Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai përmes një postimi në Facebook ka reaguar për siç shkruan ai kërcënimi me jetë “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI” që e ka pranuar në mejllin e tij zyrtar. Sipas Fetait një kërcënim i tillë vjen një ditë pas deklaratës së tij për mënjanimin e përkufizimit të 20 përqindëshit për gjuhën shqipe.
Në vazhdim ju sjellim postimin e plotë të Fetait.
Reagim pas kërcënimit me jetë “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI”
Sot, nga kryeqendra evropiane, Brukseli, ndjehem i detyruar të reagoj për një kërcënim me jetë që kam pranuar në emailin tim zyrtar. Ky kërcënim erdhi pas deklaratës time të djeshme për mënjanimin e përkufizimit “20 për qind” për gjuhën shqipe.
Emaili titullohet “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI” dhe përmban këtë mesazh: “20 përqindëshi nuk do të ndryshohet, por gjithçka shiptare do t’ju vrasim me plumb në kokë. Të ngordhni, shiptar i vdekur, shiptar i mirë; vdekje për shiptarët.”
Nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij kërcënimi. Njoftoj kërcënuesin dhe opinionin se e kam informuar personalisht ministrin e brendshëm, Pançe Toshkovski, duke kërkuar veprim dhe rritje të masave të sigurisë sime personale. Padia është në përgatitje, pasi kërcënuesit dhe ekstremistët duhet të marrin përgjigjen e merituar: dënim me burg sipas ligjeve në fuqi.
Njëkohësisht, u bëjmë me dije të gjithë atyre që kanë mendësi tribale se nuk ka fuqi që na ndalon nga përgjegjësia që kemi marrë si funksionarë të koalicionit VLEN. Kujtoj të gjithë se gjuha shqipe nuk kërcënon asgjë dhe askënd. Gjuha është pasuri, mjet komunikimi që shërben për t’u kuptuar dhe bashkëpunuar, prandaj, assesi nuk do të lejojmë që gjuha shqipe të jetë pretekst për matrapazët e këtij soji të pengojnë punën tonë.
Mbetemi të fokusuar në rrugën evropiane.
Të fala nga Brukseli!