Hetuesi policor Hamdi Jashari kishte ndërmjetësuar midis dy personave në vitin 2015 për kthimin e një borxhi prej 3000 eurosh, që, sipas Prokurorisë, kishte qenë borxh me fajde, shkruan sot Koha Ditore.
Duke keqpërdorur pozitën e personit zyrtar, i veshur edhe me uniformë të policisë , Jashari ishte takuar me Xhelal Hoxhën dhe Mehmetriza Ibishin në ëmbëltoren “Katrina” në Fushë-Kosovë. I kishte ndihmuar Ibishit që borxhin prej 3000 eurosh t`ia paguante Hoxhës me dy këste. Këta të dy, sipas deklaratës së dhënë në Prokurori, ai i ka shokë.
Për pasojë, Prokuroria vitin e kaluar e ka akuzuar Hamdi Jasharin për kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe ndihmë në fajde.
Por të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës ai është deklaruar i pafajshëm.
“Nuk ndihem fajtor”, ka thënë ai para trupit gjykues.
Të pafajshëm janë deklaruar edhe i akuzuari tjetër Xhelal Hoxha, babai i tij Nuhi Hoxha dhe kushëriri Flamur Hoxha.