Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes publike Posta e Kosovës ka njoftuar se gjendja financiare në Postë është duke u rënduar nga muaji në muaj, ku si pasojë janë shkaktuar vonesa në ekzekutimin e pagave për mbi një mijë punonjës të Postës.
Bordi i Drejtorëve nëpërmjet një komunikate thotë se ka shqyrtuar sot gjendjen financiare në këtë ndërmarrje.
“Pas shkresave dhe njoftimeve që iu kanë drejtuar Qeverisë, Bordi nuk sheh zgjidhje tjetër përveç t’i drejtohet edhe publikisht Qeverisë së Kosovës, punëtorëve të Postës, sindikatave dhe opinionit publik se gjendja financiare në Postë është duke u rënduar nga muaji në muaj. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e humbjeve financiare që ka Posta në ofrimin e Shërbimit Postar Universal si dhe në mos shlyerjen e obligimeve financiare për shërbimet që i ofron për operatorë të caktuar. Posta e Kosovës është e obliguar me ligj të ofrojë Shërbimin Universal Postar pa marrë parasysh koston dhe humbjen e vazhdueshme me vite të tëra. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj që të mbulojë humbjet në këtë shërbim. Për këtë ekziston edhe një marrëveshje mes Postës dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik. Për më tepër, edhe Gjykata e ka shqyrtuar këtë çështje dhe ka kërkuar nga MZHE që të kompensojë humbjen financiare që ka pësuar Posta gjatë ofrimit të këtij shërbimi. Deri më tash nuk kemi pasur mirëkuptim dhe gatishmëri nga Qeveria që të zbatohet ligji dhe vendimet e gjykatës. Për shkak të mos mbulimit të këtij shërbimi Bordi i Drejtorëve është obliguar që në fillim të vitit 2015 të bëj uljen e pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës, gjithashtu, në fillim të vitit 2013 të ndaloj sigurimin shëndetësor për të gjithë punonjësit dhe të bëjë uljen e të gjitha shpenzimeve operative deri në masën ku ndonjëherë është penguar edhe operimi i mirëfilltë në ndërmarrje”, thuhet në komunikatë.
Gjendja sipas Bordit, është rënduar edhe më shumë muajve të fundit duke shkaktuar vonesa në ekzekutimin e pagave për mbi një mijë punonjës të Postës.
Vonesa e ekzekutimit të pagave me kohë, Bordi thotë se ka shkaktuar pakënaqësi të theksuara në mesin e punëtorëve dhe sindikatave të cilët kanë paralajmëruar grevë dhe protesta.
“Kryeshefi Ekzekutiv dhe menaxhmenti, pavarësisht punës qe kanë bërë edhe në lansimin e produkteve dhe shërbimeve të reja dhe në ngritjen e të hyrave në ndërmarrje, çdo vit, kjo rritje e të hyrave prapë ka qenë jo e mjaftueshme për të krijuar stabilitet financiar për ndërmarrjen pa u mbuluar Shërbimi Universal Postar. Menaxhmenti i ndërmarrjes ka dërguar dhjetëra shkresa në Qeveri për mbulimin e Shërbimit Universal Postar si obligim ligjor që ka Qeveria por deri më tani nuk është rimbursuar ky shërbim dhe si rrjedhojë ka sjell ndërmarrjen në një gjendje të vështirë financiare për ekzekutimin e pagave. Menaxhmenti ka dërguar në Qeveri në muajin Nëntor të vitit 2017 edhe planin konkret për arritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë financiare të Postës, me propozime dhe ide konkrete për shërbime dhe produkte të reja, përfshirë edhe propozimin për themelimin e Bankës Postare. Këto shërbime te kërkuara i kanë shumica e vendeve të rajonit dhe Evropës. Mirëpo, deri më tash nuk pa pasur asnjë përgjigje nga Aksionari (Qeveria). Duke e analizuar këtë situatë, ne njoftojmë Qeverinë e Kosovës dhe opinionin publik se më datën 1 prill 2018 do të vijmë në një gjendje ku ndërmarrja mos të mund të bëjë ekzekutimin e pagave të punonjësve dhe të përballemi me aktivitete të ndryshme sindikale të cilat ne i kuptojmë si të arsyeshme”, thuhet në komunikatën e Bordit.