“Shqiptarët e Kosovës paguajnë 10 euro për një udhë “copa-copa” që njihet si “Rruga e Kombit”. Nëse kjo taksë nuk zbutet, atëherë Kosova duhet ta vendos taksën dyfish më të lartë për shtetasit e Shqipërisë. Boll ofruam dashni pa kushte!”, ka shkruar gazetari Xhevdet Pozhari, lidhur me taksën e lartë që e ka vënë shteti shqiptar për rrugën e cila kryesisht frekuentohet nga kosovarët.
Pas protestave të banorëve të Kuksit, kjo taksë ra në 100 lekë për vendasit. Ndërsa për veturat vazhdon të jetë 5 euro në një drejtim.
Çmimet
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro
Tarifat që priten të aplikohen qysh këtë javë në rrugën e Kombit janë më të lartat në Europë. Portali europian http://www.tolls.eu jep të dhëna të detajuara për të gjitha tunelet, urat dhe autostradat që janë kundrejt pagesës ne Europë. Siç shihet edhe nga renditja Shqipëria ka nivelin më të lartë të tarifave të vendosura ndaj një investimi publik vetëm për mirëmbajtje, me 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët.
Sipas informacioneve zyrtare, Austria merr taksë për rrugët me pagesë mesatarisht 0.5 euro në ditë për një veturë dhe 0.9 euro për një kamion.
Në Maqedoni pagesa varion 0.9 euro në ditë për veturat në 2.5-3.5 euro për kamionët.
Përndryshe, autostrada e ashtuquajtur, e cila njihet si “Rruga e Kombit”, në fakt ka veç disa kilometra që mund të quhen autoudhë e zgjeruar. Pjesa më e madhe e kësaj rruge është një kahëshe dhe mungojnë disa ura që rrisin ndjeshëm rrezikun e vozitjes./Sakte.net