Partnerët e koalicionit qeverisë Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë qëndrime të ndryshme për taskën dhe reciprocitetin. Mustafa ka thënë se kjo tarifë duhet të hiqet menjëherë ndërsa për reciprocitetin të vendoset me Amerikën, gjë që nuk po e thotë akoma Albin Kurti.
Albin Kurti kërkon reciprocitet të plotë, duke zëvendësuar taksën e vendosur nga Ramush Haradinaj, mirëpo këtë gjë po e kundërshtojnë ashpër nga SHBA’të, ndërsa Isa Mustafa, për dallim nga Kurti po kërkon t’u bindet amerikanëve, të hiqet taksa pa vendosur reciprocitet.
Kurti, pas marrjes së detyrës së kryeministrit, më 3 shkurt, ka deklaruar që taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, duke e konsideruar këtë masë si një parim të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve.
Mirëpo, Mustafa ka kërkuar që menjëherë të hiqet taksa 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina, por edhe të mos kundërshtohet Amerika.
“SHBA’të kanë qenë lidere të pavarësisë së Kosovë. SHBA’të mund të jenë lidere efektive të përmbylljes së problemeve që i kemi me Serbinë dhe e një politike për ringjallje ekonomike të Kosovës. Thënë shkurt, asnjë tarifë dhe asnjë reciprocitet nuk matet me peshën e partneritetit, sidomos me SHBA-të por dhe me BE’në”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Lidhur me çështjen e reciprocitetit, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar që nuk e mbështetë idenë e Kurtit për futjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Gjithashtu, Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që heqja e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të jetë e rëndësishme për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve.
“Shpresojmë dhe presim që këtë ta bëjë prioritet dhe ta shfrytëzojë momentin që ka dalë pas letrave të qëllimit për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë fjalën e fundit. Kërkojnë heqjen e taksës, por i thonë jo reciprocitetit.