Ka dy muaj që personat me diabet kanë mbetur pa u furnizuar me insulinë dhe janë detyruar t’i sigurojnë vetë ato, raporton KTV.
Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Shëndetësisë arriti t’i furnizojë QKMF-të me vetëm disa lloje të insulinës, pasi që nga gjashtë lloje sa kërkohen për diabetikët, dy prej tyre sërish mungojnë.
Në fund të javës së kaluar, kjo ministri nisi shpërndarjen e këtij ilaçi, ndërkaq pacientët, nga frika se mund të mbesin sërish pa të, vrapuan ta marrin, gjë që shkaktoi tollovi të mëdha.
Fluksi i qytetarëve të hënën ishte aq i madh saqë diabetikët pritën në radhë të gjata me orë të tëra.
Në krahasim me kërkesën, numri i insulinës është i vogël. Drejtoria e Shëndetësisë po planifikon që të instalojë sistemin me numra në barnatoren e kësaj qendre.
Një ditë pas, numri i pacientëve që kërkonin insulinë ishte më i vogël, ndërkaq vetëm brenda pak ditëve, pothuajse e gjithë sasia u harxhua.