Po synon kreun e PDK-së, ky është profili i Memli Krasniqit

Partia Demokratike e Kosovës është në momentet e saja më kritike, që prej themelimit, mënjëherë pas lufte – nga udhëheqës të gueriles që fitoi betejën për liri nga Serbia, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tash e disa muaj, PDK po përballet me mungesën e dy ish udhëheqësve të saj dhe të UÇK-së, Kadri Veselit e Hashim Thaçit, të cilët shënuan një dekadë fitoresh për PDK-në, që nga viti 2007. Si drejtues të UÇK-së, Thaçi e Veseli, bashkë me të tjerë, po akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë, për krime në luftën për liri kundër Serbisë.

PDK e ka vuajtur shumë shkuarjen e tyre. Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, PDK doli e dyta me 17 %. Ky nuk ishte aspak rezultat i mirë për një parti që për 10 vjet kishte qenë e para me rreth 30%.

Qeverisja e gjatë, pikëpyetjet e mëdha nga Haga, dhe rezultati aspak i kënaqshëm në zgjedhjet e fundit, kanë vendosur PDK-në dhe njerëzit e saj para një vendimi të rendësishëm për të ardhmen.

Asaj po i duhet një drejtues i ri. Dikush që do ta marrë persiper fatin e saj, në momentin më kritik.

Një person që rrugëton tash e 17 vjet me PDK-në, Memli Krasniqi, ka vendosur t’i hyjë garës për ta drejtuar partinë, i vetëdijshëm për barrën e madhe që ka para vetës, nëse më 3 korrik, delegatët e Konvetës Zgjedhore ia japin besimin.

Krasniqi konsiderohet tash e sa kohë si një nga personalitetet më të rendësishme të gjeneratës së re të PDK-së. Për më tepër, ai është parë gjithmonë si një nga njerëzit më punëtorë të saj, dhe “arma e forte” e PDK-së në debatet publike, në Kuvend dhe media. Ai ka punuar nga afër me dy drejtuesit e PDK-së, Thaçit dhe Veselit.

Në karrierën e tij politike, Memli Krasniqi ka mbajtur pozita të rendësishme, si në parti ashtu edhe në institucionet shtetrore.

Ai ka qenë dy herë ministër, duke drejtuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga vitit 2011 deri në vitin 2014 dhe nga 2014 deri në vitin 2017 atë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërkombetarizimi i sportit dhe kulturës, si dhe rritja e buxhetit për këto dy sektorë ishin dy nga vlerësimet që ai mori për punën e tij në MKRS. Në MBPZHR ndërkaq, është vlerësuar puna e tij në rritjen e buxhetit për bujqësinë, që ka ndikuar direct në një mbeshtetje më të madhe për fermerët kosovarë.

Në të gjitha zgjedhjet nacionale në Kosovë, që nga vitit 2007, Memli Krasniqi është zgjedhur 6 herë deputet, duke qenë përherë nder 10 njerëzit më të votuar në PDK. Në legjislaturën 2017-2019, të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka qenë Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. Ndërkaq në legjislaturën 2020-2021 ndërkaq, ka qenë Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Memli Krasniqi ka lindur dhe jeton në Prishtinë. Shkollën fillore e ka kryer në “Hasan Prishtina”, e atë të mesme në Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Ai ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet Master i ka përfunduar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike, i vlerësuar si një nga universitetet prestigjioze në botë.

Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për Agjencinë amerikane të lajmeve “Associated Press”, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.

Nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partisë Demokratike të Kosovës, fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të kryetarit të partisë atëherë, Hashim Thaçi.

Me krijimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK’së, Krasniqi është emëruar udhëheqës i Departamentit të Risinë, ndërsa në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës. Për disa vjet, ka qenë anëtar i kryesisë së PDK-së, e së fundi edhe nënkryetar.

Në tetor të vitit 2008 është emëruar Këshilltar Politik i Kryeministrit, Hashim Thaçi, dhe Zëdhënës i Qeverisë.

Për shumë vitë është marrë edhe me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe kompozitor, si anëtar i grupit të njohur, “Ritmi i Rrugës”.

Memli Krasniqi është 41 vjeçar. Ai dhe bashkëshortja e tij, Meliza, kanë tre fëmijë: Borën, Malin dhe Verën.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme