Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen e 6 shtatorit në Shkup, Rami Kuçi, është arrestuar gjatë një aksioni për lëndë narkotike. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, një shtetas i Kosovës dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut. Gjatë bastisjes së kryer në vendbanimet e tyre, janë gjetur dhe konfiskuar lëndë narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri dhe para.
“Janë arrestuar tre të dyshuar, një kosovar dhe dy shqiptarë, shtetas të Maqedonisë së Veriut, pasi që gjatë kontrollit të tyre dhe në vendbanimet e tyre janë gjetur dhe konfiskuar 96.9 gramë substancë narkotike e llojit kokainë, 0.6 gramë marihuanë, 1,475 euro dhe një armë zjarri – pistoletë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thanë nga Policia e Kosovës.
• Gjatë kontrollit është gjetur kokainë, marihuanë, euro dhe një pistoletë
• Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje
Pas identifikimit të tij, Kuçi ka rezultuar se kërkohet ndërkombëtarisht për veprën penale të vrasjes. Pas mbajtjes dhe procedimit, pritet të përcaktohet edhe procedura penale ndaj Kuçit, përkatësisht nëse ai fillimisht do të vuajë masën e dënimit në Kosovë dhe më pas do të ekstradohet, apo do të dërgohet në paraburgim ekstradues për t’u proceduar ekstradimi i tij në Shkup. Kjo do të dihet vetëm pasi Prokuroria Themelore në Ferizaj të përcaktojë veprimet dhe përgjegjësinë e secilit prej të arrestuarve për veprat penale “posedim i narkotikëve” dhe “armëmbajtje pa leje”. Kuçi ndodhej në arrati që nga data kur kishte kryer vrasjen bashkë me shoqëruesin e tij I.S për të cilin nuk ka informacion se ku ndodhet tani për tani. Më 6 shtator Kuçi në shoqëri të I.S gjuajtën breshëri plumbash në drejtim të disa personave në Dyqanxhik të Shkupit, ku mbeti i vrarë një person ndërsa disa të tjerë u plagosën. Policia për disa ditë nuk kishte arritur t’i identifikonte kryerësit e vrasjes, ndërsa ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski pati deklaruar se nuk ka informacion të plotë mi rrethanat se si Kuçi i cili po vuante masën e dënimit me burg, kishte dalë nga burgu dhe kishte kryer vrasje. Sipas informacioneve të Alsat, ndaj Kuçit me vendim të gjykatës kishte një urdhër-ndërprerjeje të masës së burgimit. Motivet për cilat është kryer atentati nuk dihet akoma. Pas identifikimit të dy të dyshuarve, policia kishte kryer bastisje në disa lokacione, përfshi edhe një shtëpi në Haraçinë, por nuk kishte arritur ta kapte të dyshuarin e dytë./Alsat.mk.
The post Policia e Kosovës jep detaje për arrestimin e Rami Kuçit, të dyshuarit për vrasjen në Dyqanxhik të Shkupit appeared first on Alsat.



