Vihet në pranga autori i dyshuar që plagosi me thikë një 21-vjeçar ditën e djeshme në lagjen nr. 13 në Durrës. Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Ergys Pjeçi, 38 vjeç, banues në Durrës.
“Në kuadër të operacionit “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë bërë të mundur identifikimin në kohë rekord dhe kapjen e shtetasit E. P., i cili dyshohet se në vendin e quajtur ‘Baza e Hekurudhave’ ka plagosur me thikë shtetasin L. I., 21 vjeç, banues në Durrës”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ergys Pjeçit, janë gjetur thika me të cilën ai dyshohet se ka kryer plagosjen dhe disa pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Pajisjet janë sekuestruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të cilët vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.
Në përfundim të veprimeve, Ergys Pjeçi u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet në kohë rekord plagosja e rëndë me thikë e 21-vjeçarit, e ndodhur dje, në lagjen nr.13.
Policia, në kuadër të operacionit “Baza”, identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes, si dhe sekuestron armën e krimit.
Gjatë operacionit, autorit të dyshuar i janë gjetur në banesë, pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës, ishte paraqitur një shtetas i plagosur rëndë me mjet prerës, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes.
Në kuadër të operacionit “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë bërë të mundur identifikimin në kohë rekord dhe kapjen shtetasit E. P., i cili dyshohet se në vendin e quajtur “Baza e Hekurudhave”, ka plagosur me thikë, shtetasin L. I., 21 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ergys Pjeçi janë gjetur thika me të cilën ai dyshohet se ka kryer krimin dhe disa pajisje të cilat dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Pajisjet janë sekuestruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të cilët vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. P., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.