Politikani shqiptar dhe kandidati për Asamble Komunale të Antwerpit në Belgjikë, Rediart Cankja, i arrestuar në Francë për trafikim të heroinës, del të jetë zyrtar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Cankja po udhëtonte drejt Zvicrës në momentin kur u arrestua në qytetin francez Vitry, afër kufirit me Zvicrën. Heroina, sipas mediave belge, ishte destinuar për tregun zviceran.
Cankja veç si anëtar i Partisë Kristiane Demokratike Flamane, është edhe kryesues i Këshillit të Qendrës së Vetëvendosjes në Belgjikë.
Madje për këtë partia e Albin Kurtit kishte njoftuar edhe zyrtarisht nëpërmjet një komunikate për media.
“Këshilli i Qendrës në mbledhjen e tij konstituive, zgjodhi Kryesinë e Qendrës. Bujar Krasniqi u zgjodh nënkryetar i parë, Valon Vuçetaj nënkryetar i dytë, Dardan Prebreza sekretar Organizativ dhe Erblin Shala koordinator i Nënkomiteteve. Kryesues i Këshillit u zgjodh Rediart Cankja, i cili do të ketë Gazmend Fetain si zëvendës. Anëtarët e tjerë të Kryesisë u zgjodhën: Agon Efendiu, Ilir Morina dhe Urata Hysenaj”, thuhej në komunikatën e VV-së në vitin 2017.
Gazeta Insajderi më herët raportoi se në momentin e arrestimit, bashkë me zyrtarin e VV-së ka qenë edhe një tjetër kosovare.
Shpresa .S janë inicialet e gruas nga Kosova, që ka qenë me Cankjan në momentin e arrestimit. /Insajderi.com