Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht mbi situatën e përmbytjeve në qytetin e Vlorës, e cila për shkak të motit të përkeqësuar është “zhytur” nën ujë prej dy ditësh.
Sipas ministrisë, situata është përmirësuar dhe të gjitha rrugët janë bërë të kalueshme si nga automjetet ashtu dhe nga kalimtarët.
Sakaq, sqarohet se janë angazhuar 31 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.
Ministria shprehet në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit banorëve të prekur nga përmbytjet u janë dërguar gjithsej 4.5 ton mallra ushqimore, 4.5 ton ujë dhe 200 litra detergjente.
Po kështu, sipas ministrisë së Mbrojtjes, po punohet për evidentimin sa më të shpejtë të sipërfaqes së përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, qendrat shëndetësore dhe çdo infrastrukturë tjetër.
Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut. Të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët.
Po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.
Në ndihmë të bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.
Sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur.
Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë.
Forcat operacionale do të vijojnë punën deri në kthimin e plotë të situatës në normalitet.