Më 13.03.2023, më tepër media e transmetuan pohimin e kryetarit të Fondacionit “Maqedonia”, Viktor Stojanov: “Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, justifikon Gjermaninë naziste për vdekjen e 11.000 hebrenjve, duke fajësuar Mbretërinë e Bullgarisë”.
Më tepër media e transmetuan edhe deklaratën e eurodeputetit Xhambaski se “Pendarovski edhe një herë gënjeu se autoritetet në Sofje kanë lidhje me deportimin e hebrenjve nga territoret e Maqedonisë së Veriut të sotme. Është fakt historik i vërtetuar se bëhet fjalë për një gënjeshtër të plotë dhe të skajshme”.
Mirëpo, në fjalimin më 12.03.2023, Pendarovski dënoi “nazizmin dhe fashizmin”, si dhe udhëhoqi Kortezhin e të gjallëve, në kujtim të hebrenjve maqedonas të deportuar në “kampin nazist Treblinka”. Rrjedhimisht, është i pavërtetë pretendimi se Pendarovski paska justifikuar Gjermaninë naziste për vdekjen e 11,000 hebrenjve.
A kishin lidhje autoritetet e atëhershme në Sofje me deportimin e hebrenjve nga territoret e Maqedonisë së Veriut të sotme? Në Enciklopedinë e Holokaustit shkruan: “Gjatë luftës, Bullgaria, aleate e Gjermanisë, nuk i dëboi hebrenjtë nga zonat themelore të Bullgarisë. Megjithatë, autoritetet bullgare deportuan banorët hebrenj të territoreve greke dhe jugosllave që i okupoi Bullgaria në vitin 1941… Në total, Bullgaria deportoi mbi 11.000 hebrenj në territor të kontrolluar nga Gjermania.”
Edhe në Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit “Jad Vashem” theksohet roli i Bullgarisë në deportimin e hebrenjve nga Maqedonia në “kampin e vdekjes në Treblinka”, më konkretisht, të ushtarëve, policisë dhe zyrtarëve bullgarë. Edhe në artikullin “Holokausti në Maqedoni” të Fondit të Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia, shkruan: “Në një seri prej tre transportesh, që filluan më 22.03.1943, rojet bullgare ngarkuan 7144 hebrenj në vagonët e bagëtive dhe i përcollën deri në Llapovë, ku duhej t’u dorëzoheshin gjermanëve”.
Edhe një grup intelektualësh bullgarë kërkuan që “shteti bullgar të pranojë publikisht, sinqerisht dhe pa kushte përgjegjësinë e tij, duke kërkuar falje për persekutimin dhe deportimin e hebrenjve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore”.
Thënë shkurt, janë të pavërteta pretendimet se autoritetet bullgare nuk kishin asnjë lidhje me deportimin e hebrenjve nga Maqedonia. Përkundrazi, është fakt historik se shteti bullgar, i cili hyri në Paktin Trepalësh, ishte bashkëpunëtor në Holokaustin e hebrenjve të Maqedonisë.