“U mbush kupa, mjaft! Qeveri dil nga bunkeri!”
Më këtë thirrje dhjetra minatorët dhe përfaqësues të sindikatës së tyre dolën para kryeministrisë.
Ata tentuan që të futen me forcë në ambientet e kryeministrisë, por u penguan nga forcat e policisë.
Minatorët me altoparlant i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama nga poshtë dritareve të tij në kryeministri që t’u japë një orë e më parë statusin e minatorit dhe i kanë lënë vetëm 30 minuta afat para se të hyjnë me forcë në selinë e qeverisë.
Sindikata e Minatorëve akuzon qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e statusit të minatorit, të cilin e rrëzoi me votë në seancën parlamentare të 2 shkurtit.
“Zoti kryeministër jeni ju fajtori që arriti puna deri këtu, ju kujtoni se jeni trim se nuk po uleni në debat me ne. Por është e kundërta, jeni frikacak. Ju kujtoni se duke na vënë policinë përpara po zbatoni ligjin, por është e kundërta kryeministër. Ju po përdorni policinë për të mbrojtur veten tuaj, pushtetin dhe padrejtësinë tuaj. Ne nuk jemi për këtë”.
Por cilat janë kërkesat e Sindikatës së Minatorëve?
Fiqiri Xibri: Pensioni minimal që nuk duhet të jetë më pak se 175% të pagës minimale, kërkojmë përshkallëzimin e moshës së pensionit që është turp dhe faqja e zezë që një minator që ka punuar 12 vjet e gjysmë del 55 vjeç në pension dhe një që ka punuar 12 vjet e 5 muaj nuk del dhe del 65 vjeç. Ky është turp e faqja e zezë. Ka edhe kërkesa të tjera pastaj në lidhje me trajtimin shëndetësor, ata që aksidentohen në punë, ata që humbin jetën në punë.
Mazhoranca rrëzoi projektligjin e propozuar nga deputeti Përparim Spahiu me pretendimin se ai binte në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk parashikonte kostot ndërkohë një tjetër draft është duke u përgatitur në lidhje me statusin e minatorit këtë herë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.