Autor: Blerim Shala
Nuk ka politikan a diplomat perëndimor që muajve të fundit ka vizituar Kosovën, i cili nuk ia ka bërë pyetjen vijuese bashkëbiseduesve kosovarë, qofshin ata qeveritarë apo opozitarë: A po e dini ju çka po ndodhë në Evropë dhe në Botë?
Nuk është që akëcili prej këtyre politikanëve dhe diplomatëve perëndimorë, ka përgjigje të qartë, as për veten, për këto ngjarje evropiane dhe botërore. Jetojmë në një epokë të re historike dhe politike, e cila në realitet, është në definim e sipër. Tek pas disa viteve do të merret vesh se çka përjetuam, në të vërtetë. Aktualisht, dihet që po kalojmë nëpër një rrëmujë dhe konfuzion të madh, që raportet Perëndim – Rusi janë më keq se kurrë më parë që prej viteve të Luftës së Ftohtë, që terrorizmi si kërcënim global është i pranishëm si asnjëherë më të kaluarën, që Bashkimi Evropian është lëkundur me themel, dhe që në përgjithësi, thuaja askujt në Perëndim, nuk i bëhet vonë çka po ndodhë në Kosovë dhe në Ballkan. Luftëra nuk ka në këto anë të Ballkanit, sa për tjerat, gjithçka mund të pres. Ne jemi në fund të Listës së obligimeve ndërkombëtare.
Me pak fjalë, ky është narracioni ndërkombëtar që i qepet asaj pyetjes nga fillimi i këtij shkrimi.
Askush nuk ka durim të merret me telashet tona të brendshme, të cilat objektivisht, shikuar nga perspektiva perëndimore, nuk janë të denja as për pesë minuta kohë a preokupim të politikës dhe diplomacisë perëndimore.
Mund të supozohet lehtë se çfarë raportesh shkojnë nga ambasadat kryesore të Perëndimit për kryeqendrat e tyre. Në to, midis tjerash gjithsesi nënvizohet që politika kosovare, karshi ngjarjeve ndërkombëtare, vuan nga mungesa elementare e preokupimit dhe të interesimit për zhvillimet në Evropë dhe në Botë. Ne, në parim, nuk kemi kurrfarë qëndrimi politik për tronditjet epokale nëpër të cilat po kalon Evropa dhe Bota. Jemi neutral (me ka krejt), ndaj këtyre zhvillimeve. Ta merr mendja që nuk jemi fare pjesë (gjeografike dhe politike, sa i përket orientimit që kemi, natyrisht, kur bëhet fjalë për këtë dimensionin politik), e Evropës.
Por realisht, pyetja kryesore që do të duhej t’i bëhej politikanëve të Kosovës prej homologëve të tyre perëndimorë, do të duhej të ishte: A po e dini ju çka po ndodhë në Kosovë?
Në parim, politika e një vendi do të duhej të ishte në përputhje të plotë me gjendjen reale në atë shoqëri. Kjo përputhshmëri, zaten, është kusht pa të cilin nuk bën nëse kjo politikë synon të merret me zgjidhjen e problemeve kryesore të një shteti, të qytetarëve të saj. Politika e mirëfilltë, ajo që shquhet me organizim dhe me përgjegjshmëri, gjithmonë ecë një hap para jo vetëm në zgjidhjen e problemeve ekzistuese, por edhe në preokupimin me parametrat negativ që paralajmërojnë lindjen e sprovave të reja për një shoqëri.
Në rastin e Kosovës, nëse i kthehemi sërish pyetjes së përmendur më parë, del që jemi dëshmitarë të një shpërputhjeje me përmasa shqetësuese, të gjendjes reale në Kosovë dhe të orientimit bazik të politikës kosovare.
Ka muaj të tërë që e gjithë politika kosovare është reduktuar në trajtimin e temës së Shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Gjithçka në këtë politikën tonë nisë dhe sosë me këtë çështje. Për më shumë, po sforcohet, çdo ditë e më shumë polarizimi i skajshëm i skenën politike vendore, e cila, bartë në vete kërcënimin real të paralizimit të kësaj politike. Nuk shihet, së paku nga perspektiva e sotme, (nuk ka të thuash fare gjasa që diçka për të mirë të ndodhë në ditët vijuese), që cilido vendim që do të merret në Kuvendin e Kosovës, me 1 shtator, për këtë çështje, do të jetë pa pasoja domethënëse për Kosovën.
Askush aktualisht në këtë politikën kosovare nuk po merret me faktin që niveli i kënaqësisë së kosovarëve mesatarë me këtë politikë, graviton diku kah një çereku i popullatës. Që sikur të kishte mundësi të marrjes së strehimit në Gjermani a në shtetet tjera të Perëndimit, gjysma e qytetarëve të Kosovës ia kishin mësy Hungarisë. Që niveli i pasigurisë në vend, pas lajmeve për mortajë, granata dore dhe mjete të tjera të eksplodimit, ka marrë drejtimin e rritjes së madhe, me paralajmërime që edhe ne këndejpari, mund të bëhemi krye lajm, për të keq, i medieve kryesore në Botë.
A e dimë pra, çka mund të ndodhë me ne, së shpejti?