Gazetar: Adnan Qaili
Edhe koncesionet për minierat Illovica-Shtuka kanë përplasur në Kuvend pozitën dhe opozitën. Nga VMRO DPMNE parashtruan pyetje përse u lejua bashkimi i koncesioneve, kur dihej se pa u përmbushur kushtet, po i jepet mundësi ligjore kompanive private të fitojnë në një gjykatë arbitrazhi.
Toni Jarevski thotë se më 27.06.2023, në një seancë të kësaj Qeverie, në të cilën ishin të gjithë të pranishëm, kishin në rendin e ditës një pikë shtesë për bashkimin e koncesioneve të minierës dhe pas kësaj, askush nuk e di se çfarë është votuar. Duke përmendur me emra Ministrat e resorëve që kanë qenë të pranishëm në seancë, deputeti i VMRO-DPMNE-së tha se tinëzisht kanë dashur të zhbllokojnë procesin për bashkimin e Minierave të arit dhe bakrit, ndonëse dihej që nuk do bëheshin.
“Pse lejuat bashkimin e koncesioneve sepse kishit informacione se qytetarët ishin kundër hapjes së një miniere, përkatësisht me këtë veprim i keni dhënë mundësi juridike firmës së Destanit, që të mund ta padisë Maqedoninë dhe të humb lëndën në arbitrazh duke i paguar mbi 1 miliard euro nga buxheti i shtetit Destanit dhe EuroMax Resources dhe po pyesni pse koncesioni nuk ishte ndërprerë deri atëherë dhe pse një mashtrim i tillë për shkrirjen e koncesioneve dhe më pas ndarjen e tyre përsëri”, tha Toni Jarevski, Deputet nga VMRO-DPMNE.
Ministri i Ekonomisë u përgjigj që kjo e ka zanafillën që nga viti 2005 kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE.
Kreshnik Bekteshi dje para mediave sqaroi procedurat e shkoqitjes së këtij ngërçi, se duhet të gjendet një akt për të hequr dorë njëanshëm nga marrëveshja me koncesionin pa paguar dëmshpërblim.
“Kur të përmendi emra, thoni të gjithë! Përmendeni Orce Kamçevin, dhe Zoran Stavrevskin që ju ka shkruar fjalimin nga Pallati Bardhë sepse ai e ka dhënë koncesionin. Do ta përmendni edhe Nikolla Gruevskin, që e ka firmosur koncesionin për eksploatim. Nëse keni frikë është çështja juaja dhe këtë e vërejnë të gjithë. E di përse nuk i përmendni sepse më dukeni sikur një tubacion ujësjellësi që mund t’ju ndal dikush ventilin”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Replikoi edhe Kryeministri Kovaçevski, duke thënë se gjitha pëlqimet institucionale në kohën e Gruevskit u dhanë në favor të koncesionarit se nuk përbën rrezik për eksploatimin e xeheve, duke përdor Cianid. Ai pranon se ajo minierë nuk do hapet kurrë derisa rrezikon shëndetin e njerëzve dhe dëmton ambientin.
“Edhe Prokuroria Publike ka qasje në ato dokumente, nuk po them se dikush ka pasur qëllime të këqija apo anasjelltas, që përmenda janë akoma aktiv në Kuvend dhe partinë tuaj, mbase kanë ndryshuar mendim por të dalin ta thonë: tani mund të ndikoj keq në mjedisin jetësor, kurse atëherë nuk ju ka ndikuar keq! Le ta thonë a ndikon në kultura bujqësore, shikoni edhe vendimet e komunave Bosillovo dhe Novo Sello, si kryetarët ashtu edhe këshillat atë kohë ishin nga VMRO DPMNE”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Me Vendimin e fundit para dy ditësh të Qeverisë, pezullohet vendimi i një muaji më parë, duke ndaluar së vazhduari mundësia për bashkimin e koncesioneve Illovica-Shtuka. Por, problemi nuk është zgjidhur, pasi që koncesionari ka të drejtë ligjore të bëjë kërkesë të re ose ta padit shtetin në Gjykatën administrative për zhbërjen e vendimit ashtu edhe në Gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit për dëmshpërblim nëse përfundimisht nuk lejohet hapja e minierave të arit dhe bakrit në rajonin e Strumicës. /Alsat.mk