pak të dhëna sa mundet të merren nga këto përgjime mbi to shtohet pasiguria e vërtetësisë së fakteve për shkak se ka kontradikta. Megjithatë emëruesi i përbashkët i tyre nga të cilat mundet të nxirret një konkluzion i arsyeshëm është se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal ndjenin detyrime ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe se këto detyrime lidheshin pikërisht me suksesin kriminal të tyre ndërkohë.

884. Lidhur me të dhënat e përftuara në përgjimin ambiental të datës 03.03.2014 të realizuar ndërmjet të pandehurit në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj mbi detyrimet që ato kishin ndaj “shtetit” dhe që rridhnin nga zhvillimi i aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, Gjykata vlerëson se personi i përmendur në këtë bisedë si “Saimiri” nuk mundet të konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se është i pandehuri z. Saimir Tahiri. Pasigurinë e vërtetësisë dhe qartësisë së këtij fakti e bëjnë të mundur dy elemente, ku i pari është krahasimi i të dhënave me një provë tjetër dhe i dyti është një argument prove. Së pari, Gjykata sjell në vëmendje se në përgjimin ambiental të autoriteteve shtetërore italiane të datës 21.01.2017 në një bisedë sërish të zhvilluar ndërmjet të pandehurve në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela del në pah edhe një herë tjetër një person që quhet “Saimir” dhe se në këtë rast nga biseda e zhvilluar përftohen më shumë të dhëna lidhur me identifikimin e tij. Ndër të tjera nga kjo bisedë kuptohet se ai është shofer kamioni dhe se zotëron një kamion dhe se këtë kamion dhe shërbimet e tij i kanë kontraktuar grupi i strukturuar kriminal Habilaj për të transportuar lëndën narkotike me qëllim trafikimi. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendjen se në pyetjen e znj. Brunilda Alikaj, punonjësja e policisë e cila kishte lidhje intime me z. Moisi Habilaj, ajo është pyetur nëse e njeh një person të quajtur “Saimir” me nofkën “Bixholi”.

885. Megjithëse në kohë përgjimi i datës 03.03.2014 me atë të datës 21.01.2017 ka një diferencë sasiore të madhe kohëkalimi ndërmjet tyre, Gjykata vlerëson se përgjimi i dytë dhe pamjaftueshmëria e arsyeshmërisë dhe e sigurisë së konkluzionit se ky person është në të vërtetë i pandehuri z. Saimir Tahiri në bisedën e bërë në vitin 2014 janë të afta së bashku ta paqartësojnë të dhënën dhe sakaq të mos arrihet dot në një konkluzion tej çdo dyshimi të arsyeshëm mbi të. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje argumentin e provës se në përgjimin e datës 03.03.2014 bashkëbiseduesit flasin për dy palë përfituese në bisedën e tyre, fillimisht thonë “30 Saimirit”, që përkon edhe me të dhënën e përftuar nga këqyrja e telefonit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj mbi masën e përfitimit të paligjshëm që merrte “shteti” në shkëmbim të autorizimit për të kryer aktivitet kriminal në vitin 2016 në Vlorë, dhe nga ana tjetër përmendet si përfitim i dytë që bashkëbiseduesit vendosin është “pjesa e mbetur shtetit”. Logjikshëm mundet të arsyetohet se nuk mundet të ketë dy përfitues “shtetërorë” dhe se në këtë rast Gjykata vlerëson se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ky përfitim që bashkëbiseduesit flasin në përgjimin e datës 03.03.3014 është destinuar të paguhet i pandehuri z. Saimir Tahiri.

886. Gjykata sjell në vëmendje gjithashtu edhe të dhënat që janë përftuar nga përgjimi ambiental të realizuar nga autoritetet italiane mbi kostumin “Hugo Boss”, konkretisht përgjimi i realizuar me datë 13.01.2014 ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një bashkëbiseduesi të paidentifikuar. Nga ky përgjim rezulton se në dijeninë e z. Enea Sulaj pronari i dyqanit kishte folur me të pandehurin z. Saimir Tahiri për një kostum dhe se kur z. Enea Sulaj bashkë me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka shkuar tek dyqani i veshjeve në Katania, pronari i tij e ka pyetur lidhur me zgjedhjet në Shqipëri.

