Përqendrimi i investimeve në sektorin e ndërtimit e ka rritur më tej peshën e këtij sektori në strukturën e ekonomisë shqiptare. Gjatë vitit të kaluar, ndërtimi zuri rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rëndësinë që ka në ekonomi.
Të dhënat krahasuese që u publikuan së fundmi nga INSTAT tregojnë se, përveç Kosovës, e cila gjithashtu ka përqendrim të investime në ndërtim, në vendet e tjera, sektori zë 5-7% të PBB.
Në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë, industria është dega kryesore e ekonomisëm që kontribuon më shumë se 23% në PBB-në e vendeve.
Në Maqedoninë e Veriut, industria zë 19% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri më pak 14%. Edhe pse me peshë më të ulët industria në Shqipëri është më pak produktive pasi mbështetet në njësi prodhimi të industrisë fasone të tekstil-këpucës që punojnë me material porositësi, ndërsa në rajon, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnjë, dega e industrisë është e lidhur me zinxhirin e industrisë automative, e cila ka norma më të larta fitimi dhe prodhon paga më të larta për punonjësit.
Struktura e ekonomisë shqiptare prej dekadash ka mbetur e njëjtë dhe nuk po mundet të riorientohet në zinxhirë të prodhimit që sigurojnë të ardhura më të larta.
Edhe pse shanset në këtë drejtim janë rritur vitet e fundit me transferimin e disa njësive për prodhimin e elementëve të thjeshtë të industrisë automative të tilla si kabllot, vendi po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore.
Norma e larta të emigrimit të të rinjve po e bëjnë vendin jo atraktiv për transferimin e njësive të prodhimit. Gjithsesi me dimensionet e reja të gjeopolitikës globale, ku zinxhirët e prodhimit po transferohen sipas aleancave të reja globale, Shqipëria ka shanse të larta për të tërhequr investitorë me potencial.
Me gjithë zhvillimet e pritshme sektori i ndërtimit do të vijojë të ketë një kontribut në rritje në ekonominë e vendit si pasojë e zgjerimit të lejeve dhe projekteve të reja në Tiranë dhe zonat bregdetare./MONITOR