Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se ka arrestuar 8 persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas hetimit të filluar në muajin gusht të këtij viti, ka zbatuar Urdhëresën e GJPP Prishtinë për të kontrolluar disa lokacione në Malishevë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan, Shtime dhe Suharekë nën dyshimin e bazuar se është kryer vepra penale: “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Cak i kontrollit ka qenë e një kompani që selinë e kishte në Malishevë dhe gjashtë degë në qytetet e lartcekura. Pas hetimeve dhe kontrollit të ushtruar në këtë kompani, policia ka arrestuar tetë persona dhe sekuestruar disa prova materiale.
Personat e dyshuar tanimë të ndaluar janë:
• V.H lindur me 1991 m/sh/k
• F.B lindur me 1992 m/sh/k
• S.D lindur me 1990 f/sh/k
• K.H lindur me 1989 f/sh/k
• O.K lindur me 1991 m/sh/k
• B.K lindur me 1991 f/sh/k
• A.Q lindur me 1992 f/sh/k
• I.B lindur me 1987 m/sh/k
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: Një veturë, server dhe shumë dokumente.
Të gjithë personat e dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje.