Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet pas shpërthimit të zjarreve në disa lokacione në vendin tonë.
Siç thuhet, të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre, do të përballen me organet e drejtësisë.
“Referuar situatës në të cilën ndodhemi lidhur me përhapjen e disa zjarreve nëpër lokalitete të ndryshme të vendit tonë, Policia e Kosovës me kapacitetet e saj në dispozicion po angazhohet me përkushtim në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar asistencë me pajisje policore si topat e ujit si dhe duke koordinuar aktivitetet me agjencionet tjera në të gjitha rajonet ku janë raportuar vatra zjarri”, thuhet në një postim të Policisë së Kosovës në Facebook.
Ndryshe, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo abuzim nga persona të ndryshëm në lidhje me ndezjen e zjarreve në malet e Rugovës, ato të Sharrit, zonën e Suharekës, në shuarjen e të cilave është angazhuar FSK-ja e ndihmuar nga policia dhe KFOR-i.