887. Nga konteksti i bisedës kuptohet se ka qenë i pandehuri z. Saimir Tahiri më parë në atë dyqan dhe se sipas gjasave ka folur me pronarin dhe se kjo është arsyeja që ai e ka pyetur z. Enea Sulaj mbi zgjedhjet në Shqipëri. Më tej ai tregon se e ka keqkuptuar pronarin e dyqanit, duke ngatërruar fjalën në italisht “elezioni” me fjalën në shqip leksionet dhe se pasi e ka kuptuar ka nisur të bisedojë me të për politikën dhe se ndërkohë i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj i ka tërhequr vëmendjen që ta ndalojë bisedën me të, duke qenë se i pandehuri z. Saimir Tahiri nga momenti në moment mund të vinte për të blerë në dyqan dhe se ai i kishte marrë edhe numrin e telefonit pronarit të dyqanit të veshjeve.

888. Rezulton se pronari i dyqanit të veshjeve është pyetur me letërporosi dhe se nuk ka treguar asgjë mbi të dhënat e këtij fakti që referohet në përgjimin ambiental. Nga ana tjetër edhe dokumente fiskal apo fatura nuk ka për të vërtetuar këtë fakt dhe se nga kontrolli i banesës së të pandehurit nuk është gjetur asgjë me interes për hetimin.

889. Në këto kushte, megjithëse Gjykata konstaton se në të dhënat e përgjimit ka shumë detaje që tregojnë se i pandehuri ka qenë në këtë dyqan, se ka pëlqyer një kostum dhe për këtë arsye ka marrë numrin e telefonit të pronarit të dyqanit me perspektivën që ta blinte, sërish nga këto të dhëna nuk përftohet asgjë relevante me faktet objekt akuze. Nga këto të dhëna shtohet akoma më shumë bindja dhe siguria mbi faktin se i pandehuri z. Saimir Tahiri kishte marrëdhënie ndërpersonale edhe me kreun e grupit të strukturuar kriminal, të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe se gjithashtu ky ishte fakt i njohur ndërmjet pjesëtarëve të grupit të strukturuar kriminal apo njerëzve pranë tyre. Nga këto të dhëna nuk përftohet se ka dhurata apo përfitime në formën e veshjeve nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj për të pandehurin z. Saimir Tahiri.

890. Në vijimin e vlerësimit të marrëdhënieve ndërpersonale të mbajtura ndër vite nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj duhet të sillet në vëmendje edhe fakti i hetuar dhe i provuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare mbi udhëtimin në vajtje dhe në ardhje të njëkohshëm të babait dhe bashkëshortes së të pandehurit me z. Moisi Habilaj. Rezulton se me datë 08.07.2014 janë nisur me të njëjtit avion nga Rinasi dhe kanë mbërritur në Fiumicino z. Bashkim Tahiri, znj. Fatlinda Tahiri dhe z. Moisi Habilaj. Ato janë kthyer me të njëjtën linjë me datë 10.07.2014. Ndërkohë nga përgjimi i telefonit të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me datë 10.07.2014 rezulton se ai ka marrë në telefon ungjin e të pandehurit, konkretisht z. Kujtim Tahiri, duke Ii thënë atij se ndodhet në shoqërinë e “gjigantit Bashkim” në të njëjtën dhomë hoteli. Më tej dy vëllezërit kanë folur me njëri-tjetrin nga telefoni i të pandehurit në procedim të lidhur.

891. Edhe ky fakt tregon se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka pasur marrëdhënie ndërpersonale të vazhdueshme në kohë. Sigurisht që një ndër faktorët e ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj marrëdhënie, të cilën i pandehuri e ka mohuar që prej vitit 2015 në mënyrë konstante, konkludohet logjikshëm të jenë edhe lidhjet gjinore të tyre, lidhje që shpjegojnë edhe afërsinë e zhvillimit të marrëdhënieve jo vetëm personale por edhe familjare ndërmjet tyre.

