Plani i Sadri Ramabajës për vrasjen e “tradhtarëve” në krye me Hashim Thaçin

Sadri Ramabaja, besonte se një grup prej 10 anëtarësh, do të mund t’i vrasin 30 udhëheqës politikë në Kosovë dhe mos të zbulohen nga shteti.

Ai e shihte me rrezik zgjerimin e anëtarëve të “Syrit të Popullit”. Ramabaja, pretendonte se në Kosovë veprojnë 38 shërbime të huaja të spiunazhit

Insajderi, sjell pretendimet e Prokurorisë kundër Sadri Ramabajës.

Sadri Ramabajës, nuk dëshironte që lista e pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit” të kishte më shumë se 10 anëtarë, pretendon Prokuroria.

Ramabaja, besonte se me kaq anëtarë do të vriteshin 30 zyrtarë shteti në Kosovë dhe mos të zbuloheshin kurrë.

Sa më shumë që do të zgjerohej kjo listë “patriotësh” për vrasje “tradhtarësh” në krye me presidentin, Hashim Thaçi, rreziku do të ishte më i madh.

Anëtari i Vetëvendosjes, pretendonte se në Kosovë veprojnë 38 shërbime të huaja, të cilat mund ta rrezikojnë misionin e tyre.

Përfshirjen e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në planifikimin e vrasjes “tradhtarëve”, pretendohet se e ka zbuluar Njësia kundër terrorizmit e Policisë së Kosovës.

Pretendime të rënda për përfshirje në këtë komplot që ka rezultuar me plagosjen me armë zjarri të avokatit, Azem Vllasi janë renditur në kërkesën e prokurorit special, Sylë Hoxha për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh për Sadri Ramabajën.

Insajderi ka siguruar një kopje të saj.

Image

 

Kësisoj, Ramabaja, që u arrestuar gjatë fundjavës në Durrës duke u përpjekur të ikte nga Kosova, me dokumente të bashkëpartiakut të tij, Xhevat Bislimi, tashmë ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh.

Policia ka zbuluar se Ramabaja e kishte diskutuar me 11 mars 2017 planin e vrasjeve më Murat Jasharin në restorantin “Vila Panorama” në Matiçan të Prishtinës.

Prokuroria ka thënë se Sadri Ramabaja, ka mbajtur kontakte me shtetasen rumune Mona Agrigoroaiei, ndaj të cilës janë zgjeruar hetimet për të njëjtat vepra penale si pjesëtare e organizatës kriminale “Syri i Popullit”.

“Më datën 11 mars 2017, Ramabaja është takuar më të pandehurin Murat Jasharin në restorantin ‘Villa Panorama’ në fshatin Matiçan. Në këtë takim janë përmendur grupe të personave prej 10 vetë”, shkruan në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

“Aty saktësohet se në këtë takim, Ramabaja ka sugjeruar që grupi mos të zgjerohet me më shumë se 10 persona.

“Ramabaja i ka thënë (Murat Jasharit v.j.) ‘po të sugjeroj që mos më u zgjerua më shumë se 10 veta. Identifikimi i njerëzve është i rrezikshëm. Ti nuk mundësh më nga ky kënd, sepse në Kosovë janë 38 shërbime. Kushdo që përdor banka nuk ka shanse pa u zbulua. Me 10 veta duhet me u krye. 5-6 veta shumë të besueshëm, nuk guxon ashtu të zgjerohesh’”, pretendohet se ka thënë Ramabaja në këtë takim.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Avni LLumnica. Në këtë takim, Ramabaja i ka dhënë Murat Jashart numrin e telefonit të Ramiz Mavriqit, i cili më vonë e kishte kontaktuar avokatin Azem Vllasi dhe i kishte caktuar një takim.

Në atë “takim”, Murat Jashari kishte provuar ta vriste Azem Vllasin, duke e plagosur me një plumb në krah.

Si i dyshuar në këtë rast përmendet edhe personi Ragip Sallova.

Avokati i Ramabajës, Ramiz Krasniqi ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë. Ai e ka pohuar se Ramabaja po largohej nga Kosova, që sipas tij nuk donte t’i ikte drejtësisë, por të shpëtonte nga një plan i vrasjes së tij.

Krasniqi ka thënë se anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte marrë një informatë nga një pjesëtar i AKI-së që të largohej përkohësisht nga Kosova për shkak se ai dhe familja e tij janë në rrezik.

“Po është fakt i pamohueshëm. Ky ka ikur nga Kosova sepse ka qenë seriozisht i kërcënuar prej disa shërbimeve të caktuara”, ka thënë avokati Krasniqi.

“Ky ka marrë informatë nga një pjesëtar i AKI-së i cili e ka sugjeruar që të largohet për një kohë të caktuar nga Kosova sepse jeta e tij dhe e familjes është seriozisht e rrezikuar”, ka shtuar avokati.

Kur është pyetur se pse nuk ka kërkuar mbrojtje nga shteti për shkak “të rrezikut”, Krasniqi ka thënë se klienti i tij dyshon se Policia ia ka montuar rastin.

Dy ditë pas plagosjes së Azem Vllasit, Insajderi kishte botuar rrëfimin e Murat Jasharit. Në këtë rrëfim të dhënë në Gjykatë, Murat Jashari kishte folur në detaje për planet e tij. Ditën e sulmit, ai ishte zgjuar fiks në 05:46. Kishte larë sytë, e më pas kishte ndezur një cigare. Fiks 18 minuta më vonë kishte kryer dy obligime fetare, një të fesë myslimane e një tjetër të fesë katolike.

Pak kohë më vonë do të pinte një gotë raki dhe do të provonte ta vriste Azem Vllasin.

“Në ora 06.04 kam marrë abdes, jam kthyer nga Manastiri qyteti i shenjtë i yni, kam ba kryq për ortodoksë shqiptarë, për katolikë shqiptarë, paraardhësit tanë dhe ata qe jetojnë. Katër reqate i kam falë, babë e nën mysliman, dova nuk di por për hir të prindërve dhe myslimaneve popullit tim shqiptar”, kishte rrefyer Jashari, para gjyqtares së procedurës paraprake në Gjykatën Alltëne Mureseli.

Pasi kishte kryer ritet fetare, në orën 06:45 Jashari rrëfen sesi kishte nxjerrë revolen dhe në të kishte futur një plumb.

Më pas ishte nisur nga hotel “Fontana” që gjendet në periferi të kryeqytetit, kishte zbritur në qendër. Aty kishte blerë gazetat ditore dhe kishte hyrë në lokal.

“Kam pi një kafe, një gotë raki, një gotë ujë…”, rrëfente Jashari.

Kishte pritur deri sa të bëhej ora 07:40. Pesë minuta më vonë, Jashari kishte filluar ta bëjë planin për të shkuar në zyrën e Vllasit, të cilin e plagosi. Jashari thoshte se nuk e ka pasur në plan të vras atë.

“Në ora 07:45 shkova me rrahë në zile tek Azem Vllasi. Doli në derë por nuk e hapi derën si shqiptar, dhe me pyeti se kush jam. Kam thënë Avniu jam. Për çka ke ardhë, jam prej Matiqani dhe kam një kontest”, ka thënë Jashari.

Jashari kishte rrëfyer ka dashur vetëm ta plagosë Vllasin. Madje sipas tij, ai e ka gjuajtur në bark e jo në kraharor.

“E kam gjuajtur me mendimi timin në bark për ta plagosur, dhe e kam gjuajtur me vetëm një plumb, vetëm që të hjek edhe ky person për jetë”, rrëfente Jashari.

Gjatë rrëfimit, ai kishte thënë se vuan nga probleme psikike.

“Me Azem VIlasin kam urrejtje patologjike për të gjitha çka i ka bërë në vitet tetëdhjeta. Kam pas për qëllim për 11.03.2017 me e plagos që të hjek në këtë bazë”, kishte thënë Jashari. /Insajderi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme