Policia e Shtetit ka bërë një pasqyrim të punës së saj 6 mujore duke renditur aksionet më të rëndësishme që dërguan para drejtësisë shkelësit e ligjit. Me anë të një video e cila dhe i pasqyron operacionet Policia shprehet optimiste dhe garanton qytetarët për luftën pa kompromis ndaj krimit.
Sipas forcave blu në harkun kohor të 6 muajve janë kryer 3725 arrestime teksa ka renditur dhe vrasjet ku sipas saj në 6 mujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur 13 vrasje më pak se në vitin 2021, ndërkohë që janë kapur dhe 1101 shtetas të shpallur në kërkim.
“Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 12 463 shtetas, nga këta: 3725 janë arrestuar, 8037 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 701 janë shpallur në kërkim. Janë kapur në total 1101 shtetas në kërkim, nga të cilët: 895 në kërkim kombëtar dhe 206 në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i punës parandaluese, goditjes së grupeve kriminale dhe të vrasësve me pagesë, 6-mujorin e parë të vitit 2022 kanë ndodhur 13 vrasje më pak. (Gjatë vitit 2021 – 35 vrasje; Gjatë vitit 2022 – 22 vrasje).Janë zhvilluar në total 599 operacione policore, përmes të cilëve janë goditur raste të kriminalitetit, me objekt jetën, pasurinë, qarkullimin e lirë dhe të ligjshëm të mallrave dhe shtetasve, si dhe mjedisin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit./GSH