892. Në vijimin e vlerësimit të provave që hedhin dritë mbi marrëdhënien ndërpersonale të të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, Gjykata vlerëson të sjellë në vëmendje dhe të analizojë edhe të dhënat e përftuara nga dëshmia e punonjëses së policisë, e cila ka qenë në një lidhje intime me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, konkretisht znj. Brunilda Alikaj. Ndër të tjera në dëshminë e saj ajo ka deklaruar se, e pyetur mbi dijeninë e saj mbi lidhjet e z. Moisi Habilaj dhe z. Saimir Tahiri, e ka pyetur z. Moisi Habilaj dhe se ai i ka thënë se nëna e tij ishte në lidhje e afërt dhe kushërirë me babanë e të pandehurit z. Saimir Tahiri. Ajo vijon deklarimin se, kur e ka pyetur për kuriozitet lidhur me marrëdhënien ndërmjet tyre, ai i ka thënë se e kishte ndihmuar në disa raste, pa i treguar ndonjë rast konkret dhe se ai acarohej po ta pyeste për këtë gjë, pasi kishte një lloj frike nga ajo se mos e pyeste me ndonjë tendencë apo për t’i marrë ndonjë informacion. Ndërkohë në dy pyetjet e bëra ndaj të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj mbi ndihmën apo lidhjet që ai ka pasur me të pandehurin z. Saimir Tahiri, ai ka deklaruar ndër të tjera se nuk ka përfituar asnjëherë ndihmë prej tij dhe se janë kushërinj të largët dhe se nuk kanë asnjë marrëdhënie personale.

893. Gjykata e shkallës së parë në gjykimin e çështjes në themel (shih faqen 118 – 119 të vendimit), duke sjell vëmendje pikën 1 dhe pikën 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale dhe faktin se në pyetjen e të pandehurit në procedim të lidhur fakti i dëshmuar nga znj. Brunilda Alikaj si dëshmi indirekte nuk është pranuar, ka konkluduar se prova dëshmi indirekte në rastin konkret nuk mundet të përdoret dhe se dy deklarimet nuk janë të afta në këtë rast të provojnë faktin objekt akuze se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka ndihmuar të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.

894. Gjykata vlerëson se në këtë pjesë të arsyetimit gjykata e shkallës së parë nuk ka zbatuar drejtë nenin 152 dhe neni 154 të Kodit të Procedurës Penale në vlerësimin si provë dhe dhënien e fuqisë provuese të dëshmisë indirekte të znj. Brunilda Alikaj në raport me të dhënat që rezultojnë nga provat dhe indicet e tjera që ka fashikulli i gjykimit. Kjo mënyrë e gabuar e nenit 152 dhe 154 të Kodit të Procedurës Penale nga ana e gjykatës së shkallës së parë ka ardhur për dy arsye.

895. Së pari, pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale rregullon papërdorshmërinë e dëshmisë indirekte për të dhëna që dëshmitari jo i drejtpërdrejtë ka marrë dijeni nga një subjekt që ka përdorur drejtpërdrejtë shqisat e tij për të perceptuar të dhënën që i ka komunikuar apo njoftuar dëshmitarin jo të drejtpërdrejtë. Gjykata vlerëson se kjo pjesë e dispozitës nuk mundet të zbatohet me analogji dhe nuk mundet të interpretohet në mënyrë të zgjeruar, sikurse ka bërë gjykata e shkallës së parë, për të përfshirë si subjekt që ka perceptuar të dhënat në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të pandehurin, bashkëtëpandehurin apo të pandehurin në një procedim të lidhur.

896. Ky interpretim i zgjeruar i pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale nuk mundet të bëhet në këtë mënyrë sepse ndryshojnë detyrimet ligjore dhe të drejtat kushtetuese për të bashkëtëpandehurit apo të pandehurit në procedim penal të lidhur me detyrimet dhe të drejtat e dëshmitarit sipas rregullimit ligjor përkatës.

