Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksionit të së mërkurës i cili u zhvillua nën autorizimin e prokurorive kompetente, pas hetimeve të zhvilluara për afërsisht rreth një viti në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.

Sipas Policisë qëllim i këtij operacioni ishte parandalimi dhe luftimi kontrabandës në disa rajone të Kosovës (Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veriu dhe Zveqan), respektivisht kontrollin (26) lokacioneve të dyshuara, sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara dhe arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në kontrabandë.

Të gjitha veprimet policore janë realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.

Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve policorë dhe doganorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion dhe qytetarëve të asaj zone.

Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, është raportuar se (10) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (7) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (3) zyrtarë te nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.

Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.

Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është e qetë, ndërsa Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të dyshuar që kanë kryer sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë./Telegrafi.