Policia në Tiranë arreston dy gazetarë për shkak të lajmeve të rreme për tërmetet

Dy media në Shqipëri kanë publikuar një lajm për ardhjen e një tërmeti të fuqishëm, dhe për këtë kanë reaguar institucionet e atjeshme shtetërore.

Ishte kryeministri Edi Rama që e denoncoi portalin “Syri.net” për publikimin e lajmit me titull “Dilni nga shtëpitë / Parashikohet tërmet i fuqishëm. Ja në çfarë ore”. Ai këtë e quajti lajm të rremë.

“Ky është një fakenews kriminal për të përhapur panik dhe çdo idiot që shkruan për parashikime tërmetesh thjesht duhet neveritur”, shkroi Rama në Facebook.

Ndërkaq, Policia e Shtetit, pak minuta më pas, reagoi duke ndaluar dy gazetarë të dy mediave, një të Syri.net dhe një të gazetës “Shekulli”, për shkak të lajmeve të rreme.

“Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin ‘SYRI.net’ dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit ‘SYRI.net’, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e ‘Shekullit’, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Koha.net.

Policia e Shtetit ka thënë se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor “për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët”.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët.

Ndërsa pak orë më parë, Edi Rama reagoi sërish ndaj lajmit për ardhjen e një tërmeti shkatërrues, duke thënë se një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një ‘fakenews’ kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej qytetarëve të Shqipërisë.

Rama, duke folur për menaxhimin që kanë bërë pas tërmetit, ka thënë se sot kanë vendosur që prindërit e fëmijëve më të vegjël dhe nxënësve të nëntëvjeçares në zonat më të prekura nga goditja sizmike, t’i çlirojnë nga detyrimi për të ardhur në zyra e në vendet e tyre të punës në administratën shtetërore, në mënyrë që ata të rrinë edhe një ditë të plotë me fëmijët e tyre, për të cilët dita e çerdhes, kopshtit e shkollës u bë ditë pushimi.

“Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar ai.

“Nuk ka lindur ende ai kompjuter që parashikon tërmetet! Çdo lajm apo fjalë e përhapur për të mbjellë panik, për ardhjen e tërmetit, është pjellë e një ligësie të pashembullt njerëzore, që duhet përbuzur nga logjika. Është akt kriminal dhe dënuar nga ligji”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Ndërkaq, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla.

“Parashikimi i tërmetit është i pamundur. Përhapja e njoftimeve të qëllimshme, të rreme për të shkaktuar panik, është vepër penale dhe dënohet deri në 5 vite burgim”, shkruan Balla.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme