PLD dhe Trajanovi dorëzuan nismë për një njësi zgjedhore, VMRO-ja mbështet idenë

Gazetare: Ajnur Bafqari

PLD dhe LD-ja e Pavle Trajanovit, iniciojnë ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor me çka propozojnë që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore. Ato pretendojnë se me këto propozim ndryshime do të nxitet demokracia në procesin zgjedhor në vend. Sipas Pavle Trajanovit, me këto ndryshime parashikohet që pas secilit deputet të qëndrojë numri i njëjtë i votuesve dhe jo sikurse deri tani, që në njësinë e gjashtë deputeti zgjidhej me 6300 vota, ndërsa në njësinë e tretë zgjedhore me 10 mijë vota.

“Propozojmë te mbetet modeli proporcional, pa prag zgjedhor, ndërsa deputetët të llogariten sipas modelit të Dontit. Lidhur me idenë për listat e hapura, vlerësojmë se e njëjta akoma nuk është mësuar mire, ndërsa përvojat e shteteve tjera kanë treguar shumë dobësi”, thonë nga LD-ja.

“Japim mbështetje të fuqishme për futjen e një njësie zgjedhore, lista të hapura si dhe kyçjen e propozimeve të sektorit civil për listat e pavarura në krijimin e kodit të ri zgjedhor”, thonë nga PLD.

Duket se vendi është më afër transformimit në këtë model, pasi për një njësi zgjedhore janë deklaruar shumë parti parlamentare. Një propozim të tillë e mbështet VMRO-DPMNE-ja, por kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nevojitet edhe mundësia që të votojë edhe diaspora.

“Nuk jemi ulur me askënd deri më tani që të flasim, por parimisht si VMRO-DPMNE, si grup parlamentar i VMRO-DPMNE-së, ne do të mbështesim një njësi zgjedhore ku do të ketë të drejtë të votojë edhe diaspora…përndryshe nuk kemi debat politik, ose ndonjë axhendë tonën që të ulemi të kërkojmë kompromis, konsensus dhe kështu me radhë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Koalicioni VLEN thotë se për një vendim të tillë duhet të ketë një konsensus më gjithëpërfshirës.

“ Unë mendoj se këto lloj propozimesh kërkojnë një konsensus të plotë si ndërpartiak, ashtu edhe me shoqërinë civile sepse prekin jashtëzakonisht shumë fushën politike në shtet dhe besoj se këtu duhet ulur, se ka pasur disa propozime për 3 njësi, 8 njësi, 1 njësi. Propozime ka pas, por këtu për të qenë më serioz dhe thelbësorë duhet të ulemi, të kemi një debat të përgjithshëm”, u shpreh Bekim Qoku, VLEN.

BDI në një vijë me PLD-në dhe LD-në e Pavle Trajanovit, e mbështet modelin një njësi zgjedhore, por thonë se ata vetë do ta bëjnë një propozim të tillë.

“BDI, propozon ndryshimin e modelit aktual zgjedhor nga gjashtë njësi në një njësi të vetme zgjedhore, me lista të hapura, me vendosjen e një pragu zgjedhor prej 3 % të votuesve të regjistruar, ose alternativisht, një prag prej 5 % të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje”, thonë nga BDI.

Pro modelit për një njësi zgjedhore është edhe E majta.

“Absolutisht, në programin politik të së Majtës nga viti 2016, ekziston ai koncept për një njësi zgjedhore dhe dua të rikujtoj se në fillim të këtij mandati, kur u sollën ndryshimet për hapjen e 5 ministrive të reja, shumicës i nevojitej shumicë prej dy të tretave dhe ne i ofruam 6 deputetët tanë hapur, që të arrihet ai prag, të hapen ministritë e reja, por për kthim, të votojmë ligj për një njësi zgjedhore”, u shpreh Amar Mecinoviç, E Majta.

Deputeti i ASH-së së Arben Taravarit, Halil Snopçe, thotë se mbështesin listat e hapura, por jo edhe modelin me një njësi zgjedhore. Ky debat është hapur disa herë në 15 vitet e fundit, por nuk ka marrë mbështetjen e përbërjeve të kaluara parlamentare. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme