Përkujtohet masakra në Krushë të Madhe, Miradie Ramadani tregon se si forcat serbe i dogjën me benzinë njerëzit e gjallë

Miradie Ramadani, duke folur për masakrën në Krushë të Rahovecit, rrëfen se si u vranë meshkujt e atij fshati dhe si u detyruan të tjerët të braktisin vatrat e tyre e të shkojnë në Shqipëri.

Miradie Ramadanit nga fshati Krushe e Komunës së Rahovecit, forcat serbe ia vranë burrin dhe 11 kushërinjtë. Zonja Miradie tregon se forcat serbe i detyruan fëmijët që të përshëndeteshin për herë të fundit me baballarët e tyre.

“Meshkujt i larguan nga xhamia dhe neve na vendosën aty. Na detyruan të sillemi rreth e çark për t’u përshëndetur me burrat dhe baballarët sepse na thanë që më nuk do t’i shohim. Burri im ia dha një copë të vogël bukë çikës. Ata i mshuan me pushkë dorës dhe i ra buka nga dora. Na thanë përshëndetuni për herë të fundit. Burri u tha: ‘Nuk kemi bërë asgjë për këto që po na bëni’. Ndërsa ata ia kthyen: ‘nuk i dihet’”, fillon rrëfimin për RTV Dukagjinin, Miradie Ramadani.

Ajo thotë se forcat serbe në Krushë i kanë djegur njerëzit e gjallë.

“I kanë parë duke i hyp meshkujt e Krushës së Madhe nëpër kamiona dhe i kanë kallë me benzinë. 56 refugjatë i kanë kallë lart te xhamia, në një shtëpi”.

Më pastaj Miradia thotë se u detyrua që vetëm me djalin e vogël të largohet për në Gjakovë, pa e ditur se ku i ka anëtaret e tjerë të familjes.

“Në Gjakovë kam përjetuar edhe më shumë tmerr, pasi nuk e kam ditur ku i kam anëtarët e familjes tjetër. Në Gjakovë vetëm krime. Djalin e kam pasur të operuar. Doktori më tha ‘kape djalin e shko në Shqipëri’. I thashë ku të shkoj kur nuk kam askënd atje. Pas dy jave më është futur në ëndërr. Në Gjakovë ditën na lenin të pushonim ndërsa natën na hynin në shtëpia. Mu fut në ëndërr: ‘Çohu shko në Shqipëri se burrin ta kanë vrarë, ndërsa fëmijët i ke në Shqipëri’. Ne e dinim që burrin ma kanë mbytur”, rrëfen më tej Miradia.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme