Një operacion i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier.
Gjatë aksionit janë arrestuar ish-drejtori i kompanisë, Leonidha Çobo, dhe drejtori aktual i përgjithshëm, Hongping Xiao. Mësohet se arrestimet lidhen me borxhe të papaguara ndaj shtetit shqiptar dhe detyrime tatimore të pashlyera nga kompania.
Në ambientet e “Bankers Petroleum” kanë qëndruar që nga mesdita një furgon i Policisë së Shtetit dhe një automjet me inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët po vijojnë kontrollet dhe veprimet hetimore.



