Në një koment të publikuar në faqen e tij të FB, shkrimtar dhe opinionisti nga Prishtina Xhevdet Pozhari thotë se Kosova ka gazetari e cila duke mos guxuar t’i kritikojë të pushtetshmit, merret vetëm me opozitën.
Sipas Pozharit, gazetarisë lëpirëse ndaj pushtetit i prinë servisi publik – RTK’ja, që do duhej të ishte dritarja e të vërtetave me të cilat përballet shoqëria kosovare..
Në ndërkohë Pozhari ka publikuar edhe një vlerësim cinik ndaj atyre protestuan kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë, ku thotë: “Ishalla qata që protestun kundër ndërtimit të xhamisë nuk e marrin vesh se xhandarmëria serbe ka hy në Karaçevë të Kamenicës se dro që sonte nisen për atje!”
Më poshtë mund ta lexoni komentin e plotë të Pozharit i cili pa dyshim është ndër vrojtuesit më real e më të guximshëm të realitetit në Kosovë.
“Në krejt botën demokratike, opinionistët, gazetarët e “grijnë” qeverinë nëse shtrenjtohen shërbimet për 2-3 cent, e lëre më më shumë, e veç këtu është instaluar dhunshëm si analizë “objektive” nëse i bie në qafë opozitës. Nëse skandalet e përditshme qeveritare i mbulon edhe me një frazë, “ama edhe opozita i ka fajet”! Kuptohet, në këtë mesele hise të madhe ka RTK-ja… por, ky është një rrëfim tjetër!
Këtu masa kritike ka filluar të përkufizohet me “nëse s’je me mua, je kundër meje”. Ose, duhesh të jesh gazetar “mumie” që edhe kur të rren ndër sy, pafytyrë politikani, të kalosh në pyetjen tjetër që me e dëshmua “pavarësinë”, se s’je i anshëm. Pra, njëfarë gjinie “asnjanëse” (as sherri i shkaut, as hajri i turkut).
Pra, erdhëm në situatë kur profesionalizmin në gazetari e matin thellësia e xhepave të pushtetarëve ose britmat e militantëve.
Ndoshta gjithmonë kështu ka qenë, është funksionuar me logjikën “qengji i butë i thithë dy nëna”, por t’u harru se “nënën kryesore” – këtë vend për të cilin luftuam të jetojmë të lirë, këta pushtetarë e kanë dërguar qëmoti në thertore!”, shkruan Xhevdet Pozhari.