Kryeministri Edi Rama, mësohet se u ka dërguar një ftesë instiucioneve të sistemit të drejtësisë, për t’u mbledhur një një tryezë të përbashkët konsultimi për çështjen e pagave të magjistratëve.
Sipas Top Channel, janë ftuar të gjitha institucionet e drejtësisë, ku është njoftuar se takimi do të zhvillohet më 28 shtator në orën 12:30, në ambientet e Kryeministrisë, dhe synon të shërbejë si një pikënisje e një procesi konsultimi dhe dialogu ndërinstitucional për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.
Në këtë ftesë është theksuar se diskutimi do të fokusohet te parimet, kriteret dhe instrumentet që duhet të udhëheqin politikën e pagave, duke marrë në konsideratë qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale dhe porporcionalitetin mes funksioneve dhe përgjegjësive. “Synimi është diskutimi i përbashkët i parimeve dhe elementeve mbi të cilat mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë, sipas standardeve evropiane”, thuhet në ftesë.
Më tej në ftesë theksohet se konsultimi nuk do të kufizohet vetëm te niveli aktual i pagave, por ka për qëllim të përcaktojë një mekanizëm të qëndrueshëm për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre.
Kjo ftesë nga kreu i qeverisë vjen në një moment kur çështja e pagave të magjistratëve është kthyer në një debat institucional mes organeve të drejtësisë dhe ekzekutivit. Kujtojmë se pak ditë më parë Kuvendi miratoi një formulë të re për pagën referuese, duke e rritur me 2% koeficentin, nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit, mirëpo kjo formulë ka hasur kundërshtimin e institucioneve të drejtësisë.
The post Përplasja për pagat e magjistratëve/ Rama fton në tryezë institucionet e drejtësisë: Të flasim për një mekanizëm të ri appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



