Porti i Durrësit është porti kryesor në Adriatik ku operon biznesi i Kosovës.
Mallrat me destinacion Kosovën apo ato që ky vend eksporton në vendet e tjera zënë rreth 10% të volumit të përgjithshëm të mallrave që janë përpunuar në kalatat e portit të Durrësit. 10 për qind e mallrave që janë përpunuar në Terminalin Lindor dhe në atë të Mallrave Gjenerale në Portin e Durrësit i janë drejtuar Republikës së Kosovës, ose anijet janë ngarkuar me mallra që kanë mbërritur nga Kosova.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti në këto dy terminale janë përpunuar afro 608 mijë tonë mallra gjithsej, shkruan sot Koha Ditore.
Bizneset e Kosovës kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në portin detar të Durrësit përmes lëvizjes së mallrave transit nga ky port duke zënë 10 për qind të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit transit nga/drejt Kosovës.
Melamina, xhamat, çimento, llamarina dhe superfosfati janë mallrat e importit që kanë vijuar udhëtimin me automjete nga Porti i Durrësit drejt tregut të Kosovës. Ndërkohë që anije të specializuara ngarkohen në Portin e Durrësit me mineral zinku që vjen nga “Trepça” në Durrës, për të vijuar drejt porteve të vendeve perëndimore.