897. Gjykata sjell në vëmendje se, sipas pikës 1 të nenit 32 të Kushtetutës dhe shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 34/a të Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri ka të drejtë të heshtë dhe ka të drejtë të përgjigjet sa herë ta vlerësojë e nevojshme, duke mos pasur asnjë përgjegjësi ligjore se pse ndërmjet deklarimeve të tij në çdo fazë dhe shkallë të procesit penal ka kundërthënie. Ndërkohë të drejta të tilla nuk mundet të pranohem dhe nuk ekzistojnë për dëshmitarin, pasi ai është subjekt ndihmës procedural, burim prove, dhe ka detyrimin ligjor të dëshmojë të vërtetën e perceptimeve të tij lidhur me faktin penal historik për të cilin pyetet. Për më tepër neni 306 dhe 307 i Kodit Penal, përkatësisht vepra penale e dëshmisë së rreme dhe vepra penale e refuzimit për të dëshmuar, parashikojnë përgjegjësi penale të dëshmitarit që nuk pranon të vijë në proces dhe për të zbatuar detyrimin ligjor për të dëshmuar apo ai që dëshmon në mënyrë të rreme.

898. Pikërisht për këtë ndryshim ligjor të dëshmitarit me të pandehurin, me të bashkëtëpandehurin apo me të pandehurin në procedim të lidhur nuk mundet të konkludohet se pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale të interpretohet në mënyrë të zgjeruar, pasi do të pranohet se dëshmisë indirekte do t’i nihilizohet fuqia provuese për arsyen se i pandehuri, bashkëipandehuri apo i pandehuri në procedimin penal të lidhur vendosin të përfitojnë nga e drejta për të mos folur apo nga e drejta për të dhënë deklarime sipas vlerësimit të tyre, deklarime këto për të cilat nuk rrjedh kurrfarë përgjegjësie ligjore. Sanksioni procedural i papërdorshmërisë së dëshmisë indirekte në këtë mënyrë duhet të interpretohet në mënyrë të kufizuar, sipas pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale, që do të thotë se duhet të lidhet ekskluzivisht me rastet kur subjekti që ka perceptuar drejtpërdrejtë faktet për të cilat dëshmohet indirekt është dëshmitar.

899. Në rastin objekt gjykimi znj. Brunilda Alikaj ka dëshmuar në mënyrë idirekte se i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj i ka thënë se i pandehuri z. Saimir Tahiri e ka ndihmuar disa herë. Për rrjedhojë mospranimi i këtij fakti prej të pandehurit në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj nuk ka kurrfarë rëndësi juridike për përdorshmërinë e dëshmisë indirekte si provë në procesin penal dhe nga ana tjetër edhe për përcaktimin e fuqisë provuese të kësaj prove.

900. Së dyti, Gjykata vlerëson se pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale nuk gjen zbatim për të konkluduar mbi papërdorshmërinë e dëshmisë indirekte në rastet kur të dhënat e përftuara nga kjo prove konfirmohen nga prova të tjera. Qëllimi i pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale është përftimi nga gjykata i burimit origjinal të provës në mënyrë që të rritet siguria dhe qartësia mbi vërtetësinë e fakteve që njofton ajo. Kjo do të thotë se, nëse dëshmia indirekte përputhet me të dhënat që përftohen nga provat e tjera dhe se konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se fakti ekziston, atëhere zbatimi i pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale nuk ka më kuptim dhe nuk ndjek më asnjë qëllim ligjor dhe se nga zbatimi i këtij rregulli ligjor nuk përftohet asnjë lloj utiliteti juridik për sa i përket garantimit të së drejtës së parashikuar nga neni 30 i Kushtetutës, nenit 6 të KEDNJ dhe nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale.

901. Gjykata sjell në vëmendje se zbatimi i garancisë procedurale të parashikuar nga pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale do të jetë i paderogueshëm atëherë kur njoftimet që rrjedhin nga dëshmia indirekte nuk përputhen apo nuk qartësohen tej çdo dyshimi të arsyeshëm nga provat e tjera të administruara në fashikull.

902. Në rastin konkret kjo provë ka treguar vetëm faktin se i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj i ka thënë dëshmitares znj. Brunilda Alikaj se i pandehuri z. Saimir Tahiri e ka ndihmuar disa herë, duke mos dhënë më tej asnjë njoftim për kohën kur është dhënë kjo ndihmë apo për rrethanat se si është dhënë kjo ndihmë. Në rastin konkret këto të dhëna që ka njoftuar dëshmia indirekte dalin të provuara nga të gjitha provat dhe indicjet e përputhshme të analizuara më lart, konkretisht faktin që ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka ekzistuar një marrëdhënie ndërpersonale e vijueshme në kohë.

903. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se dëshmia indirekte e znj. Brunilda Alikaj është e përdorshme edhe pse ky fakt mohohet nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Por vlera provuese e saj, duke qenë se nuk specifikohet se çfarë ndihme është dhënë dhe se kur është dhënë, kufizohet vetëm tek fakti konkluzion i Gjykatës se ndërmjet këtyre të pandehurve në kohë është zhvilluar një marrëdhënie ndërpersonale e qëndrueshme në kohë.

904. Nga analiza e përgjimeve të tjera të kryera nga autoritetet italiane rezultojnë se pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal kanë përfituar shuma të mëdha parash, prej qindra-mijëra eurosh, nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike dhe tregtimi i saj në Itali. Përgjimet ambientale e bëra nga data 24.02.2014 deri me datë 04.03.2014 tregojnë se ato marrin shumat e parave nga tregtimi i lëndës narkotike të trafikuar prej bashkëpunëtorëve italianë çdo ditë. Në fashikullin e gjykimit 35 (shih faqe 365, akte të marra me letërporosi nga autoritetet e ndjekjes penale italiane) rezultojnë të dhëna të konkluduara nga autoritetet italiane mbi mënyrën se si operonte grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj për të dërguar sasitë e mëdha të parave të fituara nga trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike në Shqipëri.

905. Një nga mënyrat e kryerjes së këtij aktiviteti tregohet nga pyetja e z. Nezar Seiti, i cili ka pranuar se ka transportuar sasi parash nga Italia në Shqipëri me porosi të z. Moisi Habilaj, ku një herë ka qenë me z. Florian Habilaj dhe një herë ka qenë me z. Maridian Sulaj (shih procesverbalin e marrjes në pyetje datë 29.05.2018 të z. Nezar Seiti, Volumi II, faqe 1 – 3). Nga ana tjetër autoritetet italiane kanë konkluduar nga hetimet e kryera se, me qëllim transferimin në Shqipëri të të gjithë sasive të parave të mbledhur gjatë qëndrimit në Siçili të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj kanë shfrytëzuar shërbimet e transportit të një shtetasi shqiptar të identifikuar me shkurtimin e emrit “Melo”. Ky i fundit ishte i njohur i z. Artan Habilaj dhe të dy punonin me kamion, duke transportuar fruta dhe perime nga Italia në Shqipëri.

906. Ato transportonin me frekuencë javore fruta dhe perime nga Italia në Shqipëri. Nga autoritetet italiane është konkluduar se edhe njohja me anëtarin e organizatës kriminale, z. Angelo Busacca, shok i ngushtë i z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, të cilët e thërrisnin “kokë llamba”, ishte bërë pikërisht nga bashkëpunimi që kishin pasur ndërmjet tij, z. Artan Habilaj dhe shtetasit të identifikuar me shkurtimin “Melo”, të cilët ishin njohur dhe kishin bashkëpunuar në veprimet tregtare në tregun e frutave dhe perimeve të Katanias. Ky fakt konfirmohet edhe nga deklarimet e z. Maridian Sulaj lidhur me rolin e z. Angelo Busacca dhe angazhimin e tij tek tregu i frutave perimeve në Vittoria në momentin kur e ka njohur atë përmes fotografisë (shih faqen 11 të fashikullit të emërtuar “Volumi II”, procesverbal i pyetjes së z. Maridian Sulaj me datë 01.02.2018).

907. Në këtë mënyrë autoritetet italiane kanë bërë lidhjen e kontributit të secilit prej këtyre subjekteve në transportimin e parave nga Italia në Shqipëri. Këto fakte lidhen me përgjimet ambientale të bëra nga autoritetet italiane ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, ku ndër të tjera shprehen se “mjafton të kesh 3 persona kështu dhe vjen një herë në muaj dhe merr 100 ose 300 dhe ikën”, komunikim i realizuar para episodit të zbulimit dhe sekuestrimit nga autoritetet italiane të sasisë së lëndës narkotike me datë 28.02.2014. Nga data 24.02.2014 e deri në datë 28.02.2014 nga përgjimet ambientale të bëra në automjetin në përdorim nga z. Moisi Habilaj dalin të dhëna se ato marrin nga z. Antonio Riela sasi të mëdha parash për shitjet e lëndës narkotike të mundësuar nga trafikimi.

