Drejtori i Programit për Paqe dhe Drejtësi në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias, David L. Philips, ka shkruar për raportet mes Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht për urdhërarrestet e lëshuara nga Serbia, ndërtimin e murit në Veri dhe për rrjedhojën e dialogut Prishtinë – Beograd.
Ai i ka quajtur veprimet e fundit të Serbisë si tendencë dhe vullnet nga ana e autoriteteve serbe për të vazhduar konfliktin mes vendeve.
“Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, u arrestua në Paris më 4 janar në kuadrin e një fletëarresti 11-vjeçar të Interpolit të kërkuar nga Serbia. Qeveria e Serbisë i kërkoi Francës të ekstradojë Haradinajn për t’u përballur me akuzat për krime lufte. Franca duhet të refuzojë kërkesën për ekstradim dhe të lirojë Ramush Haradinajn, i cili tashmë është shpallur dy herë i pafajshëm për këtë akuzë nga gjykatat ndërkombëtare. Arrestimi i Haradinajt në Paris i ka fryrë zjarrit të konfliktit në Ballkan.
“Kërkesa për ekstradim është një akt lufte”, më tha një intelektual kosovar. “Konflikti do të shpërthejë haptazi nëse Franca e dërgon atë në Serbi.”Nacionalizmi serb shkaktoi spastrimet etnike në vitet ‘90, të cilat shkatërruan Jugosllavinë. Serbia e sotme nuk është shumë më e ndryshme se Serbia e Millosheviqit, pavarësisht nga fasada e saj e civilizuar. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, vazhdon të mbajë lart flamurin e luftërave të Millosheviçit, që synojnë pushtimin e fqinjëve dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Ministria e Brendshme e kryeministrit Aleksandar Vucic insiston në arrestimin e Haradinajt, duke luajtur kartën e ndjenjave nacionaliste të Serbisë. Në vitin 1999, Serbia pushtoi rreth 20 për qind të Kosovës në veri të lumit Ibër. Një mur u ndërtua në Mitrovicë për të ndarë formalisht qytetin. Veprimet e fundit të Beogradit tregojnë vazhdimësinë e vullnetit të tij për të dëmtuar Kosovën.
Kapitulli 35 i procesit të pranimit të Serbisë në BE kërkon vullnetin e mirë të Beogradit në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Manipulimi me fletëarrestin e Interpolit përbën një shkelje të qartë të këtij angazhimi. Thënë më thjesht, normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një farsë, përsa kohë që Serbia vazhdon të shkelë sovranitetin e Kosovës. Kosova duhet të vendosë tërheqjen e Serbisë nga Mitrovica e Veriut si kusht për rifillimin e dialogut politik të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve. Bashkimi Evropian duhet të pezullojë bisedimet me Beogradin për anëtarësimin e Serbisë në BE, përsa kohë Kosovës nuk i rikthehet integriteti territorial. Tashmë barra bie mbi Serbinë.
Normalizimi i marrëdhënieve fillon me tërheqjen e kërkesës për arrestimin e Haradinajt. Për më tepër, Serbia duhet ti japë fund pushtimit të Mitrovicës, dhe duhet të ndalojë fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës nga BE. Milloseviçi zhvarrosi Princ Llazarin, i cili u vra në Betejën e Kosovës në vitin 1389. Eshtrat e Llazarit u parakaluan në të gjithë vendin për të nxitur nacionalizmin serb. Virusi i nacionalizmit serb është ende gjallë dhe në shëndet të plotë. Ka ardhur koha për ta varrosur Prince Llazarin një herë e mirë.
David L. Phillips është drejtor i Programit Paqe dhe Drejtësi në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Kolumbias Ai ka shërbyer si këshilltar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit nga vitet 1999-2001. Phillips është autor i librit “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia e dorës së fortë dhe ndërhyrja amerikane.”