Ballkani, i cili u përfol për rastet e vdekjeve si rezultat i të ftohtit të madh gjatë muajve të dimrit, nga ana tjetër është nxehur mjaft nga tensionet etnike që kohëve të fundit u rritën mes shteteve të rajonit.
Zhvillimet e ngrohta që pasuan njëri-tjetrin, tregoi se sa të ndjeshme janë ende marrëdhëniet në Ballkan dhe se sa lehtë mund të prishen për një çast.
Fillimisht tensioni për BE-në midis Serbisë dhe Koracisë, e më pas festimet e ditës së Republikës Sërpska në kundërshtim me kushtetutën në Bosnjë e Hercegovinë, arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe së fundmi kriza e trenit në mes të Kosovës dhe Serbisë, hapën rrugën për ringritjen e tensioneve mes shteteve të cilat në vitet e 90-ta kishin luftuar mes vete, raporton Anadolu Agency.
Serbia, në vazhdën e negociatave për anëtarësim në BE, në dhjetorin e kaluar kur hapi dy kapituj të ri, nuk arriti të hapë kaputllin për kulturën dhe arsimin për shkak të bllokimit nga ana e Kroacisë. Qeveria e Serbisë edhe më parë kishte akuzuar Kroacinë për bllokimin e rrugës integruese në BE, ndërkohë që pas kësaj ngjarjeje të fundit ajo dha deklarata të ashpra, kurse tensionet u rritën për një çast.
Po ashtu në muajin dhjetor, përderisa presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç po ndante paketa për fëmijët në një institucion parashkollor në qytetin e Dubrovnikut, prania e çokollatave të një kompanie serbe në paketa shkaktoi “mini krizë”.
Kitaroviç, e cila tha se u përball me një “befasi pa shije”, theksoi se do të kërkojë falje nga familjet e fëmijëve dhe se çokollatat brenda paketave do të ndërrohen me çokollata kroate, duke shtuar se është e nevojshme që të inkurajohet prodhimi i brendshëm. Derisa deklaratat e Kitaroviçit u komentuan si “nacionalizëm kroat”, edhe zyrtarët serb reaguan ndaj këtyre deklaratave.
Kjo ngjarje tregoi që madje edhe një çokollatë e vogël mund për një çast t’i tensionojë marrëdhëniet e brishta në Ballkan dhe se ka potencialin të shkaktojë krizë.
Reagimi në Bosnjë e Hercegovinë ndaj lideres kroate
Sërish Kitaroviç, në një deklaratë në mediat e vendit, pohoi se “mijëra” luftëtarë të huaj që kanë marrë pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme janë kthyer në Bosnjë e Hercegovinë dhe se kjo gjë paraqet kërcënim të madh për Kroacinë. Kitaroviç po ashtu pohoi se Bosnjë e Hercegovina është strehim për luftëtarët e huaj, ndërsa reagimi nga pala e Bosnjë e Hercegovinës ndaj saj ishte i ashpër.
Dragan Metkiç, ministri i Mbrotjes së Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar se këto pohime janë të pavërteta, tha se shifra e përmendur nuk është një mijë, por rreth njëqind. Sipas Metkiç, Kitaroviç ka bërë një deklaratë të tillë qëllimisht para sezonit të turizmit dimëror. Ai u shpreh se pas Serbisë, Kroacia shkaktoi tensione me Bosnjë e Hercegovinën.
Ndërkaq, Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, e ftoi presidenten kroate “të mendojë dy herë”, duke thënë se kërcënimi i vërtetë është “mbushja” e Kroacisë me nacionalizëm kroat.
Dita e Republikës Sërpska në kundërshtim me kushtetutën
Zhvillim i rëndësishëm që rriti tensionet boshnjako-serbe në Bosnjë e Hercegovinë ishte “Dita e Republikës Sërpska” në kundërshtim me kushtetutën që festohet në Republikën Sërpska, njëri nga dy entitetet në vend.
Fillimisht u organizua referendum për Ditën e RS-së me iniciativë të kryetarit të RS-së Milorad Dodik edhe përkundër ndalimit paraprak nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, kurse më pastaj, pas shpalljes së rezultateve në favor, më 9 janar u organizuan festime me përmasa të gjera. Përderisa shumë palë e konsideruan referendumin për Ditën e RS-së si test për referendumin e pavarësisë që planifikohet të mbahet në vitin 2018, mosndryshimi i qëndrimit nga lideri serb Dodik edhe përkundër presionit të komunitetit ndërkombëtar e tensionoi edhe më tepër situatën.
Së fundmi, në ceremonitë fetare dhe zyrtare të mbajtura më 9 janar në qytetin e Banja Llukës morën pjesë jo vetëm serbë të Bosnjë e Hercegovinës, por edhe zyrtarë të lartë nga Serbia. Ndërkaq, pjesëmarrja në ceremoni edhe të njësisë së këmbësorisë në kuadër të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës shkaktoi rritjen e mëtutjeshme të tensioneve.
Ndërkaq, ndaj pjesëmarrjes së një njësi ushtarake së shtetit në ceremoni antikushtetuese reaguan ashpër edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në vend.
Tensionet e papritura në mes të Serbisë dhe Maqedonisë
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç në një intervistë theksoi se Serbia ka bërë gabim që ka pranuar Maqedoninë me emrin e saj kushtetues “Republika e Maqedonisë”, duke e treguar si shkak të kësaj faktin që Maqedonia ka njohur si shtet të pavarur Kosovën e cila ishte ndarë nga Serbia.
