Gazetare: Linda Ebibi
Janë konfirmuar dy raste të lisë së majmunëve në vend. Bëhet fjalë për dy persona të moshës 40 dhe 44 vjeçare nga Shkupi. Pacientët nuk kanë udhëtuar jashtë vendit dhe rastet nuk janë të lidhura mes vete, konfirmoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik. Njëri nga të infektuarit është shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
“Sipas të dhënave që i kemi dhe sipas rrëfimit të tyre bëhet fjalë për raste që nuk janë të lidhura. Nuk kanë udhëtuar diku jashtë. Pra këto janë rrëfimet e tyre që ende nuk e dimë nëse janë të besueshme. Nuk do të hyja në detaje për shkak që të mbrohet privatësia. Është duke rrjedhë ende procesi për marrjen e informacioneve të tjera nga pacientët”, tha Marija Andonovska, drejtoreshë e ISHP.
Drejtori i Klinikës Infektive tha se pacienti i shtruar te ta është në gjendje të mirë shëndetësore, dhe të vetëm simptomë që ka është ndryshimi në lëkurë.
“Me vërtetim laboratorik ne patjetër duhet ta vëzhgojmë…Pacienti mohon se ka pasur çfarëdo simptome përveç asaj që ka pasur ndryshime në lëkurë, konkretisht në zonën gjenitale dhe që ka qenë motiv që të paraqitet në dermatolog”, tha Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive.
Transmetimi i lisë së majmunit nga njeriu te njeriu mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit me material infektiv, duke përfshirë prekjen, kontaktin e ngushtë dhe marrëdhëniet seksuale. Mund të përhapet edhe përmes shpërndarjes se pështymës gjatë të folurit, kollitjes ose teshtitjes. Institucionet shëndetësore thonë se nuk ka vend për panik./ Alsat.mk