Një ligj i quajtur anti – mafia, përmes së cilit do të rregullohej çështja e përfitimeve të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe rrjedhimisht do të luftohej korrupsioni dhe krimi i organizuar, ka vite që është iniciuar, por i njëjti, thonë njohës të rrethanave, nuk është hartuar pothuaj asnjëherë.
Ligji anti-mafia u iniciua rreth shtatë vjet më parë nga kryeministri atëhershëm Hashim Thaçi, por nuk u jetësua asnjëherë. Autoritetet në Prishtinë thonë se Kosova ka ligje, përmes së cilave “bëhet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.
Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se “çështja e konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, do të adresohet në kuadër të Kodit Penal”.
Ndërsa deputeti Pal Lekaj, si dhe anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, thotë se duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit, përvetësim të pronës dhe mosfunksionimit në nivel të duhur të sistemit të drejtësisë, një ligj i tillë është i domosdoshëm dhe jetik për dekreminalizimin e Kosovës.
Lekaj sqaron se disa herë është menduar të procedohet në Komision, por është tërhequr nga rendi i ditës.
Në anën tjetër, përfaqësues nga Institutit I Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se miratimi i këtij ligji mund të keqpërdoret politikisht. Betim Musliu nga ky institut, shprehet se ata që janë pushtet do të mundohen të ndjekin qytetarët që janë të rreshtuar në opozitë, për të bërë, siç thotë ai, “luftë shtrigash”
Përfaqësues nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, e konsiderojnë të domosdoshëm miratimin e këtij ligj.
Arton Demhasaj thotë se pasuria e pajustifikueshme, së pari e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka bërë që të mos miratohet ky ligj.
Për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht që nuk ekziston ligji “anti-mafia”, një “Ligj për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale”,siç thonë, kryen funksionin e njëjtë.