Duke shprehur qëndrimin se Serbia ka bërë gabim me Maqedoninë, Daçiç u shpreh: “Çdokush përdor emrin ‘Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë’, ndërsa ne godasim vëllezërit tanë grekë dhe më tej presim që ata të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Njohëm Maqedoninë me emrin kushtetues, duke e fyer kështu Greqinë. Ndërkaq, tani, maqedonasit çdoherë votojnë në favor të Kosovës”.
Nga ana tjetër, në deklaratën kundërpërgjigjëse nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë u tha se është e nevojshme që miqësia mes Serbisë dhe Maqedonisë të mos prishet dhe u reagua ndaj deklaratës së Daçiçit.
Tensionimi i papritur midis dy vendeve fqinje, shumica e popullsisë së të cilave është ortodokse, zgjati një kohë të shkurtër, ndërkohë që autoritetet e Maqedonisë kërkuan sjellje të përgjegjshme për mosprishjen e marrëdhënieve aktuale.
Tensionimi mes maqedonasve dhe shqiptarëve “u ringjall”
Përderisa në Maqedoni vazhdojnë punimet për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, partitë shqiptare në vend dolën me Deklaratë të përbashkët, duke shpalosur platformën e përgatitur nga vetë ata. Megjithatë, takimet e përfaqësuesve të këtyre partive politike me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi para publikimit të kësaj deklarate nga pala maqedonase u cilësuan si “ndërhyrje në punët e brendshme”.
Nikolla Poposki, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, në një deklaratë të shkruar tha se nuk është në rregull që kryeministri apo presidenti i një shteti fqinj të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë.
Viti 2017 filloi i tensionuar për marrëdhëniet Kosovë-Serbi
Edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë mjaftë të tensionuara kohëve të fundit.
Transferimi i pjesës më të madhe të pronësisë së minierës së Trepçës qeverisë së Kosovës kah fundi i vitit 2016 dhe më pas arrestimi i policit kosovar gjatë hyrjes në Serbi kishin tensionuar mjaft marrëdhëniet mes dy shteteve. Ndërkaq, menjëherë në fillim të vitit 2017, më 5 janar, me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, në një aeroport në Francë u arrestua ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Haradinaj paraprakisht ishte gjykuar dhe liruar në dy procese të veçanta gjyqësore në Hagë, ndërkohë që arrestimi i tij edhe krahas këtyre vendimeve, shkaktoi tensione të reja mes dy shteteve. Në marshet protestuese që u organizuan në Kosovë dhe Shqipëri, u kërkua lirimi i Haradinajt.
Haradinaj, pas mbajtjes në arrest për një javë, u lirua me kusht të mbikëqyrjes gjyqësore.
Pas hedhjes së bombës në zyrat e Qeverisë së Kosovës në qytetin e Mitrovicës më 11 janar, më 14 janar shpërtheu kriza e trenit.
Një tren i cili pas 20 viteve do të realizonte udhëtimin Beograd-Mitrovicë, nisi udhëtimin me mbishkrime “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë. Treni u ndal në afërsi të kufirit me Kosovën, ndërsa nuk u lejua hyrja e tij në vend. Në kufi u dërgua Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Pala kosovare trenin e cilësoi si “mjet provokimi”, kurse liderët e dy shteteve dhanë deklarata të ashpra në lidhje me këtë zhvillim. Derisa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi se janë të gatshëm për të mos e lejuar hyrjen e trenit, homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç i akuzoi kosovarët për krijimin e një atmosfere konfliktuoze.
Nga ana tjetër, presidenti serb Tomisllav Nikoliç përdori shprehjen “shkoj në luftë bashkë me djemtë e mi”, kurse ministri i Brendshëm i Kosovës Skender Hyseni theksoi se në marrëdhëniet me Serbinë ekzistojnë dy opsione, e ato janë, siç tha ai, “ose dialog, ose luftë”.
Ku po shkon Ballkani?
Këto tensione në Ballkan, rajon ky i cili qëndron mbi ekuilibra të ndishëm dhe të brishtë dhe në të cilin të krijosh krizë etnike është më lehtë se të ndezësh zjarrin, mund të shkaktojë prishjen e procesit të bashkëpunimit dhe doalogut mes shteteve që në vitet e 90-ta luftuan mes vete dhe humbjen e besimit të ndërsjellë.
Megjithëse duket se komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë konflikt të ri të armatosur në Ballkan, këto tensione mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare të vendeve të rajonit.
Shumë njerëz në Ballkan janë ende të preokupuar me nacionalizëm, retorikë të urrejtjes dhe ngjarje historike. Ndërkaq, ajo që duhet bërë është të zhvillohen marrëdhëniet ekonomike, të krijohen vende të reja të punës, të rritet cilësia e arsimit, të rriten standardet e jetesës dhe të bëhen hapa në rrugën drejt synimit të përbashkët, anëtarësimit në BE.
Politikanët të cilët e dinë se retorika nacionaliste në Ballkan sjell vota, flasin për të kaluarën në vend të së ardhmes, ndërtojnë mure në vend të urave dhe në programet e tyre fusin retorika ndarëse në vend të politikave unifikuese.
Popujt e Ballkanit, të cilët janë të detyruar të jetojnë së bashku, duhet t’i tejkalojnë mospajtimet mes vete. A do të shkojë Ballkani drejt një ardhmërie të ndritshme, apo drejt një rruge tjetër me një paqartësi kaotike, varet nga ajo nëse shtetet e rajonit do të merren vesh mes vete pa u dhënë rast ndërhyrjeve të jashtme.
Në këtë rajon ku luftërat e përgjakshme ndër vite shkaktuan shkatërrime të mëdha dhe vdekje, gjeneratat e reja nuk kanë nevojë për luftëra, po për një të ardhme të ndritur. Popujt e Ballkanit nuk duhet të jenë spektatorë të heshtur dhe figura të një filmi të pëlqyer vetëm nga “regjisori”.