Sundimi i rendit dhe i ligjit do të jetë prioriteti kryesor i të nominuarit për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe të tjerët, Ramush Haradinaj.
Ky është premtimi publik, të cilin e ka zënë në gojë më së shumti kreu i AAK-së. Megjithatë Haradinaj, i cili përfaqëson krahun e luftës në garën zgjedhore e as partnerët e tjerë që janë provuar në qeverisje, nuk kanë treguar rrugën që do ta ndjekin për ta instaluar shtetin e së drejtës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Haradinaj ka refuzuar të tregojë nëse është e mundur të bëhet çkapja e shtetit me PDK-në, të cilën derisa nuk hyri në koalicion e akuzonte për kapje të shtetit. Haradinaj vazhdon të trumbetojë se është i fokusuar në tema qeverisëse që do ta transformojnë vendin pavarësisht të kaluarës së partnerit. Çështja e parë, të cilën do ta adresojë sapo të marrë qeverinë, sipas Haradinajt, do të jetë themelimi i ushtrisë së Kosovës.
Koalicioni rreth PDK-së përkatësisht AAK-ja, të cilën e udhëheq i nominuari për kryeministër, është i vetmi subjekt politik që nuk ka ofruar të dhëna në lidhje me pyetjet specifike që gazeta i ka adresuar rreth përmbajtjes programore. Në mungesë të një programi publik gazeta është shërbyer me deklaratat publike të të nominuarit dhe partnerëve të tjerë në koalicion.