Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz ka bërë thirrje që i dërguari i BE, Miroslav Lajçak të japë dorëheqjen.
Politikani i Partisë së Gjelbër foli për gazetën austriake ‘Der Standard’.
“Ai dështoi keq në detyrën e tij për të krijuar paqe përmes dialogut. Situata u përkeqësua masivisht nën ndërmjetësimin e tij,” tha Waitz.
Politikani austriak tha se provokimet në konfliktin me Kosovën kanë ardhur nga qeveria serbe. Vjeshtën e kaluar, ata urdhëruan që kryetarët e komunave dhe policët serbë të dorëhiqen nga institucionet e Kosovës. Ata u bënë thirrje qytetarëve që të bojkotojnë votimet për kryetarët e rinj. Ndërkohë veturat e atyre serbëve që kanë bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, janë vandalizuar.
“Serbia edhe njëherë po destabilizon të gjithë rajonin e Ballkanit dhe po provokon kushte të ngjashme me luftën civile. Kur do të mësojë BE-ja nga historia dhe të ndërmarrë veprime?”
Waitz bën thirrje që të ngrijnë negociatat e pranimit në BE me Serbinë dhe të ndalen pagesat nga fondi i para-anëtarësimit. “Vuçiç e kupton gjuhën e parasë,” thotë ai.
Përveç kësaj, Waitz thotë se nuk është shumë realiste të besosh se politika aktuale mund ta tërheqë Serbinë në anën e Perëndimit. Në të njëjtën kohë, Rusia ka një ‘interes aktiv në rindezjen e një burimi konflikti në Ballkan me qëllim që të tërheqë vëmendjen nga Ukraina,’ tha Waitz për ‘Der Standard’.
© SYRI.net