Portalet online në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar që agregatorët e lajmeve të ndalojnë menjëherë marrjen e përmbajtjeve të tyre pa leje dhe pa kompensim. Në një takim të mbajtur më 20 maj, organizuar nga Shoqata OnlineMedia.mk, përfaqësues të një grupi të madh portalesh diskutuan mbi praktikat e agregimit të paautorizuar dhe nënshkruan një qëndrim të përbashkët.
Sipas këtij qëndrimi, portalet e konsiderojnë të papranueshme marrjen e përmbajtjes nga ana e agregatorëve pa ndonjë marrëveshje të mëparshme ligjore dhe kërkojnë që përmbajtjet e tyre të mos agregohen më, duke filluar nga data 21 maj 2025, deri në arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të dakorduar nga të dy palët.
“Bazuar në ndryshimet e fundit në Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, ju njoftojmë se nuk i pranojmë propozim-marrëveshjet tuaja të fundit për marrjen e lajmeve, fotove dhe videove tona. Nëse vazhdoni me këtë praktikë pa leje, do të jemi të detyruar të ndërmarrim masa ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Portalet shprehin gatishmërinë për bisedime me agregatorët, por deri atëherë kërkojnë të mos jenë pjesë e sistemit të tyre të shpërndarjes së përmbajtjes.
Deklarata është nënshkruar nga 46 portale informative, sportive dhe të televizioneve maqedonase, ndër të cilët:
Portale informative: A1ON, Vistina, Denar, Deneshen, Ekspres, Espresso, 24Info, Kurir, Libertas, Lider, Lokalno, MKD, MMC, Nezavisen, Net Press, 4NEWS, Plusinfo, Republika, Racin, SDK, Sloboden Pechat, 360 Stepeni, Telegrafi, Tocka, Trn, Faktor, Fokus, Crnobelo.
Portale sportive: Ekipa, Gol, Derbi, Makfudbal, 24Fudbal, Kosh, 24Rakometa, Sport 1, SportM, Sportmania, Sportsport, Sportksi, Supersport.
Portale të televizioneve: Alfa, Alsat-M, Kanal 5, Sitel, Telma.
Shoqata OnlineMedia.mk pret që kësaj nisme t’i bashkohen edhe portale të tjera që nuk ishin të pranishme në takim për arsye objektive.