Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministria e Punëve të Brendshme, nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen denoncimet për dyshime për korrupsion të bëhen nëpërmjet të ashtuquajturit chat-bot, në mënyrë që ato të jenë anonime, pa përfshirje të faktorit njeri, por përmes programit kompjuterik. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, theksoi se brenda MPB-së po punohet intenzivisht në procesin e dixhitalizimit me qëllim që procedurat të mos varen më nga faktori njeri.
“Kur një vendim i caktuar ose procedurë e caktuar nuk do të varet nga faktori njeri, kur nuk do të ketë më që faktori njeri të vendos nëse kësaj lënde do t’i jep prioritet ose do ta ruaj në sirtarë dhe nuk ka kush e sheh, atëherë besoni se dixhitalizimi është një prej mjeteve themelore ku të gjithë këtë do ta minimizojmë…. Të mos e zbulojmë tani, megjithatë ai është drejtimi”, tha Aleksandar Janev, Drejtor i Byrosë për Sigurinë Publike.
Ndërkohë sot filloi fushata “0 korrupsion- le të jetë e vërtetë”, i cili ka për qëllim që t’u mundësojë qytetarëve që ta njohin korrupsionin, ta kuptojnë ndikimin e dëmshëm të tij dhe të ndjehen të sigurt dhe të inkurajuar që ta denoncojnë atë.
“Shumë individë zgjedhin të mos paraqesin dyshime për korrupsion, për shkak të frikës nga pasojat. Le ta bëjmë ndryshimin. Është e rëndësishme te theksohet se ekzistojnë kanale konkrete për denoncim të dyshimeve për korrupsion, përfshirë policinë, drejtorinë e doganave, policinë financiare dhe institucione tjera”, u shpreh Mojca Kuzmiçki, eksperte për antikorrupsion dhe larje parash.
Kjo fushatë është në korniza të projektit “Mbështetje e BE-së për sundimin e së drejtës” të financuar nga BE-ja. /Alsat.mk