908. Gjithashtu në fashikullin nr. 36 (shih faqen 433, përgjime të marra me letërporosi nga autoritetet italiane) rezultojnë të dhëna lidhur me bashkëpunimin e z. Moisi Habilaj, z. Angelo Busacca, z. Artan Habilaj dhe shtetasit të identifikuar me shkurtimin “Melo”. Në këtë material provues të përfituar nga përgjimi rezulton se z. Angelo Busacca i komunikon z. Moisi Habilaj se kanë ngarkuar kamionin e z. Artan Habilaj bashkë me shtetasin “Gimi” dhe “Melo” dhe se z. Moisi Habilaj përgjigjet se ka folur me “Kostaqin” dhe me “Melon” dhe se i ka thënë që të gjithë janë të ngarkuar. Më tej, po në datën 04.03.2014, z. Moisi Habilaj flet në telefon me shtetasin e identifikuar si “Gimi” dhe ai i komunikon se kanë ngarkuar domatet dhe patëllxhanët. Kjo ditë korrespondon me ditën e kthimit të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj nga Italia në Shqipëri nga porti Barit, të cilët, sikurse janë nisur me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB, janë kthyer po me këtë automjet, duke u nisur me datë 04.03.2014 nga Italia dhe duke mbërritur në Shqipëri me datë 05.03.2014. Gjykata sjell në vëmendje se ky udhëtim i tyre në Itali ishte bërë ndër të tjera në kuadër të trafikimit të lëndës narkotike me peshë 289.7 kilogramë të sekuestruar nga autoritet italiane me datë 28.02.2014.

909. Gjykata e gjen të pabazuar në ligj pretendimin e të pandehurit z. Saimir Tahiri lidhur me pamundësinë për të përdorur si koncept, në funksion të arritjes së konkluzionit mbi përgjegjësinë penale të tij, të entitetit “Habilaj” apo “vëllezërit Habilaj”. Gjithashtu Gjykata e gjen të pabazuar në ligj dhe në prova pretendimin e të pandehurit z. Saimir Tahiri lidhur me marrjen si të mirëqenë të faktit se z. Artan Habilaj nuk ka qenë ndonjë herë në hetim dhe se nuk ka qenë i dënuar përgjatë gjithë kohës së shtrirjes së kohës fizike të faktit historik objekt akuze, në funksion të përcaktimit të përgjegjësisë penale të tij mbi akuzën që i kundrejtohet.

910. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se dy nga bashkëtëpandehurit në procedimin fillestar penal nga ku kanë rrjedhur dhe gjeneruar më tej proceset e partikularizuara, apo dy nga të pandehurit në procedim të lidhur janë dy nga vëllezërit Habilaj, konkretisht z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj. Kjo do të thotë se përdorimi i termit “vëllezërit Habilaj” është plotësisht i justifikuar në këtë çështje për të analizuar përgjegjësinë penale të të pandehurit z. Saimir Tahiri.

911. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se autoritetet italiane të drejtësisë kanë identifikuar në krye të herës si pjesë të grupit kriminal të tre vëllezërit Habilaj, z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj, dhe se po në të njëjtën mënyrë janë identifikuar të tre këto subjekte si bashkëpunëtor në të njëjtin aktivitet kriminal nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlorë, Drejtorisë së Sigurisë Publike, Drejtoria e Qarkut të Policisë Vendore Vlorë në rastin e përcjelljes së tre informacioneve operative të marra kundrejt Stacionit të Policisë Selenicë dhe më tej edhe në referimin penal të bërë në Prokurorinë për Krimet e Rënda.

912. Më tej Gjykata sjell në vëmendje të gjitha elementet provues që janë administruar në fashikullin e gjykimit nga hetimet e kryera në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Italisë rezulton se z. Artan Habilaj ka dijeni të plotë që në vitin 2013 mbi aktivitetin kriminal që kryejnë dy vëllezërit e tij dhe se ka të dhëna nga ky material provues se ai ka mundësuar së bashku me personin e identifikuar “Melo”, mikun e tij të tregut fruta-perime në Katania z. Bussaca, dërgimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike nga Italia në Shqipëri përmes udhëtimeve me fluks të madh dhe sistematike me kamionin e realizimit të importit të frutave dhe perimeve. Kjo do të thotë se përdorimi i entitetit “vëllezërit Habilaj” në funksion të përcaktimit të përgjegjësisë penale të të pandehurit z. Saimir Tahiri merr legjitimitet nga të gjitha rrethanat faktike të kësaj çështje dhe nga informacionit që përftohet nga provat e administruara në fashikullin gjykimit.

913. Sigurisht në këtë proces penal nuk mundet të konkludohet mbi fajësinë penale të subjekteve që nuk janë të pandehur dhe kundër të cilëve nuk është ngritur akuzë. Kushdo subjekt i tillë i huaj për këtë procedim penal prezumohet i pafajshëm, sipas nenit 30 të Kushtetutës, nenit 6 të KENDJN dhe nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale. Megjithatë Gjykata sjell në vëmendje se qëllimi i këtij procesi penal është që të individualizojë përgjegjësinë personale të të pandehurit z. Saimir Tahiri nën akuzën e bashkëpunimit të posaçëm në grupin e strukturuar kriminal, sikurse prokuroria e ka emërtuar faktin penal historik në akuzë, apo si do të rezultojë emërtimi i tij nën optikën vlerësuese të Gjykatës, nëse do të konkludohet se ai ka përgjegjësi penale për të. Gjykata në këtë drejtim mban parasysh jurisprudencën nomofilatike të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbi përgjegjësinë penale personale dhe autonome sipas nenit 25 të Kodit Penal në lidhje me veprën penale të kryer në bashkëpunim , konkludon se edhe sikur z. Artan Habilaj në këtë çështje nuk do të ishte person i identifikuar, sërish Gjykata nuk do të kishte kufizime në vlerësimin e fakteve dhe rrethanave që provohen nga ky gjykim në funksion të arritjes së konkluzionit mbi përgjegjësinë penale të të pandehurit z. Saimir Tahiri mbi faktin penal historik.

914. Nga këto të dhëna konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nga aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike ngs Shqipëria në Itali prej grupit të strukturuar kriminal Habilaj janë gjeneruar përfitime të paligjshme të mëdha.
915. Më tej Gjykata sjell në vëmendje edhe një herë disa nga konkluzionet e arritura më lart mbi marrëdhënien ndërpersonale të të pandehurit z. Saimir Tahiri me z. Artan Habilaj dhe me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj përgjatë hapësirës kohore që shtrihet fakti penal historik objekt akuze. Kështu, nga e gjithë analiza e provave të realizuar si më lart, Gjykata ka konkluduar ndër të tjera se:
– së pari, se shpenzimet 145 Euro për Hotelin L’Approdo në Itali janë paguar nga z. Moisi Habilaj në funksion të riparimit të mjetit lundrues të zotëruar nga i pandehuri z. Saimir Tahiri duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime materiale;
– së dyti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka pasur në dispozicion shërbimet e z. Artan Habilaj në dy rastet e udhëtimit në Greqi për dërgimin e automjetit dhe riparimet e mjetit lundrues, edhe duke realizuar shpenzime në funksion të këtij shërbimi, në Gusht të vitit 2014 duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime jomateriale dhe materiale;
– së treti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka pasur në dispozicion shërbimet e z. Moisi Habilaj në rastin e udhëtimit në Itali në Shtator 2014 për riparimin në Brindizi të mjetit lundrues “Auras”, duke realizuar edhe shpenzimet përkatëse në funksion të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime jomateriale dhe materiale;
– së katërti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka përfituar në tre raste përdorimin e mjetit Audi A8 në pronësi të z. Artan Habilaj, duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime jomateriale;
– së pesti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka mbajtur lidhje ndërpersonale të vazhdueshme dhe të qëndrueshme përgjatë periudhës së shtrirjes së faktit historik objekt akuze me z. Artan Habilaj dhe të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, marrëdhënie këto që janë reflektuar edhe në marrëdhëniet familjare të tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme