Një oficere policie në Kosovë ka vrarë prindërit e saj, dy vëllezërit dhe më pas veten. Ajo ka ekzekutuar gjithë familjen e saj me armë, ndërsa më pas qëlloi dhe veten. “V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje“, – thotë Prokuroria e Gjilanit.
Oficerja e policisë kishte vetëm pak ditë që ishte pezulluar nga detyra, por armën vijonte ta mbante.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.
Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.
Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë.