Një plan i përgatitur nga Ministria e Brendshme turke në bashkëpunim me disa agjenci të interesuara, parashikon që disa të ashtuquajtura “anije evakuimi” të qëndrojnë në det pranë Stambollit për të marrë viktimat e tërmetit nga provinca, në rastin e ndonjë tërmeti të madh të mundshëm në rajonin e Marmarsë.
Duket se diçka e tillë është e pritshme. Plani për Stambollin, një nga qytetet më të populluara të Turqisë me 16 milion banorë, është përgatitur nga Ministria e Brendshme, Zyra e Guvernatorit të Stambollit, Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dhe komanda e xhandarmërisë provincial.
Ai propozon katër mënyra evakuimi, duke përfshirë detin, ajrin, tokën dhe rrugët hekurudhore, në rast se godet një tërmet i magnitudës 7.5. “Ka 23 qendra evakuimi në Stamboll. Ne si fillim, do të mbledhim njerëz në këto qendra“, tha Metin Günal, koloneli i xhandarmërisë për transmetuesin kombëtar, TRT.
Plani prek edhe rreth 18 qytete në rajonet perëndimore, lindore dhe jugore të Turqisë duke i cilësuar si “provinca mbështetëse”. “Si hapi i dytë, ne do të evakuojmë njerëzit nga Stambolli në këto qytete ‘duke përdorur të gjitha mjetet e transportit“, shtoi Gunal. Në mesin e këtyre zonave mbështetëse janë dhe disa pika të njohura turistike si Izmiri, Konia e Antalia.
Ndërkohë, linja e parë e evakuimit konsiderohet ajo detare, e për këtë qëllim, 6 kalata tragetesh do të shndërrohen në “qendra evakuimi në det”./TCH