Fermerë të lagjes Drizë në Fier, janë ngritur në protestë mëngjesin e sotëm duke kërkuar dëmshpërblim për sipërfaqen me ullinj që preket nga projekti për ndërtimin e linjës 400 Kv të linjës Maqedoni e Veriut – Elbasan- Fier, të financuar nga banka gjermane për zhvillim KFW.
Ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 400 mijë metër katror ku preken 21 fermerë 8 prej të cilëve tokat e tyre i kanë të kultivuara me ullinj 20- vjeçarë. Sipas banorëve, dëmshpërblimi për rrënjë ulliri është qesharak ndërsa ka dhe matje të gabuara të sipërfaqeve të tyre.
“Po tallen me popullin, nuk kemi marrë kokërr leku. Janë mashtrues, do t’i bëjmë rrjetat copash”, është shprehur një banore.
Sipas banorëve , dëmshpërblimi për rrënjë ulliri është qesharak ndërsa ka dhe matje të gabuara të sipërfaqeve të tyre. Këto toka janë ndarë me ligjin 7501 dhe pjesa më e madhe e banorëve zotërojnë aktin e marrjes në pronësi, por jo certifikatën e pronësisë , gjë që ka sjellë dhe pamundësinë e dëmshpërblimit.
Ndërkohë drejtori i projekteve të jashtme në OST, Dorjan Sejamini ka pohuar se bashkohet me shqetësimin e banorëve, teksa ka theksuar se janë takuar dhe sqaruar disa herë me banorët dhe ka premtuar ndihmesë edhe në etapat e aplikimit për plotësimin e dokumentacionit të saktë.
Sejamini pohoi gjithashtu se ky është një projekt strategjik që dyfishon kapacitetet energjitike dhe vonesat në zbatimin e tij sjellin kosto të shtuar.