Në komunën e Pejës filloi punimet konferenca dy ditore “Qytetet e Forta në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”, njofton kumtesa ministrore, transmeton Sakte.net.
Në këtë konferencë po marrin pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ambasadori amerikan, Greg Delawie, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, Kryeimami i Bashkësisë Islame në Kosovë, Sabri Bajgora, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri etj.
Në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, theksoi se që nga dita e marrjes së mandatit të tij si ministër, i ka dhënë rëndësi të madhe luftimit të radikalizmit dhe dhunshëm dhe radikalizmit.
“Në Republikën e Kosovës tashmë janë nëntë qytete që janë pjesë e rrjetit të qyteteve të forta, që merren aktivisht me luftimin e kësaj dukurie. Roli i komunave dhe i shoqërisë civile në përgjithësi është shumë i madh në këtë aspekt, sepse nuk mjafton vetëm puna e Policisë së Kosovës në luftimin e kësaj dukurie”, tha ministri Hyseni.
Më këtë rast ministri Hyseni shprehi mirënjohjeje për ICITAP-in amerikan dhe misionin e OSBE-së për përkrahjen që i ka dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit.
Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, z. Greg Delawie, vuri në dukje se e përkrah këtë iniciativë dhe se ekstremizmi dhe terrorizmi është pranishëm në çdo vend të globit. Ambasadori Delawie theksoi se Komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar se vetëm bashkimi i forcave mund ta luftojë këtë fenomen negativ. Rrjeti “Qytetet e Forta Luftojnë Ekstremizmin e Dhunshëm në Kosovë” është shumë i rëndësishëm, unik dhe vital, për të zbuluar kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm. Liderët Lokal e kanë rolin e tyre në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale dhe Kosova është pjesë e globit dhe nuk është problem vetëm i Kosovës.
Ai tha se kjo nuk është problem vetëm për rendin dhe ligjin, por është e të gjithë shoqërisë, andaj qytetarët dhe komuniteti duhet të angazhohen në parandalimin e kësaj dukurie. Për të luftuar këtë fenomen duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku dhe se ndarja e informatave është vitale në luftimin e kësaj dukurie.
Kryeimami i Bashkësisë Islame në Kosovë, z. Sabri Bajgora, theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës zotohet se do të jetë pengesë e fortë kundër çdo lloji të ekstremizmit fetar. “Nuk ka fe të caktuar ose atdhe që është bazë e ekstremizmit fetar, por është fenomen global që na ka goditur edhe ne dhe bashkërisht duhet ta luftojmë”, tha Bajgora.
Kjo konferencë organizohet nga Strong Cities Network, ICITAP-i dhe OSBE-ja, i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të ShBA-ve.