Me nxehjen e motit, Shqipëria tashmë ka hyrë ne sezonin e zjarreve, ndërsa autoritetet duhet të marrin masa për shuarjen dhe parandalimin e flakëve.
Prej disa orëve ishulli i Sazanit është duke u djegur, ndërsa ministria e Mbrojtjes thotë se janë marrë masa për shuarjen. Por terreni i vështirë në këtë zonë e bën të pamundur fikjen nëse nuk aktivizohen edhe helikopterët.
Në dy njoftime njëra pas tjetrës të ministrisë së Mbrojtjes thuhet se janë angazhuar forcat zjarrfikëse, Forcat Detare dhe ato tokësore, por në asnjë moment nuk përmenden forcat ajrore.
Mesa duket forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë po punojnë me mjete primitive si lopata e degë peme, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Pyetja që me të drejtë shtrohet është: A ka helikopterë Shqipëria për të përballuar situatat e zjarreve në Shqipëri?
Njoftimi i parë i ministrisë së Mbrojtjes
“Që prej mesditës, 61 efektivë, kryesisht të Forcës Detare dhe forcat e gatshme të Forcës Tokësore, së bashku me zjarrfikës të Vlorës, po punojnë për shuarjen e zjarrit të rënë në Ishullin e Sazanit. Përpjekjet maskimale vijojnë në kushte tepër të vështira ku terreni dhe bimësia vështirësojnë fikjen e zjarrit”
Njoftimi i dytë i ministrisë së Mbrojtjes
“Si pasojë e riaktivizimit të vatrës së zjarrit në zonën jugore të ishullit të Sazanit, që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull. Terreni dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar tej mase ndërhyrjen e trupave, ndërkohë që si një ish-repart ushtarak, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera. Trupat në terren vazhdojnë përpjekjet edhe gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që janë marrë masa për zëvendësimin dhe shtimin e tyre”.
Çfarë deklaronte Rama një vit më parë?
Kujtojmë që edhe vitin e kaluar, Shqipëria u përball me të njëjtën situatë. Në atë kohë, në ndihmë kanë ardhur helikopterë nga vendet e BE, Holanda dhe Çekia, me të cilët Rama mburoj se situata do të përmirësohej.
“Me 3 helikopterë të tjerë nga Holanda e Çekia – ndër të cilët njëri me kapacitet shumë të lartë ujëhedhës – falë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për shuarjen e zjarreve në Europën Mesdhetare, situata e përmirësuar parashihet të marrë një drejtim shumë pozitiv në orët e ditët e ardhshme”, shkruante Rama në gushtin e vitit të kaluar.
Ndërkohë tre vite më parë, Ministria e Mbrojtjes thoshte se kapacitetet për të përballuar fikjen e zjarreve janë rritur.
“Kapacitet fjala që bie të fikjes së zjarreve përmes helikopterëve tanë dhe e kemi bërë këtë me një kapacitet dhjetëfish më të madh nga ç’bënin helikopterët apo avionët privat që dikur shuanin zjarret tona, duke i kursyer buxhetit të shtetit një faturë shumë të konsiderueshme. Helikopterët që ne kemi janë në funksion të mirëfilltë ushtarak kanë marrë pjesë në shumë trajnime të Aleancës, janë dislokuar atje ku është dashur. Pra patjetër, ajo që po ju them është ne përmbushim të gjitha detyrimet që ne kemi me kapacitet që kemi që janë gjithmonë të rakorduara me nevojat që Aleanca ka dhe me mundësitë që ne kemi për të ofruar, por njëkohësisht kemi bërë çmos që kapacitet që kemi t’i vëmë në dispozicion edhe të nevojave lokale e kombëtare që kemi duke i ardhur në ndihmë komunitetit qoftë në rastet e emergjencave qoftë në qoftë në të tjera.”/panorama



