Pothuajse 50 palestinezë janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë përballë selisë së spitalit Kamal Adwan në Rripin e Gazës veriore. “Nën rrënojat e një ndërtese përballë spitalit Kamal Adwan në zonën e projektit Beit Lahia, ka pothuajse 50 martirë, përfshirë tre nga stafi ynë mjekësor, pasi u bombardua nga avionët luftarakë izraelitë”, tha Hussam Abu Safia, drejtor i spitalit.
Abu Safia tha se stafi mjekësor dhe punëtorët ishin të pranishëm në ndërtesën e vënë në shënjestër nga sulmet izraelite, të cilët qëndronin aty me familjet e tyre.
Ai identifikoi punonjësit e vrarë, respektivisht pediatrin Ahmed Samour, laboranten Israa dhe teknikun e mirëmbajtjes së spitalit Fares.
Më 5 tetor, Izraeli nisi një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë në veri të Gazës për të parandaluar rigrupimin e grupit palestinez Hamas. Megjithatë, palestinezët e akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.
Që atëherë, në zonë nuk është lejuar ndihma e mjaftueshme humanitare, përfshirë ushqimi, ilaçet dhe karburanti, duke e lënë popullsinë e mbetur në prag të urisë.
Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, Izraeli ka vrarë të paktën 45 mijë palestinezë në Gaza, duke e kthyer enklavën në rrënoja.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për veprimet në Gaza gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.