Gazetar: Mahir Tahiri
Sporti i ping pongut është jashtëzakonisht i popullarizuar ndërkombëtarisht, por viteve të fundit po humb shkëlqimin te gjeneratat e reja në vendin tonë. Ato më të vjetrat e kujtojmë përmes sukseseve individuale dhe në nivel të klubit. I tillë është rasti me Agon Saitin i cili mban rekordin me 13 tituj individual në kategorinë e seniorëve në Maqedoni, ndërsa të shumtë janë trofetë në kategoritë më të reja. Tani si profesor universitar mundohet që të përcjell njohurit e tij gjeneratave të reja, të cilat po mungojnë.
“Është për të ardhur keq që sipas meje dhe ekspertëve dhe njohësve të mirë të sportit , ping pongu bie në nivelin e sporteve të ndërlikuara, edhe atraktive dhe është interesante për gjeneratat e reja, por edhe për ata që janë në moshë, ose më të moshuarit… . Mirëpo ping pongu si sportet e tjera të vogla, nëse nuk ka përkrahje nga shteti, me të hollat të cilat mund të sigurojnë të themi mbarëvajtjen e proceseve stërvitore është e pamundur të ekzistonim”, tha Agon Saiti, trajner te Klubi i ping pongut “Risovi”.
Kushtet e vështira dhe mospasja e një palestre të specializuar, janë një nga problemet më kryesoret, të cilat po e godasin këtë sport viteve të fundit.
“Te ne, lojtarët e Maqedonisë, në vitet e fundit, nuk arrijnë që të paraqiten në mënyrë dinjitoze , e jo më të flasim për ndonjë titull ose rezultat. Fillimisht kështu do të kishte qenë, nëse unë isha pjesë e Federatës, të organizohemi në nivelin e infrastrukturës, të investohet në një sallë, sidomos Shkupit i mungon një sallë profesionale për ping pong”, shtoi Agon Saiti, trajner te Klubi i ping pongut “Risovi”.
Saiti akuzon edhe Federatën e Ping Pungut të Maqedonisë, e cila ka buxhetin e madh, por se të hollat harxhohen sa për sy e faqe.
“Federata për momentin ka të holla më së shumti si asnjëherë në historinë e vet, sidomos këto 3 -4 vitet e fundit, kam dëgjuar se shifrat arrin deri më 120-130 mijë euro, të cilat deri tani kanë qenë të paimagjinueshme në kohën kur unë kam luajtur. Ato të holla nuk e di se si menaxhohen por kryesisht janë në pro forma. Organizojnë aktivitet vetëm me qëllim që të dalin me foto dhe të arsyetojnë ato mjetet të cilat i kanë marrë prej Agjencisë, por aspak nuk shkojnë aty ku duhet”, deklaroi Agon Saiti, trajner te Klubi i ping pongut “Risovi”.
Saiti planifikon që të ndryshojë emrin e klubin në një emër ndërkombëtar, me të cilin do të nxisë sponsorët e ndryshëm që të përkrahin fëmijët që të merren me këtë sport, ndërsa në klubin e ri fëmijët do të shoqëroheshin edhe në aktivitet e tjera plotësuese.
“Sporti përndryshe nënkupton edhe edukim, zhvillim të drejtë. Krijojmë në klub edhe shprehi pozitive në klub. Neve si klub përveç ping ponguit do të organizojmë edhe skijim ose ecje në male, kështu që nuk është vetëm rezultati por është shumë më tepër se sa ajo që mund një prind të imagjinojë”, u shpreh Agon Saiti, trajner te Klubi i ping pongut “Risovi”.